E Diel, 1 Nëntor 2026

Naço: Komisioni hetimor miratohet brenda tre javësh

Nënkryetari i Kuvendit: Një ndër pikat që do të shtrohet në Konferencën e Kryetarëve që pritet të mblidhet brenda kësaj jave, do të jetë Komisioni Hetimor

TIRANË - Kuvendi i Shqipërisë do të miratojë brenda tre javësh ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet e 29 qershorit.


Kjo gjë është pohuar dje nga nënkryetari i Kuvendit, Nasip Naço, i cili shpjegoi se ngritja e Komisionit Hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit do të futet në kalendarin e parë të punimeve të parlamentit. Sipas nënkryetarit Naço, një ndër pikat që do të shtrohet në Konferencën e Kryetarëve që pritet të mblidhet brenda kësaj jave, do të jetë Komisioni Hetimor.


Ndërkohë, për deputetin e LSI-së kalendari i punimeve do të jetë tepër i ngjeshur, pasi në të do të përfshihet edhe ligjet e mbetura nga sesioni i kaluar parlamentar. Sipas tij, dy partitë kryesore do të përfshijnë dy variantet e tyre në një dokument konsensual, mbi bazën e të cilit do të ngrihet dhe komisioni.


"Do të gjendet një konsensus mbi të dy draftet, mbi atë që solli Partia Socialiste dhe mbi draftin që kishte mazhoranca në lidhje me komisionin hetimor. Besoj se këtë radhë do gjejmë një zgjidhje brenda Kushtetutës e brenda vendimit të Gjykatës Kushtetuese", u shpreh ai.


Sipas nënkryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, ngritja e komisionit të parë hetimor nga parlamenti dështoi, pasi socialistët kërkuan si radhë pune nga komisioni hetimor hapjen e fletëve të votimit si kusht për ngritjen e komisionit hetimor. Një tjetër pikë që ka ndarë PD-në dhe PS-në ka qenë kohëzgjatja, pra nëse komisioni do të funksiononte për dy vjet apo për tre muaj.


Nënkryetari i Parlamentit, Nasip Naço, vlerësoi qëndrimin e kreut të grupit socialist, Gramoz Ruçi, që puna e komisionit hetimor të nisë pa fletët e votimit dhe fati i tyre t'i lihet në dorë Komisionit të Venecias.


"Përgëzoj qëndrimin që mbajti kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste për të ardhur në parlament, për të marrë pjesë në komisionin hetimor për të bërë transparencën e zgjedhjeve, duke ju drejtuar dhe Komisionit të Venecias", - tha Naço.


Ndërkohë, mazhoranca do të sfidojë opozitën duke futur në kalendarin e punimeve të gjitha ato projektligje dhe kode, të cilat duan 84 vota.


"Do të futen të gjithë ato projektligje që do të mbeten nga sesioni i kaluar. Të gjithë ato kode që ngelën dhe që kërkonin miratimin dhe konsensusin e opozitës do jenë në rendin e ditës. I bëj thirrje opozitës që për sesionin e ri parlamentar të mbajnë një qëndrim ndryshe", sqaroi Naço.


Sot mblidhet Konferenca e Kryetarëve


TIRANË - Burime nga Kuvendi bëjnë të ditur se sot do të mblidhet edhe Konferenca e Kryetarëve, e cila do të diskutojë dhe miratojë kalendarin trejavor të punimeve të parlamentit. Konferenca e kryetarëve pritet që të rivendosë përballë edhe dy nënkryetarët e grupeve parlamentare, Astrit Patozi dhe Gramoz Ruçi.


Zëvendëskryetarët e Kuvendit dhe kryetarët e komisioneve të përhershme të Kuvendit mund të ftohen për të marrë pjesë në Konferencën e Kryetarëve.


Si rregull, programi i punës dhe kalendari i punimeve miratohen me mirëkuptim nga Konferenca e Kryetarëve dhe kur kjo nuk realizohet, Kryetari ia paraqet ato Kuvendit në seancë plenare dhe miratohen me shumicë.


Nëse mazhoranca do të fusë në kalendarin e punimeve Kodet dhe ligji për Gjykatën administrative asaj di t'i duhet konsensusi i opozitës, pasi, sipas Kushtetutës, të gjitha Kodet duan 84 vota, pra rrjedhimisht kërkojnë edhe pëlqimin nga opozita.


Kodet që nuk mundën të hidheshin në votim në sesionin e shkuar janë: ligji për Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë; ligji për Kodin Penal; ligji për Kodin Hekurudhor; ligji për Kodin Doganor; ligji për Kodin Ajror; ligji për Kodin Rrugor dhe ligji për Kodin Detar.


Pa u kaluar për miratim nga seanca e fundit parlamentare

9. Projektligj "Për gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative dhe Organizimin e Drejtësisë Administrative".
10. Projektligje "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995 "Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar".
11. Projektligji "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8391, datë 26.10.1998 "Për Shërbimin Informativ të Shtetit" të ndryshuar".
12. Projektligj "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7850, datë 29.7.1994 "Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar".
13. Projektligje "Për disa ndryshime she shtesa në ligjin nr. 8378, datë 22.7.1998, "Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë" të ndryshuar".
14. Projektligj "Për një ndryshim në ligjin nr. 9317, datë 18.11.2004 "Kodi Hekurudhor i Republikës së Shqipërisë".
15. Projektligj "Për disa ndryshime në ligjin nr. 8449, datë 27.01.1999 "Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë" të ndryshuar".
16. Projektligj "Për një shtesë në ligjin nr. 10.040 datë 22.12.2008 "Kodi Ajror i Republikës së Shqipërisë".
17. Projektligj "Për një ndryshim në ligjin nr. 9251, datë 8.7.2004 "Kodi Detar i Republikës së Shqipërisë".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›