Lazarati - Kolumbia shqiptare e drogës

Reportazhi i agjencisë gjermane të lajmeve Dwelle për komunën e Gjirokastrës që është shndërruar në një plantacion droge
Përkundër deklarimeve të zyrtarëve të policisë dhe politikanëve, në Lazarat edhe këtë vit janë mbjellë plantacione të konsiderushme me drogë. Lazarati është sot, do të jetë dhe në muajt e ardhshëm, destinacioni kryesor i furnizimit të trafikut.
Flas me një mësuese, që natyrisht nuk identifikohet, rreth situatës sociale në këtë komunë. Ajo si e zënë në faj thotë: "Kemi bërë biseda me nxënësit në radhë të parë, pastaj me persona të caktuar në fshat."
Ndërkaq, një nga ish maturantet e shkollës së mesme të fshatit që këtë vit dëshiron të studiojë për jurisprudencë më drejtohet me revoltë: "pse të mos përmendet emri Lazaratit siç është bërë pak kohë më parë, jo për të këqijat që mund të ketë, por për anët e mira të tij. Të shtyrë nga përfitimet materiale, prindërit tanë nuk e kuptojnë dëmin që na shkaktojnë ne."
Po situata në terren është krejt tjetër. Mbjellja e bimëve narkotike është thuajse një garë mes banorëve se kush të mbjellë më tepër. Sa më tepër të mbjellësh aq më i zoti dukesh në sy të fshatit.
Ja si më përgjigjet një banor i kësaj komune: "E përditshmja është e rëndë, s'kemi asnjë të ardhur apo njeri në punë. Mbjellim, mbjellim dhe atë që mbase nuk lejohet. Sakrifikojmë. Çdo gjë e bëjmë nga e keqja. Jam pa punë, i kam të gjithë pa punë. Bëjnë të gjithë, do bëj dhe unë."
E të njëjtit mendim është dhe një tjetër e moshuar aty pranë që pa ia bërë syri tërr të jep gjithë qytetarinë e statusin social të kultivuesve të hashashit. "...punoj, mbledh hashash, s'kam ç'bëj, punoj. Këtë mënyrë jetese kam."
Përballë kësaj situate, pavarësisht konferencave rajonale, tregimeve publike, pritje - përcjelljeve të ambasadorëve e mitingjeve elektoralë, Kryetari komunës Dasho Aliko gjen rastin të bëjë apel: "I bëj thirrje gjithë komunitetit tim të largohen nga ky fenomen."
Edhe Prefekte e qarkut Mimoza Como, si kryetare e Komitetit shtetëror antitrafik pohon një varg masash të ndërmarra: "Jemi të gjithë të interesuar e të impenjuar që ky fenomen të minimizohet."
Por pavarësisht gjithçkaje, mediatizimit, thirrjeve, sensibilizimit, herë - herë dhe manipulimit, plantacionet e mbjella me hashash rriten sovrane në Lazarat. Helikopterët e policisë filmojnë, ndërkohë që nga poshtë vijnë breshëri armësh dhe policia ende nuk ka kontroll të plotë në brendësi të "Kolumbisë shqiptare të drogës".
Drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit, Hysni Burgaj, në një takim me drejtuesit vendorë të policisë: "Kam gjithë informacionin e duhur për parapërgatitjet që po fillojnë nga disa persona që po penalizojnë jo vetëm Gjirokastrën por mbarë Shqipërinë. Veprimet e policisë do jenë tepër të ashpra."
Vetë ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, që tashmë e njeh më në thellësi fenomenin, duke folur për baronët e drogës në Lazarat u shpreh: "Ai grusht njerëzish do të ndjejë peshën e fortë të ligjit dhe do të përballet me drejtësinë çdo ditë, çdo javë, në ditët e muajt që do të vijnë." Të presim deri sa grushti i shtetit të godasë seriozisht për të fshirë njëherë e mirë nga harta ballkanike, "kolumbinë shqiptare" të drogës.
Makina e të riut është qëlluar me katër plumba pistolete teksa ndodhej pranë një lavazhi. A. B shpëton pa dëmtime
Lazarat, atentat me katër plumba 18- vjeçarit
GJIROKASTËR- Katër plumba pistolete në drejtim të automjetit, fatmirësisht pa të lënduar dhe as viktima. Ngjarja u regjistrua mesnatën e djeshme në aksin kombëtar Gjirokastër- Kakavijë në vendin e quajtur Kordhocë. Policia deklaron se pas denoncimit, për zbardhjen e ngjarjes janë angazhuar ekspertët më të mirë.
Burime zyrtare të policisë kanë deklaruar se ngjarja ka ndodhur pranë një pike për larjen e makinave, në afërsi të fshatit Lazarat. Në bazë të denoncimit që ka depozituar pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër shtetasi me inicialet I.
B, është qëlluar me armë zjarri nga persona të paidentifikuar, të cilët lëviznin me një automjet me targa të huaja, nipi i tij shtetasi A. B, 18 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Lazarat, i cili ishte me automjetin e tij tip Volksvagen me targa "S 406 FKJ", pranë këtij lavazhi.
"Nga këqyrja e automjetit të bërë nga grupi hetimor rezultoi se automjeti tip Volsvagen si pasojë e të shtënave ka marrë katër plumba pistolete, ndërsa shtetasi i lartpërmendur nuk ka pësuar lëndime Grupi hetimor po punon për fiksimin e gëzhojave në vendngjarje, mbledhjen e provave të tjera ligjore, me qëllim zbardhjen e kësaj ngjarjeje dhe vënien para drejtësisë të autorëve.
Për zbardhjen e kësaj ngjarjeje janë angazhuar ekspertët më të mirë të policisë së Drejtorisë Policisë së Qarkut Gjirokastër ku në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër po punohet intensivisht për zbardhjen e ngjarjes",- thuhet në komunikatën zyrtare në lidhje me këtë ngjarje.