E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria heq plazhet private nga bregdeti

Kryeministri ka kërkuar hartimin e ligjit që do të ndalojë zënien e hapësirave publike deri në 100 metra nga deti


Berisha paralajmëroi se do të shemben të gjitha ndërtesat që derdhin ujërat e zeza në det


TIRANË - Pushuesit shqiptarë mund të kenë shijuar për herë të fundit këtë vit kënaqësinë dhe stresin e plazheve private, pasi nga viti tjetër do të gjejnë vetëm hapësira publike. Në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Berisha i kërkoi ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferri, që të përgatisë projektligjin, i cili do të ndalojë plazhet private.


Në fjalën e tij, kreu i qeverisë theksoi se ligji do të garantojë qytetarët e të gjithë qyteteve dhe komunave të ultësirës bregdetare se do të ketë plazhe publike për ta. Kryeministri Berisha e vlerësoi skemën e tanishme të dhënies së lejeve për plazhe private nga ana e krerëve të bashkive apo të komunave bregdetare si babëzi ndaj mjedisit.


"Në qoftë se qytetarët e Durrësit për shkak të adaptimit në total të skemës së dhënies së plazhit, privatëve nuk mund të shijojnë bregun e tyre, kjo është babëzi", - u shpreh ai. Për kreun e qeverisë, numri i lejeve për plazhet private duhet të jetë tepër i kufizuar. Kreu i qeverisë u shpreh se përgjegjës direkt për garantimin e ligjit dhe zbatimin e ligjit në të gjitha plazhet e vendit, duke përcaktuar njëherë e mirë plazhet publike.


Kreu i qeverisë denoncoi abuzimet me lejet e plazheve private nga krerët vendorë. "Çfarë janë brezi i parë, i kryetarit, i morën, bënë para me çadrat dhe shezllonet dhe qytetarët detyrohen nga Durrësi apo nga Vlora të shkojnë diku tjetër", deklaroi Berisha.


Një tjetër problematikë, në të cilën u ndal kreu i qeverisë ishte edhe ndotja ekologjike e vijës bregdetare. Kryeministri Berisha kërkoi shqyrtimin e aktit ligjor për krimet e rënda ekologjike duke kërkuar që në raste të tilla flagrante të bëhen përgjegjës drejtuesit vendorë.


Kreu i qeverisë kërcënoi këtë herë me prishje të subjektit nëse konstatohet se bën derdhjet e ujërave të zeza në det. "Nëse konstatohen shkelje të tilla nuk duhen prishur kanalet, por lokalet që i derdhin ato në det. Këto lokale duhet të asgjësohen", - theksoi Berisha.


Kryeministri i kërkoi ministrit të Mjedisit që në rast se evidentohen raste të ndotjes së mjedisit të përdorë të gjithë forcën që i jep ligji për parandalimin dhe ndëshkimin e saj. Ndërkohë, kreu i qeverisë i la detyrë Ministrisë së Turizmit dhe asaj të Punëve publike që të shqyrtojë të gjitha ndërtimet që janë 100 metra nga deti. "Nuk ka pronë private në 100 metra nga buzë uji.


Duhet të hiqet ky koncept. Nuk ka ekzistuar kurrë, pasi është vetëm spekulim, vetëm mashtrim, vetëm hajdutëri", deklaroi Berisha. Sipas tij, me ligj 100 metra nga buzë uji do të jetë territori publik në mënyrën më përfundimtare.


"Edhe ata të cilët pretendojnë, vetëm mashtrojnë, se ky komb në shekuj dhe mijëvjeçarë ka qëndruar me shpinë nga deti dhe jo me fytyrë nga deti. Tani po kthehet me fytyrë nga deti", u shpreh ai.


Kryeministri pranoi moszbatimin e vendimit të Këshillit të Ministrave, i cili nuk lejon ndërtimet brenda 100 metrave nga vija bregdetare dhe theksoi nevojën për të pasur një ligj që do të mundësojë mbrojtjen e bregdetit.


Për kreun e qeverisë, 100-metërshi i fundit do të jetë tokë publike, pa ndërtime. "Nuk është se do të jepet nga qeveria për ndërtim, por do të jetë në funksion të zhvillimit të turizmit. Ka dikush që thotë se ka pasur kullota deri në fund të ujit. Kjo është absurde", - deklaroi Berisha.


Kryeministri kërkoi nga ministritë që të bashkërendojnë punën në mënyrë që viti i ardhshëm të jetë një vit, ku turistët të kenë lehtësirat më të mëdha. Ai premtoi se grantet e qeverisë për pushtetin lokal do të kenë destinacion të qartë turizmin. "Do të kenë destinacionin e tyre para së gjithash për pastrimin, për ujin, kanalizimet etj." - tha kryeministri.

Rrogat dhe pensionet

Një tjetër drejtim themelor të buxhetit të vitit 2011, kryeministri Berisha përcaktoi rritjen e rrogave dhe pensioneve. "Është një kënaqësi e madhe, qoftë rritja që bëhet për administratën, për të cilën duhet të jemi shumë mirënjohës, për kontributin, përkushtimin e madh që ka dëshmuar dhe dëshmon, rritja e pensioneve po ashtu është një detyrim ndaj të moshuarve të këtij vendi dhe sado që t'i rrisim nuk marrin dot atë që meritojnë", - u shpreh kryeministri.


Teknologjia


Teknologjia e informacionit dhe moderniteti i administratës shtetërore, i të gjitha proceseve në këtë vend, pra "Shqipëria dixhitale, është një shtyllë tjetër themelore, në të cilën do të adresohet buxheti i shtetit.


Kryeministri Berisha deklaroi se buxheti mbështet fuqishëm, rritjen ekonomike dhe stabilitetin makroekonomik të vendit. Berisha premtoi se këtë vit qeveria do të krijojë fondin e Shqipërisë dixhitale, me të cilin do të mbështesë përhapjen e teknologjisë digjitale në vend.


"Unë kam një premtim që nuk e harroj. Çdo i ri shqiptar do të ketë kompjuter në shtëpi. Që tani fillon fondi i "Shqipërisë dixhitale" dhe të rinjve shqiptarë iu krijohet mundësia e plotë për të pasur kompjuter në shtëpi", theksoi kreu i qeverisë.


Infrastruktura rrugore


Kryeministri Sali Berisha i bëri thirrje ministrave të kabinetit qeveritar të bëjnë gati projektbuxhetin për vitin e ardhshëm, prioritetet kryesore të të cilit do të jenë infrastruktura, turizmi dhe projekti "Shqipëria dixhitale".


Kreu i qeverisë u shpreh se në shtator duhet të finalizohet buxheti dhe të miratohet në qeveri, në mënyrë që në muajin tetor të dorëzohet në parlament, për të pasur të gjithë kohën e nevojshme për një shqyrtim të hollësishëm. Përcaktimet kryesore të buxhetit të viti 2011 do të jenë infrastruktura rrugore.


Ndër prioritetet e qeverisë në infrastrukturën rrugore do të jetë ndërtimi i rrugëve të reja përkatësisht i rrugës së Arbrit, autostradës Tiranë-Elbasan, përfundimin e autostradës Levan-Vlorë, Levan - Tepelenë, Konispol - Sarandë, Kardhiq-Delvinë, Bogë - Theth, fillimin e punimeve të një rruge të re, Lezhë -Velipojë, e cila kalon në majën e kodrave që ndajnë detin nga Torovica dhe zona të tjera. Kreu i qeverisë premtoi investime edhe në rrugët rurale gjatë vitit që vjen, ujësjellës, kanalizime, shkolla dhe qendra shëndetësore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›