Naço: Policia, presion ndaj mbështetësve të opozitës në Berat
Pas Kukësit, opozita ka denoncuar policinë se është duke ushtruar presion ndaj mbështetësve të saj edhe në Berat. Denoncimi vjen nga ana e deputetit të LSI-së, Nasip Naço.
Gjatë një prononcimi për mediat, Naço ka thënë se me urdhër të kandidatit të PD-së për deputet, mbështetës të LSI-së dhe PS-së po shoqërohen në polici pa asnjë motiv dhe mandate arresti.
Naço është shprehur se ka bërë gati një kallëzim për në prokurori, ndërsa do të dërgojë një dosje edhe në OSBE. Nga ana tjetër, ai ka kërkuar ndërhyrjen e presidentit Bujar Nishani, për të ndaluar presionin e policisë.
Opozita ka denoncuar gjatë ditëve të fundit presionin e ushtruar nga ana e ministrit të Brendshëm, Flamur Noka, sidomos në Kukës, ndërsa ka publikuar edhe emrat e drejtuesve të policisë të përfshirë në fushatën e PD-së./b.l