Topi: FRD, shtëpia e vërtetë e së djathtës shqiptare
Fryma e Re Demokratike ka mbajtur dje një miting në Shijak. Gjatë këtij mitingu kryetari i FRD, Bamir Topi tha se forca e tij politike do të jetë e domosdoshme për krijimin e qeverisë së ardhshme.
Deklarata
Gjatë fjalës së tij, kreu i FRD-së u shpreh i sigurt se projekti i tij politik do të jetë pjesë e parlamentit të ardhshëm. Kam kënaqësinë të flas para jush për një projekt të ri politik, i cili do ta bëjë Frymën e Re Demokratike një forcë politikë jo vetëm vendimmarrëse, por dhe të domosdoshme për qeverinë e parlamentin e ardhshëm, tha Topi. Sipas kreut të FRD-së është e nevojshme që në këto zgjedhje ti jepet fund korrupsionit në vend. Për fatin tonë të keq, pas 8 vite kemi akoma të njëjtin problem, kemi të njëjtin korrupsion, siç e thekson edhe Freedom House në raportin e saj. Ky raport dhe të tjerë na thonë haptazi se treguesit e demokracisë në vend janë përkeqësuar, u shpreh Bamir Topi. Në vijim, Topi u ndal edhe tek niveli i demokracisë në vend, ndërsa tha se Partia Demokratike ka arritur deri në atë pikë sa kërkon të mbledhë vota për ish-deputetët socialist. Ky i fundit përdoret në foltore nga politikanët demagogë me arsyen e vetme për të ruajtur pushtetin. Çdokush nga ju mund të konstatojë në çfarë niveli është katandisur e djathta, e cila del për të mbledhur vota për ish- deputetët socialistë, u shpreh Topi. Në përfundim kreu i FRD-së e cilësoi këtë forcë politike si shtëpinë e vërtetë të së djathtës shqiptare. Ju ftoj të bëheni pjesë e FRD-së, shtëpia e vërtetë e së djathtës shqiptare, kësaj partie që do të ketë një rrugëtim shumë të gjatë në politikën shqiptare. Bëhuni pjesë e jona duke votuar nr. 66, përfundoi Bamir Topi.
Gazmend Oketa
Nga ana e tij kryesuesi i listës së kandidatëve për deputet të FRD-së në qarkun e Durrësit, Gazmend Oketa tha se në 23 qershor vendi do të hap një kapitull të ri duke i dhënë fund tranzicionit të gjatë. Pak ditë na ndajnë nga data 23 e cila do na japë mundësinë të hapim një kapitull të ri për shoqërinë shqiptare që vuan peshën e rëndë të tranzicionit të pafund, u shpreh Oketa.