Abuzimi me fondet, PS padi penale për 4 anëtarët e KQZ-së
Partia Socialiste ka kërkuar ndjekje penale për katër anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke i akuzuar për shpërdorim detyre. Në kërkesë- padinë e dorëzuar nga Sekretari për Çështjet Zgjedhore, Damian Gjiknuri, thuhet se përgjegjës për këtë skandal janë: Lefterie Leshi, me detyrë kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri, me detyrë anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Vera Shtjefni, me detyrë anëtare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Hysen Osmanaj, me detyrë anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dhe anëtarët e Komisionit të Përgatitjes së Dokumentacionit dhe Vlerësimit të Ofertave të Tenderit. Sipas akt-paditës, këta persona kanë shpërdoruar detyrën duke i shkaktuar vendit dëme të konsiderueshme financiare. Vlen të theksohet se nga ana e KQZ-së nuk ishte miratuar metodologji për bërjen e testit, duke realizuar vetëm një testim formal, të paracaktuar me qëllim mediatizimin e dështimit të paralajmëruar të teknologjisë. Në këtë dështim të orkestruar, të kallëzuarit e identifikuar dhe personat të tjerë të paidentifikuar, janë ligjërisht përgjegjës për shpërdorimin e fondeve publike dhe cenimin e interesave të ligjshme të shtetit dhe shtetasve me veprime dhe mosveprime që kanë shkaktuar pasojën e paligjshme të mos realizimit të projektit SEV dhe dëmit ekonomik të shkaktuar, thuhet ndër të tjerash në padinë e PS-së.