Nadal rikthehet në Davis Cup

Rafael Nadal ka fituar gjithcka dhe pothuajse kudo në sportin e tenisit, si në planin individual ashtu edhe me Spanjën, megjithatë ngjeshja e kalendarit, përzgjedhja e komplikuar e turneve të duhur apo dhe dëmtimet e shpeshta në vitet e fundit e shtrënguan mbretin e padiskutueshëm të fushave me dhe për të hequr dorë nga impenjimet me përfaqësuesen e vendit të tij në Kupën Davis. Nga New Yorku ku po tenton për të fituar për herë të dytë në karrierë turneun e US Open numri 2 i botës më në fund deklaroi se do të rikthehet sërish për të luajtur në eventin më të rëndësishëm në rang ekipor. Në 13 edicionet e fundit Spanja ka fituar 5 herë këtë trofe dhe vendi iberik tashmë konsiderohet si një superfuqi e këtij kompeticioni, sidoqoftë Nadal nuk merr pjesë në të që nga dhjetori i vitit 2011, që përkon pikërisht me titullin e fundit të Spanjës në Kupën Davis. 27-vjecari nga Mallorca pas triumfit në finalen e Seviljes ndaj Argjentinës vendosi të tërhiqej për të patur më tepër kohë në dispozicion, gjithsesi ndeshjet e shumta e për më tepër në një periudhë të shkurtër kohe sollën edhe atë dëmtim të rëndë në gju, që në fakt e mbajti Rafa-n plot 7 muaj jashtë fushave të lojës.
Nadal u rikthye më i fortë se kurrë duke fituar 5 tituj Masters vetëm gjatë vitit 2013, vit në të cilin tenisti nga Manacori numëron vetëm 3 humbje gjithsej. Duke lënë mënjanë Wimbledon-in Rafa ka shkuar deri në finale në cdo turne ku ka marrë pjesë, pra tenisti spanjoll ndihet vërtet mirë fizikisht, për më tepër që këtë sezon e coi në 8 numrin e titujve të fituar në Roland Garros. Pra 27-vjecari në njëfarë mënyre ndihet në borxh me përfaqësuesen e Spanjës, ku jo pak herë janë dëgjuar zëra që e thumbojnë se Nadal preferon të luajë vetëm fazat e rëndësishme të këtij aktiviteti. Në edicionin e këtij viti, që është edhe i 102 në historin e Kupës Davis Spanja e tij u eliminua në mënyrë surprizë që në turin e parë në Vancouver nga Kanadaja, e tashmë ekipi iberik duhet të mbrojë vendin në World Group, kategorinë elitare të këtij aktiviteti, pas dy javësh, kur në Madrid, në kompleksin modern Caja Magica do të luajë me Ukrainën. Kapiteni i Spanjës Alex Corretja ka lënë jashtë seleksionit spanjoll David Ferrer, për shkak të lodhjes së tepërt, si dhe dyshen Almagro – Granollers, gjithsesi përvec Nadal për ndeshjet me Ukrainën janë grumbulluar gjithashtu edhe Tommy Robredo, Fernando Verdasco që konsiderohen si më në formë apo dhe miku i tij Marc Lopez që kontribuon për Spanjën në lojën dyshe.Supersport,al