E Diel, 1 Nëntor 2026

Nafta Virxhin arreston biznesmenët

Kontrabanda e naftës Virxhin çon në pranga 11 persona, biznesmenë dhe zyrtarë të Tatimeve e Doganave gjatë një operacioni të Task Forcës, që u shtri në Fier, Vlorë dhe Tiranë.Prokuroria e Përgjithshme njoftoi mbrëmë për ekzekutimet e 11 prej 13 urdhër-arresteve, vendim që erdhi pas mbylljes së hetimeve që nisën me iniciativën e organit të akuzës, pas deklaratave të ish-ministrit të Energjetikës, Dritan Prifti, në emisionin Ora e Intervistës të gazetarit Alfred Peza në 12 tetor 2010. Në pranga kanë përfunduar biznesmenët Hajri Elezaj dhe Ilias (Vladimir), Martin e Bajram Fisheku. Mësohet se është arrestuar bashkë me ta edhe Dashamir Kasaj, inspektor i Tatimeve në Fier, i cili rezulton të ketë ushtruar kontroll në kompanitë e Fishekut, (kryesisht për TVSH-në dhe deklarimet e tjera), si dhe Edmond Ferraj, doganier në Vlorë, që dyshohet se ka falsifikuar faturat doganore fiktive, që në dukje flisnin për naftë të eksportuar. Janë arrestuar gjithashtu edhe Flamur Merkaj, Vladimir Koteci, Gani Prençe, Reshat Aleksi dhe Kadri Hajredini, të punësuar në kompanitë e Fishekut dhe Elezajt. Fletët e arrestit janë prerë dhe për dy persona të tjerë, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur. Mbi bazën e dokumentacionit dhe kërkesës së dërguar nga prokuroria, Gjykata e Tiranës ka vendosur ndaj tyre masën e sigurisë arrest me burg dy ditë më parë, ndërsa dje u ekzekutuan vendimet e gjykatës. Ndaj të arrestuarve rëndojnë akuzat: Mashtrimi me pasoja të rënda, Shpërdorim detyre, Falsifikim dokumentesh dhe Pastrim të produkteve të veprës penale.
HETIMET
Sipas burimeve zyrtare nga prokuroria mësohet se nga hetimet e kryera deri tani, është provuar se gjatë periudhës 20072009, sasi të konsiderueshme të nënproduktit të naftës bruto të përpunuar dhe të njohur si Virxhin, është tregtuar në Shqipëri në kundërshtim me ligjin dhe në dëm të konsumatorëve. Ky produkt është shitur si karburant i pastër për konsum, në një kohë që ishte i destinuar për eksport. Aktiviteti është realizuar nga ana e subjektit privat Euroil sh.a, me ortak dhe administrator Hajri Elezajn, si dhe në bashkëpunim me subjektin tjetër privat Fisheku sh.a, me ortak dhe administrator Ilias (Vladimir) Fisheku. Sasia e nënproduktit të naftës të quajtur Virxhin është blerë nga shoqëria e përpunimit të naftës Armo sh.a dhe në mënyrë fiktive është pasqyruar me dokumentacion si e eksportuar jashtë shtetit. Por në fakt, ajo është shitur në tregun e brendshëm, në kundërshtim me ligjin dhe duke mashtruar konsumatorin shqiptar. Në këtë aktivitet janë përfshirë edhe punonjës të caktuar të administratës tatimore dhe doganore, të cilët me veprimet e tyre kanë ndihmuar në fshehjen dhe mosdeklarimin e aktivitetit në fjalë, pohuan burimet zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme.
MASHTRIMI
Në një kohë kur produkti i naftës Virxhin blihej për tu eksportuar nga grosistët e naftës drejt Italisë dhe Afrikës, në fakt eksportohej drejt depozitave të Fierit, ku përzihej dhe shitej si karburant i pastër. Mësohet se në treg kjo naftë nxirrej pasi përzihej një litër Virxhin me 2 litra naftë të pastër. Sipas skemës së rindërtuar nga grupi i hetimit, pika e nisjes është rafineria e vetme e naftës në vend, ARMO, e cila pasi siguron prej Albpetrolit naftën bruto nga nëntoka shqiptare, e përpunon atë, duke nxjerrë përveç naftës së pastër, edhe nënproduktet e saj si virxhin, solar apo bitum. Ajo që njihet rëndom si naftë Virxhin është një lëng i tejdukshëm, që shërben si lëndë bazë për prodhimin e benzinës. Por duke qenë se në Shqipëri nuk ekzistojnë rafineri për prodhimin e benzinës, atëherë legjislacioni shqiptar ka përcaktuar vetëm një destinacion për këtë produkt me nivel të lartë ndotjeje, që është eksporti në vendet ku ekzistojnë mundësitë e prodhimit të benzinës.

Nafta Virxhin

Pavarësisht emrit, kjo lëndë është e një cilësie të dobët. Ajo përftohet pas përpunimit të naftës bruto nga nëntoka. Nafta Virxhin shfrytëzohet për prodhimin e benzinës. Në vendin tonë nuk ka rafineri të tilla dhe për këtë arsye është e përcaktuar me ligj eksportimi i saj. Pas nxjerrjes së naftës nga Albpetrol kompania Armo është e vetmja që bën përpunimin dhe nxjerrjen e naftës Virxhin si dhe është e ndaluar që të bëhet tregtimi i saj në subjekte të tjera që nuk e përpunojnë. Sipas hetimit, rezulton që në vitet 2007-2009 nafta me përzierje Verxhin të jetë e konsumuar nga qytetarët shqiptarë.

Të arrestuar

Hajri Hajredin Elezaj, biznesmen
Ilias Isa Fisheku, biznesmen
Martin Ilias Fisheku, biznesmen
Bajram Isa Fisheku, biznesmen
Dashamir Veiz Kasaj, inspektor tatimesh, Fier
Edmond Kaso Ferraj, doganier, Vlorë
Flamur Rexhep Merkaj, punonjës
Vladimir Kilo Koteci, punonjës
Gani Llazar Prençe, punonjës
Reshat Hamza Aleksi, punonjës
Kadri Rakip Hajredini, punonjës

Hetimi nisi nga intervista në televizion

Ish-ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti e përmendi publikisht skandalin sipas tij të naftës Virxhin më 12 tetor 2010, pak ditë pas shkarkimit të tij nga detyra, në emisionin Ora e Intervistës, të gazetarit Alfred Peza. Sipas Priftit, nëse ky skandal do të hetohet deri në fund, do të jetë një ndër hetimet e dekadës, sepse ka për të dalë shumë llum. Pas deklarimeve në media për një skandal nafte, u ngrit një grup nga Task Force për kryerjen e veprimeve hetimore. Ky grup kërkoi nga ana e ish-ministrit, në atë kohë me imunitet, nëse ishte i gatshëm për të dëshmuar në organin e akuzës për këtë çështje. Dy ditë më vonë, Prifti iu përgjigj kërkesës, duke dhënë dëshminë e tij në Prokurorinë e Tiranës. Në denoncimin e tij, Prifti akuzoi deri dhe zv.drejtorin e Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj për implikim në këtë çështje. Unë i them prokurorisë, doganave dhe policisë, hetoni vitin 2007 deri në fund të vitit 2009. Shkoni tek ARMO, sepse ARMO është ai që prodhon naftën Virxhin, merrni sa është prodhuar, kujt i është shitur, kompania që e ka blerë dhe ku e kanë çuar. Dhe unë po të them që nafta Virxhin gjoja është eksportuar jashtë Shqipërisë me letra false nëpër dogana, ku sigurisht është e përfshirë edhe dogana në këtë kontrabandë, dhe ajo naftë pastaj i është shitur tregut shqiptar. E para, kur eksportohet nuk janë paguar taksat që duhet të ishin paguar. Dhe së dyti, ky është një krim ndaj ambientit sepse ai produkt është i ndaluar me ligj që të futet në tregun shqiptar, deklaroi Prifti në media.

ETLEVA DELIA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›