E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tuneli Tiranë-Elbasan, ikën Bechtel, në garë AKTOR

Të enjten kanë përfunduar procedurat e shqyrtimit të ofertave ekonomike, ku nga shtatë operatorë që paraqitën ofertat në datë 3 mars, vetëm pesë prej tyre kanë argumentuar si duhet ofertën e dhënë.
Dy kompanitë, Bechtel Enka dhe Mochlos, janë skualifikuar nga faza përfundimtare. Sikurse dhe dihet, konsorciumi amerikano-turk që ndërtoi tunelin e Kalimashit kishte bërë ofertën më të lartë, e cila arrinte në 81 për qind të vlerës së fondit limit prej 15.4 miliardë lekë. Të gjitha ofertat e tjera janë nën këtë nivel, ku më e ulëta është ofruar nga kompania greke AKTOR, me një vlerë 82 milionë dollarë. Duke pasur parasysh ofertat e dhëna nga operatorët, Drejtoria e Rrugëve si autoritet kontraktor kërkoi argumentim të ofertave, në mënyrë që të mos pranohen shifra që mund të ndikojnë në cilësinë e punimeve. Pas konsultimeve me kompanitë, pesë prej tyre kanë mbrojtur në mënyrë të qartë ofertat dhe kanë kaluar automatikisht në fazën përfundimtare. Për një javë, nga data 10 deri në datë 17 mars, ashtu sikurse e kërkon edhe procedura do të pritet nëse kompanitë e skualifikuara do të kenë pretendime dhe do të bëjnë animime, në të kundërt nga Drejtoria e Rrugëve do të vijohet me përzgjedhjen e fituesve.
Pesë kompanitë
Kompanitë që kanë kaluar në fazën e dytë, janë kompanitë greke AKTOR dhe AEG AK, kompania kroate Konstruktor, ajo italiane CMC Ravena dhe sllovenët e Tubau. Të gjitha këto kompani, pas mbrojtjes që i kanë bërë ofertave të tyre, të cilat kanë qenë mjaft të ulëta krahasuar me vlerën e fondit limit të vendosur, do të marrin përgjigjen për fituesin pas një jave. Tenderi për përzgjedhjen e kompanisë që do të ndërtojë tunelin e autostradës Tiranë-Elbasan, një nga sipërmarrjet më të rëndësishme të qeverisë, po kalon në disa faza duke i kushtuar rëndësi kushteve që plotësojnë kompanitë pjesëmarrëse. Në tenderin që u hap më 17 janar morën pjesë 26 kompani dhe u përzgjodhën 13 për fazën e dytë. Ndërkohë që më tre mars, vetëm 7 nga operatorët e përzgjedhur paraqitën oferta. Me zhvillimet e fundit vetëm pesë kanë arritur të jenë në fazën përfundimtare. Me tu shpallur fituesi, do të nënshkruhet kontrata ku kompania zotohet që të mbarojë punimet brenda 18 muajsh.

NERILA MAHO

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›