Nafta, bie çmimi në tregjet botërore, rritet në Shqipëri
Kriza ekonomike globale ka ndikuar pozitivisht të paktën në uljen e çmimit të naftës. Shifrat më të fundit flasin se nafta ka rënë me 30 dollarë për fuçi. Por kjo sa i përket tregut botëror, ndërsa në Shqipëri ulja e çmimit të naftës nuk është përcjellë akoma, ajo blihet me 180 lekë për litër.
Ula e çmimit
Çmimi i naftës në tregjet botërore ka shënuar vlerën më të ulët të tetë muajve të fundit duke zbritur në 96 dollarë për fuçi. Krahasuar me fillimin e prillit çmimi i naftës ka rënë me gati 30 dollarë për fuçi ose mbi 23 për qind. Kjo është një nga rëniet më të forta brenda një kohe të shkurtër, e shkaktuar nga përkeqësimi i situatës ekonomike botërore dhe rikthimi i shqetësimeve për thellimin e krizës. Përtej shkaqeve, rënia e çmimit të karburanteve, ka lehtësuar buxhetet e qytetarëve në gjithë Europën Perëndimore.
Shqipëria
Por në tregun shqiptar edhe këtë herë, rënia e çmimeve përveçse me vonesë është përcjellë vetëm pjesërisht. Në pikat me pakicë të tregut të brendshëm, çmimi i naftës luhatet rreth 180 lekë për litër dhe krahasuar me muajin prill ka rënë me gati 10 lekë për litër krahasuar me fillimin e prillit ose vetëm 5.2 për qind nga 23 për qind në bursa. Importuesit thonë se një nga arsyet se pse rënia e çmimit nuk reflektohet e plotë në tregun vendas lidhet me kursin e këmbimit të lekut me dollarin. Nafta blihet në dollar dhe forcimi i monedhës amerikane e bën atë më të shtrenjtë në lekë. Por përllogaritjet tregojnë se edhe efekti i dollarit nuk mund ta justifikojë plotësisht diferencës mes rënies së çmimit në tregjet botërore dhe atë që është pasqyruar në tregun vendas.
Kursi i këmbimit
Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, një dollar amerikan kushton aktualisht 6 lekë më shumë se sa në muajin prill dhe mars, që do të thotë se kostoja e blerjes për importuesit është rritur me vetëm 5 për qind. Pra të dyja, efekti i dollarit dhe rënia e çmimit në tregun vendas mund të shpjegojnë vetëm gjysmën e efektit që vjen nga rënia e çmimit në tregjet botërore. Nëse tregu shqiptar do të reflektonte plotësisht ecurinë e çmimeve në tregjet globale, çmimi i naftës duhet të kishte rënë ne qershor minimalisht me 20 lekë për litër, krahasuar me prillin, për sa kohë që importuesit nuk kanë pasur gjatë kësaj kohë rëndim të barrës fiskale apo ndonjë kosto shtesë. Çmimet e larta të karburanteve favorizojnë edhe vetë qeverinë, e cila mbledh më shumë të ardhura në buxhet, kryesisht përmes tatimit mbi vlerën e shtuar. Ndaj në gjithë këtë situatë më të pambrojturit janë qytetarët, të cilët paguajnë kostot e larta.
Zhvlerësohet euro, përfitojnë qytetarët që kanë kredi
Zhvlerësohet euro dhe forcohet dollari në tregun e këmbimit valutor në vend. Kriza në eurozonë dhe situata krejt e paqartë në Greqi, kanë ndikuar në dobësimin e monedhës europiane edhe në vendin tonë. Euro është zhvlerësuar në raport me lekun, ndërsa monedha amerikane ka fituar pikë. Euro në fundjavë arriti nivelin e 138 lekëve, 0.4 lekë më pak se çishte në fillim të kësaj jave. Ekspertët e këmbimit valutor thonë se dobësimi i euros është pasojë e zhvlerësimit të tij të vazhdueshëm në tregjet ndërkombëtare, sidomos kundrejt dollarit, ndaj të cilit ka pasur një javë tërësisht negative. Situata parashikohet të jetë e njëjtë, për sa kohë ende nuk është përcaktuar e ardhmja e Greqisë, nëse do të dalë ose jo nga eurozona. Euro mund të forcohet në tregun shqiptar, nëse Banka e Shqipërisë do të vendosë të ndërhyjë në tregun e këmbimit valutor, me qëllim mos zhvlerësimin e saj. Zhvlerësimi i vlerës së euros është një lajm i mirë vetëm për qytetarët që kanë marrë kredi në euro, pasi kështu kësti mujor do tu kushtojë më lirë. Ndërsa për eksportet dobësimi i euros do të thotë ulje e të ardhurave. Nga ana tjetër monedha amerikane, ka regjistruar javën më të mirë në tregun e këmbimit valutor. Që prej fillimit të javës dhe deri në mbyllje të saj, monedha amerikane nuk e ka ndalur forcimin e saj. Kulmin e ka arritur në fundjavë, duke kaluar kufirin e 112 lekëve. Një dollarë u këmbye në fundjavë me 112.66 lekë, pra 1.19 lekë më shumë se në fillim të javës. Të ndikuar nga informacionet mbi krizën në Greqi dhe mundësinë e daljes së saj nga zona euro, qytetarët shqiptarë kanë preferuar ti kthejnë kursimet e tyre në dollarë. Kjo ka rritur kërkesën për dollarë në treg dhe njëherësh ka rritur vlerën e tij në raport me lekun.