E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letërsia, maturantët kundër MASH: Testi pati pyetje jashtë programit

Pas testimit në Letërsi këtë të shtunë maturantët kanë shfaqur ankesa ndaj disa pyetjeve që përmbante teza e provimit. Fill pas provimit shumë prej tyre pohuan në media se testi kishte disa pyetje të cilat nuk i kishin hasur më parë gjatë konsultimeve apo programeve mësimore të shkollës së mesme. Një prej këtyre pyetjeve ishte pjesa që fliste për veprat e poetit Sharl Bodler.
Maturantët
Nëse Ministria e Arsimit foli për një test të nivelit mesatar, niveli ishte jo vetëm mbi mesataren, por pati dhe pyetje nga autorë, veprat e të cilëve nuk kanë qenë në kurrikulën e viteve të gjimnazit. Për këtë kërkojmë që pyetja për një nga veprat e Bodler të mos llogaritet në vlerësim, janë shprehur dje një grup maturantësh, ndërsa kanë zhvilluar një takim me zyrtarë të MASH, të cilët u thanë se do të gjendet një mënyrë për të zgjidhur këtë ankesë të tyre. Vlerësimin për pyetjen që ata e konsiderojnë si të pavend do ta korrigjojmë në mënyrë logjike, tha drejtori i arsimit parauniversitar Fatmir Vejsiu.
Protesta në Korçë
Ashtu si në Tiranë edhe në Korçë, 200 maturantë të  shkollës së mesme të përgjithshme Themistokli Gërmenji kanë organizuar një protestë duke kërkuar rishikimin nga Ministria e Arsimit të skemës së vlerësimit. Shumë nxënës, nga paniku që krijoi ndryshimi tre herë i tezës së provimit dhe së fundi dhënia e një pyetjeje jashtë programit mësimor të zhvilluar, shprehen se po privohen nga e drejta për të studiuar në degën e dëshiruar.

Shpjegues i vlerësimit të përgjigjeve në testin e lëndës
Gjuhë Shqipe dhe Letërsi, Matura SHtetërore 2012
Ndërkohë pasditen e djeshme MASH ka reaguar me anë të një njoftimi për shtyp dërguar për mediat, në të cilin shpjegon vlerësimin e përgjigjeve në testin e lëndës. Testi i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, për Maturën Shtetërore 2012, bazohet tërësisht në programin orientues, të publikuar nga MASH, në janar 2012. Në të sqarohet qartë se fragmentet e tekstit letrar, që do të bëhen pjesë e testit të gjuhës shqipe dhe letërsisë, do të merreshin nga veprat, lista e të cilave u publikua në të. Testi i Maturës Shtetërore 2012 përmbante poezinë Albatros të Sharl Bodler nga vëllimi poetik Lulet e së keqes, një fragment nga romani Kështjella i Ismail Kadaresë, të rekomanduara në programet orientuese, si dhe një tekst jo letrar, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Arsimit.
Vlerësimi
Më tej MASH vijon duke shpjeguar se: Testi shoqërohet me skemën orientuese të vlerësimit. Megjithatë, kjo skemë nuk është fikse. Në qoftë se përgjigja vlerësohet se përkon me logjikën e kërkesës së pyetjes, ajo vlerësohet pozitivisht. Kjo shprehet qartazi edhe pas çdo modeli përgjigjeje të pyetjeve të hapura në skemën e vlerësimit: Nxënësi do të marrë pikë edhe kur në përgjigjen e dhënë, jep një shpjegim që nuk e përmban modeli i përgjigjes, por që komisioni i vlerësimit e gjykon të saktë, thuhet më tej në njoftim.

Çfarë parashikon rregullorja për vlerësimin
Sipas MASH vlerësuesit, si detyrim që rrjedh nga Rregullorja e Maturës Shtetërore, përpara se të fillojnë vlerësimin, i nënshtrohen një procesi trajnimi të detajuar për përgjigjet e çdo pyetjeje të testit, ku synohet në sqarimin e tyre, veçanërisht përgjigjet e pyetjeve me interpretim të hapur. Në Rregulloren e Maturës Shtetërore, procesi i vlerësimit trajtohet si më poshtë:

Në rastet kur ka mospërputhje të vlerësimit, midis dy vlerësuesve të pavarur, përgjegjësi i vlerësimit së bashku me një vlerësues tjetër kryejnë vlerësimin përfundimtar. Pas këtij vlerësimi, pikët për çdo kërkesë të testit pasqyrohen në tabelën përmbledhëse në faqen e parë të testbroshurës dhe firmosen nga të katër vlerësuesit e testit. Qëllimi i këtij sistemi korrigjimi është që të vlerësohet sa më saktë çdo përgjigje që ka dhënë maturanti/ja edhe pse si formulim mund të mos jetë e njëjtë me atë të të dhënë në çelësin e përgjigjeve të testit, të përgatitur nga autorët e tij.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›