E Diel, 1 Nëntor 2026

Plagoset rëndë me kaçavidë në burgun e Lezhës kryekomunari Muja

Vetëm pak ditë pas arrestimit të tij, është plagosur në ambientet e burgut të Shën-Kollit në Lezhë kryetari i Komunës Rrethina e Shkodrës. Sipas të dhënave nga policia mësohet se 38 vjeçari është qëlluar me kaçavidë në fyt, nga një tjetër i burgosur duke i shkaktuar atij plagë të rënda. Kryekomunari mësohet se është plagosur nga shtetasi, Xheladin Kruja, 33 vjeç me një kaçavidë. Të dy palët mendohet se kanë pasur një hesap të vjetër dhe për këtë shkak i burgosuri Kruja e ka plagosur rëndë ish kryekomunarin që ishte dënuar për trafik të lëndëve narkotike.
Motivet e plagosjes, hesape të vjetra
Sipas policisë ende nuk janë të qarta motivet e zënkës mes tyre, por nga të dhënat e para dyshohet se të dy shtetasit kanë patur një konflikt të vjetër. Kryekomunari Muja është transportuar për në Spitalin Ushtarak ku po merr edhe ndihmën, pas plagëve të marra në kokë. Gjykata e Shkodrës vendosi dy ditë më parë masën e sigurisë arrest me burg për 40 ditë, për kreun e komunës Rrethina, Kleves Muja. Pas shqyrtimit të provave shkresore në ngarkim të 38-vjeçarit, togat e zeza vendosën ta lënë atë në burg brenda afatit ligjor 40 ditë, kur duhet të kryhen edhe procedurat për ekstradimin e tij në Itali.
Arrestimi i kryekomunarit Muja
Kleves Muja, 38 vjeç, është arrestuar papritur mesditën e 1 qershorit, ndërsa zbriste i qetë nga makina e tij, në qytetin e Shkodrës. Policia e Shtetit e bëri të ditur këtë fakt nëpërmjet një deklarate për shtyp, sipas së cilës, Muja kërkohej nga shteti italian prej 2 vitesh.  Arrestimi i Kleves Mujës, i zgjedhur në krye të komunës Rrethina një vit më parë, nën siglën e Aleancës për të Ardhmen u krye nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Shkodër, në bashkëpunim me Drejtorinë e Bashkëpunimit dhe Koordinimit Ndërkombëtar në Policinë e Shtetit. Uniformat blu në aksion kishin në dorë fletën e urdhrit të arrestit, lëshuar për 38-vjeçarin nga Interpol Roma në momentin kur e kanë prangosur 38 vjeçarin. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Shtetit, mësohet se autoritetet italiane të Drejtësisë në qytetin e Barit kanë lëshuar ndaj Mujës urdhër-arrestin ndërkombëtar në datën 29 tetor 2010. Ndaj tij rëndon akuza e veprës penale të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, parashikuar nga nenet 309/90, si dhe nenet 81 dhe 110 të Kodit Penal italian.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›