E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nafta jonë në emergjencë

Sociale_Aktualitet_Nafta_puste_810553201Nga ing. Ahmet Çollaku

Vite më parë në një qytet jetonte një njeri që bënte vetëm  prapësi. Kur ai ndjeu se po i vinte fundi, do vdiste, la amanet që litarin e qivurit tia linin jashtë. Ai vdiq dhe me litarin u bë siç desh ai, gjysma në gropë e gjysma tjetër mbi tokë Po megjithëse i vdekur, prapësitë e tij nuk mbaronin. Aty pranë  kalonte rruga dhe njerëzit sa herë që ecnin, pengoheshin tek litari dhe rrëzoheshin. More, nisën të flasin njerëzia, nuk u ngop ky me prapësitë kur ishte gjallë po edhe i vdekur nuk do të na lërë rehat? Kështu po ndodh edhe me Berishën…

Nafta jonë, tani për tani është një ekuacion i vështirë. Si paratë, edhe të dhënat e naftës fshihen nëpër xhepat e berishistëve, të cilët janë nga të gjithë krahët. Berishistët i janë ngjitur edhe z.Rama dhe shtiren se do të jetojnë si  siamezë. Berisha me kompani po bëjnë gjithçka që nafta të mos dokumentohet, po jep viza për jashtë, po falsifikon grafikë, lë ca fotokopje gjoja si origjinale. Berisha duhet të raportojë në parlamentin shqiptar në çgjendje po e lë industrinë e naftës, si janë katandisur studimet e naftës

Kërdia më e madhe po bëhet sidomos nëpër administratat e kompanive të huaja koncesionare, të cilët kanë vënë në lëvizje  emra të tjerë, të dhëna të tjera. Nafta po kalon nga politika demokratike, në politikën socialiste. Po cilët do të jenë ata që do të marrin këta inventarë? Specialistët, deputetët, këshilltarët e z.Rama apo këshilltarët e ministrit? Apo asnjëri?! Nafta jonë është në pavijonin e emergjencës, nuk pret më. Është në gramat e fundit! Çfarë bëhet në zyrat e AKBN-së, AKHN-së, në METE-e? Tani kjo Shqipëri e uritur dhe e turpëruar para botës, që vret në mes të ditës njerëzit e saj, nuk ka kohë të presë Venizelosin e Greqisë. Nëse kjo qeveri do të luajë ping-pong me detin tonë, atëherë mos ngelet shqiptarë në këmbë.

Kompanitë e huaja në Shqipëri, që merren me  naftën, janë shtete  autonome. Pa më thoni, cilët janë drejtuesit realë të këtyre kompanive? Klikoni në internet, keni për të gjetur disa gjoja specialistë super të kualifikuar që krekosen nëpër ato faqet e lira. Asnjë lloj informacioni apo e dhënë nuk po i jepet këtij populli.

Nëse z.Rama, këto procese kontrolli dhe menaxhimi do nisë ti bëjë pasi të vërë në kokë kurorën, Shqipërinë e mori lumi. Ai duhet të zgjedhë sa më parë specialistët që do marrin këto kontrolle, specialistë të ndershëm, pa parti. Po fatkeqësisht specialistë të tillë janë të rrallë, prandaj ai duhet te mendojë mirë ku të vërë dorë dhe ti marrë sa më shpejt. Nesër do të jetë shumë vonë, nesër problemet do të ngatërrohen më shumë.  Tani për tani nuk është koha për CV,  tani jemi në një luftë të ftohtë, të egër, dinake, kush ta vjedhë Shqipërinë më shumë nga deti, nga qielli, ta lërë pa një pikë nafte, pa kandila dhe pa llamba vajguri. Kjo forcë e re politike dhe administrative me kohë të kishte hapur rubrikën OPINIONE, ku gjithë specialistët e naftës, me titull e pa titull, me CV-i e pa CV-i, do tregonin rrugët çfarë duhet bërë me naftën shqiptare. Nëse ju nuk e hapni sa më shpejt këtë rubrike, ju do të përfundoni si Berisha.  Pra, ato CV-të që thoni ju, nuk i zgjidhin problemet e naftës, përkundrazi ato do ta komplikojnë punën më shumë. Nëse CV-të do të ishin zgjidhje, atëherë përse këta të huajit bashkë me tanët me CV të arta, për njëzet vite nuk kanë zbuluar asnjë vendburim nafte? Përgjigjen ua jep prof. Alfred Frashëri në një shkrim të artë botuar tani afër në shtypin shqiptar. Po a e ka marrë z.Rama mundimin ta lexojë, apo ka në agjendë vizitat jashtë shtetit? Problemet e naftës shqiptare janë më të rëndësishme se vizitat e tij jashtë shtetit.

Pra, kjo Shqipëria ime dhe e juaj, po vidhet si kurrë ndonjëherë tjetër sepse, si komunizmi, edhe berishizmi nuk ka për tu kthyer më në këtë vend sado investime të bëhen nga brenda dhe nga jashtë. Çdo ditë nxirret dhe vidhet naftë. Kalimi nga PD në PS është shkatërrues, me përmasa të mëdha, që pa dyshim do të lërë shumë viruse të tmerrshme. Kështu, në këtë kohë gjoja kalimtare, Berishës i jepet mundësia të bëjë kërdinë, tia lërë fajin zyrtarisht PS-së, kurse ne popullit fletoret e borxheve të brendshme dhe të jashtme. Po shitet ARMO, bota po na hedh plehrat e VC-ve

Kryetari i ri i shtetit tonë nuk duhet te vijë rrotull nëpër botë, nuk ka përse të kërkojë kredibilitet, sepse e gjithë bota  na njeh mirë kush jemi. Nëpër botë nuk ka panaire shqiptare, ka keqardhje. Ky shef i ri duhet të veshë çizmet, të thërrasë specialistët dhe të zbresë nëpër vendburimet e naftës shqiptare, të shikojë si funksionojnë mushkëritë e Shqipërisë. Kjo është detyra e tij e parë!! Ajo e Toni Blerit, e Turqisë, Italisë, Greqisë dhe me radhë, janë për kohën e lirë, nëse ka kohë të lirë. Sikur lajmet shqiptare të shkruanin se z. Rama vizitoi vendburimin e Cakranit, Gorishtit, Delvinës,  Marinzës apo të  Kuçovës, gjithë shqiptarët do ti luteshin Zotit të madh që atij jeta ti bëhej një mijë, sepse nafta jonë është pasuri shqiptare në tokën shqiptare, është dhuratë që na ka falur Zoti. Shqipëria do të nisë të ngrihet më këmbë nëse z. Rama do anulojë gjithë vizitat e planifikuara jashtë dhe ato marrëveshjet koncesionare, do të anulojë ato bankete qeveritare, do të shkojë të shikojë ku është nafta, kromi, bakri, hekuri, floriri…

Në minierën e Bulqizës çdo ditë shuhet një shqiptar, kurse në fushat e naftës çdo orë rrëzohet një kullë nafte a boshatiset një rezervuar nafte. PS-ja merret vetëm me konstatime, kurse ata  të graduarit e naftës tonë, profesorë, doktorë e me radhë,  kanë rënë në gjumë të rëndë.

Pyesni Berishën sa nuk është rrëzuar për tokë fizikisht, a ka parë ndonjë vendburim nafte shqiptare? Ai në kohen e tij nuk pa asnjë vendburim nafte, lëshoi vetëm ca fjalë që i mori era. Ju të PS-së i lini ato kostume të reja, mos hidhni parfume, shkoni vizitoni vendburimet e naftës tonë, kështu ky popull do tu mbajë në krahë. Shkoni shikoni  me sytë tuaj kush i administron ato vendburime, dëgjoni ulërimën e vulfave, dëshmitarë si vidhet nafta shqiptare.

Ne duam që kjo skuadër e re të na thotë sa naftë marrin të huajt nga gjithë vendburimet e naftës shqiptare, të gjejë sa më parë  specialistët gjeologë-gjeofizikë-shpuesa-prodhuesa-përpunuesa, ata që do të hartojnë projektet e para pas komuniste dhe berishiste. Nafta në Cakran, Gorisht e me radhë, nuk ra nga qielli Ka vite që pret nafta në Pekisht, Galush, Elbasan, Papër, Rovë, Petrelë, Tiranë, Depresioni i Tiranës, radhën do ta vazhdojnë gjeologët Dhimitër Gjenerali, Engjëll Përrenjasi, Kadri Rama, Vangjel Kiçi, Telo Velaj, Alfred Frashëri, Ziver Meko dhe shumë të tjerë

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›