E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nafta kapërcen 74 dollarë për fuçi

Nafta përparoi për të dytën ditë dhe kapërceu 74 dollarët të enjten, pasi të treguesit e fuqishëm ekonomikë amerikane riinjektuan njëfarë besimi në tregjet financiare dhe sinjalizuan një rënie të mundshme të depozitave të karburantit në vendin më të

madh konsumator të globit. Optimizmi nga shifrat-surprizë të forta të shitjeve të shtëpive në SHBA dhe rritja dyshifrore e shitjes së automjeteve në këtë vend, bënë që treguesi japonez Nikkei të pësonte një rritje të ndjeshme. Këtë rritje e ndihmoi edhe dobësimi i dollarit, i cili ra me më tepër se 0,3 % në raport me shportën e valutave të tregtisë. Çmimet e naftës bruto amerikane për korrikun u rritën 1,47 dollarë në kuotën 74,33 dollarë për fuçi. Nafta Brent e Londrës u rrit 1,3 dollarë në 75,05 dollarë për fuçi. Depozitat e naftës bruto në SHBA ranë më tepër se sa pritej, me 1,4 milion fuçi javën e kaluar, tregonte raporti i Institutit Amerikan të Naftës të mërkurën. Depozitat e benzinës u shkurtuan me 962 mijë fuçi, ndërsa ato të distilateve u rritën me 852 mijë fuçi. Kjo rënie depozitash pritet të konfirmohet edhe nga raporti zyrtar që publikon të enjten pasdite, me një ditë vonesë, Administrata amerikane e Informacionit për Energjinë.

Greqia, gati privatizime masive
Greqia publikoi planet për shitjen e aksioneve shtetërore që ka në kompanitë publike. Këto plane të privatizimeve të mëdha janë pjesë e programit qeveritar, për të rregulluar bilancin negativ të financave publike. Greqia planifikon gjithashtu të shesë edhe pjesë të aksioneve të bizneseve shtetërore me probleme, por është vendosur që ofertat të fillojnë në një fazë të dytë. Analistët e mirëpritën vendimin qeveritar, por shtuan se shitja e aseteve të palistuara në bursë dhe se nëse do të realizohet, vlera do të jetë shumë e vogël krahasuar me borxhin 310 miliardë euro të Greqisë. Privatizimi është pjesë e marrëveshjes së ndihmës me Bashkimin Europian dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, që në këmbim të ndihmës 110 miliardë euro, kërkuan nga qeveria të sigurojë në periudhën e ndihmës 2011-2013, një miliardë euro nga privatizimet për çdo vit. Si pjesë të planit qeveria do të shesë 49% të aksioneve në hekurudhën greke, 39% të aksioneve në kompaninë shtetërore postare, 23% të kompanisë së Ujit të Selanikut  si dhe 10% të aksioneve të Ujësjellës Kanalizimeve të Athinës.

Bankierët, oferta për bankat greke
Sipas një bankieri investimesh në Turqi, dy banka greke janë ofruar për tu shitur tek turqit dhe janë pranë marrëveshjeve. Projekti është në hapat e parë por po ecën me ritme të shpejta. "Ne kemi marrë të drejtën nga një bankë e mesme greke, për të kërkuar një blerës potencial," tha për Reuters, Erol User, Shef Ekzekutiv i Bankës turke të Investimeve, USER Corp. Ai nuk identifikoi bankat greke që dëshirojnë të shiten, por shtoi se njëra është bankë e vogël me 23 degë, ndërsa banka tjetër është e mesme me 300 degë dhe njëra prej tyre ka operacione jashtë territorit grek. Proton dhe First Business Bank janë bankat e vogla, por zyrtarët e tyre thanë se nuk janë në shitje. Ndërsa banka me 300 degë në Greqi dhe me aktivitet në disa vende të Ballkanit, është Emporiki Bank në pronësi të Credit Agricole, me një vlerë në treg 1.65 miliardë euro. Edhe zyrtarët e Emporiki thanë se banka nuk është në bisedime për tu shitur, por po vijojnë me zbatimin e planeve të biznesit. Kriza e borxheve po preson fort sektorin bankar grek, për shkak të rritjes së kredive të këqija dhe detyrimit për ruajtjen e cilësisë së kapitalit bazë.

Last Updated on E Enjte, 03 Qershor 2010 21:06

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›