Mirush Kabashi: Më vjen keq, që e arrita kaq vonë Koleksionin e përhershëm
Premiera Koleksioni i përhershëm me regji të Clarence Gilyard do të vijë në skenën e Teatrit Kombëtar premierë të shtunën në mbrëmje. Koleksioni i përhershëm, do të jetë dhe premiera e fundit për këtë sezon në skenën teatrore. Drama e amerikanit Thomas Gibbons,
ngjit në skenë emra të njohur të teatrit. Mirush Kabashi, Tinka Kurti, Fatos Sela, Ema Andrea, Esmeralda Metka do të vijnë para publikut, por bashkë me ta në skenën shqiptare do të ngjitet për herë të parë edhe një aktor e regjisor afro-amerikan, si Clarence Gilyard. Ky i fundit ka qenë dikur aktor i filmave aksion të Hollivudit, ndërsa vitet e fundit i është përkushtuar mësimdhënies dhe teatrit. Pjesa e zgjedhur do të vijë në dy gjuhë, anglisht dhe shqip, ndërsa premiera do të jetë mbrëmjen e së shtunës për të vijuar dhe të dielën. Aktori i njohur Mirush Kabashi tregon se puna me këtë vepër është një eksperiencë e veçantë në karrierën e tij si aktor. Ndjehem i privilegjuar që jam në këtë vepër. E konsideroj një eksperiencë unike në karrierën time si aktor. Më vjen shumë keq që këtë unë e arrita pas kaq vitesh, e kam arritur shumë vonë, theksoi ndër të tjera aktori, i cili në këtë vepër vjen dhe si bashkëregjisor. Duke e cilësuar punën me regjisorin Gilyard si shumë të vlefshme, Kabashi pohon se ndjen keqardhje për ata regjisorë apo studentë të rinj, që nuk ishin të pranishëm gjatë provave, duke humbur një rast i cili shumë rrallë mund të ndeshet në teatrin shqiptar. Ndjej një keqardhje të madhe, për të gjithë ata studentë të regjisë, apo regjisorë që janë akoma në fillim të karrierës së tyre, që nuk erdhën të ndiqnin provat, pasi eksperienca në këtë vepër është shumë e rëndësishme, cilësoi ndër të tjera aktori Kabashi. Kjo pjesë, e cila do të jetë e ndërthurur shqip dhe anglisht, nënvizon rolin e rëndësishëm të artit në zgjidhjen e konflikteve të racave dhe klasave. Sipas regjisorit Gilyard, shqiptarët dhe amerikanët janë të etshëm për progres, e nëpërmjet kësaj shfaqje publiku duhet të njohë që ata luftojnë për të mbrojtur shoqëritë e shëndosha përmes artit. Gilyard vlerëson shumë bashkëpunimin me artistë shqiptarë. Unë jam 54 vjeç tani dhe më jepet mundësia të drejtoj njerëz që flasim një gjuhë, që unë nuk e kuptoj, por kur punoj me ta unë reagoj ndaj vërtetësisë së gjuhës dhe sjelljes gjithashtu. Në eksperiencën time unë kam mësuar të fokusohem në mënyrë unikale tek artistët, pasi unë bashkëbisedoj me ta dhe reagoj ndaj tyre. Ju duhet të bashkëpunoni me këta artistë, sepse ju jeni shumë të pasur dhe ky kast është i mrekullueshëm. Unë jam një minator që gërmoj miniera dhe gjej thesare tek aktorët shqiptarë, tha Gilyard, regjisor. Në këtë premierë rikthehet pas 20 vjetësh në TK dhe skenografi Bashkim Zahaj. Përkthyer nga Pirro Dollani, nën regjinë e Clarence Gilyard dhe as/regjisoren Adriana Tolka në skenë pritet loja e disa prej emrave më të njohur të skenës shqiptare.
Çfarë sjell Koleksioni i përhershëm?
Drama e Thomas Gibbons Koleksioni i përhershëm ka si objekt artin. Është forca dhe roli që arti luan në zhvillimin e një shoqërie të shëndoshë. Gjatë 90 minutave, që publiku është i mbërthyer në dramë, aty trajtohen çështje dhe probleme që lidhen me shoqërinë, pushtetin, vlerat, integritetin dhe frikën. Në skenë na jepen imazhe të veprimeve në muzetë të vizituara nga qindra njerëz nga të gjithë sferat e jetës, që shprehin opinione të menjëhershme e të ndryshme ose të panjohura për ta ose për njerëzit e tjerë në kohëra të ndryshme. Këto opinione herë janë të shprehura e herë jo. Kjo dramë përdor këto imazhe, që janë kaq të njohura për ne që të na tërheq, të na i bëjë ne të këndshëm një nga demonët me të këqij të qenies njerëzore. Që të jemi vigjilente dhe të gatshëm për ta larguar shpirtin e keq të quajtur racizëm, dhe që ne e dimë që nuk ka të bëjë vetëm me ngjyrën e zezë dhe të bardhë. Marrëdhëniet dinamike të dramës dhe përplasjen e ideve të saj, me konfliktet dhe intrigat e detyrojnë audiencën moderne, që të pozicionohet në aleancat kulturore dhe konfliktet mes njerëzve.
Nga Julia Vrapi