E Shtunë, 31 Tetor 2026

Naftëtarët mashtrohen nga qeveria pas privatizimit të ARMO, dalin në protestë

Naftëtarët e reformuar për të disatën herë radhazi kërkojnë të drejtat e tyre përpara institucioneve të prefekturës së rrethit Fier. Kanë qenë rreth 50 ish-punonjës të Kombinatit të Përpunimit të thellë të naftës, të cilët kanë protestuar për më shumë se katër orë përpara godinës së prefekturës së këtij rrethi. Arsyeja e kësaj proteste ka qenë mosmarrja e rrogave të premtuara nga vendimi i qeverisë pas reformës që preku këta punëtorë, reformë kjo e ndërmarrë në kuadër të privatizimit që iu bë kompanisë ARMO. Për të shmangur ndonjë incident të mundshëm Drejtoria e Policisë kishte marrë masat paraprake, ku kishte dërguar një furgon policie dhe uniformat blu për të qenë në gatishmëri. Prej afro dy orësh ata kanë pritur që të zhvillonin një takim me prefektin e qarkut, Shahin Bejdaj, i cili i ka pritur dhe shpjeguar disa herë rreth procedurave që duhet të ndiqen në rrugë ligjore për përfitimin e kësaj  të drejte. Parrullat e hedhura nga protestuesit kanë qenë në kërkim të parave që u janë privuar. Ne kemi sakrifikuar për këtë kombinat nafte dhe sot nuk po marrim lekët tona. Skemi lekë të ushqyer fëmijët tanë, kanë theksuar ata. Protesta e tyre ka vazhduar për rreth 4 orë ndërsa kanë deklaruar se nëse nuk zgjidhet problem i tyre ata do të  bllokojnë rrugën nacionale si dhe kanë paralajmëruar fillimin e një greve urie.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›