E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nallbani hedh "dorashkën": Dinamo kujdes!

Derisa mundësia matematike të mos ekzistojë më, Tirana do të vazhdojë të besojë se mund të fitojë titullin kampion të këtij sezoni. Vazhdimësia e rezultateve pozitive në këto ndeshjet e fundit i ka bindur të gjithë se bardheblutë, e kanë hedhur tashmë parpa krahëve krizën e fillimit të sezonit dhe po shikojnë drejt kreut të renditjes, ku gjendet Dinamo. Diferenca prej 9 pikësh me kryesuesit nuk është e vogël, por gjithsesi, kur mendon se kampionati është i gjatë, shpresat për një përmbysjeje në klasifikim janë legjitime. Nga ana tjetër, 24 herë kampionët e Shqipërisë, njëkohësisht edhe mbajtësit në fuqi i kurorës së kampiones së vendit, i mëshojnë fort pistës së rikonfirmimit edhe sepse nuk i përjashtojnë hapat e mundshëm falsë të Dinamos në pjesën e mbetur të edicionit të sivjetshëm futbollistik shqiptar. Veteranët janë ata që kanë vendosur ta karikojnë skuadrën e tyre për të dhënë maksimumin, pasi gjithçka është e mundur. Ndër më kryesoret është Blendi Nallbani, portieri bardhelu, i cili prej vitesh militon në radhët te kampionët. Sipas gardianit, lufta për titull është më se e hapur. "Ka ende dhe shumë ndeshje për t‘u luajtur deri në fund të sezonit nënvizon portieri i Tiranës. Gara për titullin është e hapur dhe ne nuk përjashtohemi nga kjo luftë. Objektivi ynë është të japim maksimumin për të rikuperuar diferencën prej 9 pikësh me Dinamo". Sipas mbajtësit të numrit "Një" te Tirana, rivalët e tyre kryeqytetas kanë zhvilluar një pjesë të parë të mirë të sezonit deri tani dhe e meritojnë plotësisht kreun e tabelës. Në përballjen direkte në derbi me Tiranën, blutë morën një fitore 2-1, e cila u dha mundësinë kështu të mbajnë larg një prej kundërshtarëve më të ashpër në garën për titull. Nallbani thekson se "Dinamo ka gabuar pak gjatë kësaj kohe, prandaj është në krye". Për portierin që në çdo hap të karrierës së tij është karakterizuar nga grinta e madhe që e shoqëron, e vlerëson skuadrën e Shkëlqim Muçës, por shpjegon se është ende herët për të folur për një shkëputje përfundimtare të Dinamos. Sipas tij, nëse Tirana bën lojën e saj, i ka të gjitha mundësitë ta arrijë dhe ta kalojë. "E respektojmë, shton më tej Nallbani, por kampionati ka ende shumë ndeshje. Nëse arrijmë e fitojmë të gjitha ndeshjet, besoj se mund t‘ia dalim". Në momentet e vështira që bardheblutë kanë kaluar 6-7 javët e para të 2009-2010, për të mbajtur disi ritmin, ka kontribuar edhe vetë portieri, i cili u bë protagonist i fitores 1-0 që të tijtë morën ndaj Skënderbeut në javën e dytë, duke shënuar në minutat shtesë nga pika e 11-metërshit. Këto ishin tri pikët e para për Tiranën në këtë sezon. Vetë portieri rrëfen se "Jam i gatshëm gjithmonë që të vijoj të sakrifikoj për Tiranën". Edhe pse java në vazhdim është pushim për shkak të impenjimit të Kombëtares në miqësoren me Estonin, bardheblutë vazhdojnë stërvitjen me një grup të përgjysmuar lojtarësh, pasi gjysma e skuadrës (kryesisht titullarët) nuk është në stërvitje, një pjesë e tyre janë në kombëtare, ndërsa disa kanë marrë pushime, e disa të tjerë janë të sëmurë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›