E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Binomi PBDNJ-OMONIA ka dështuar"

Ish-deputeti i OMONIA-s Panajot Barka, komenton në një intervistë për "Shqip" përplasjen e fundit brenda minoritetit grek dhe paralajmërimin për krijimin e një "OMONIA 2". Barka e cilëson konfliktin brenda minoritetit si një ‘luftë‘ që bëhet midis grupimeve politike në lidershipin e OMONIA-s dhe të PBDNJ-së me sistem referimi partitë politike qeverisëse në vend.

Zoti Barka, kohët e fundit është parë një përçarje mes anëtarëve të OMONIA-s për ta ndarë atë në dy drejtime. Njëra palë mendon ta kthejë këtë organizatë në parti etnike me bazë greke, ndërkohë që një pjesë tjetër kërkon krijimin e "OMONIA 2". Cili është gjykimi juaj për këtë?

Kam përshtypjen se zhvillimet e tanishme në OMONIA janë produkt i një realiteti tjetër. Kryesore është se ato nuk e prekin masën e anëtarësisë së OMONIA-s, d.m.th, të minoritetit etnik grek. Prekin atë grupim të ngushtë politik nga minoriteti që realisht dhe me tërë kuptimin e fjalës kanë uzurpuar udhëheqjen e OMONIA-s dhe të PBDNJ-së. Realizimi i këtij uzurpimi u shoqërua me proces përçarjeje të minoritetit etnik grek me pikë referimi bindjet politike dhe aspak etnike. Ky proces determinohej nga raporti që ky lidership vendoste me politikën e Tiranës. Kishte fituar të drejtën që në emër të minoritetit etnik të kalonte nga e majta në të djathtën, d.m.th, nga anonte peshorja e pushtetit politik, qeverisja dhe shpallte kundërshtarë e deri në armiq të gjithë ata anëtarë të minoritetit grek që nuk pajtoheshin me të. Realitetet e tanishme në OMONIA-PBDNJ lidhen me humbjen e toruas politike për të nuhatur fitimtarin nga lidershipi i tyre. Kjo do të thotë se Vangjel Dule, si njeriu absolut në vendimmarrjen e PBDNJ-së dhe OMONIA-s, në një moment të caktuar e humbi këtë kontroll. E humbi se Berisha nuk i besoi më atij rolin e primatit në aleancat politike me minoritetin, por investoi në elementë të tjerë politikë brenda këtij lidershipi, siç ishin Ksera, Barka (Kosta) apo edhe Bollano. Kjo bëri që PD-ja, duke shfrytëzuar edhe pushtetin politik, të krijojë për herë të parë brenda në minoritet krahun e saj politik. Por ndryshe nga PS-ja, krahu politik i PD-së u krijua si shkëputje nga OMONIA-PBDNJ. Nga ana e vet, Vangjel Dule, i bindur se në zgjedhjet e qershorit do të fitonte PS-ja, bëri aleancë me të. Shpresonte që me një gurë të vriste dy zogj. Dhe të shkonte me fitimtarin, pra të përfitonte nga byreku i pushtetit si zakonisht edhe të hiqte qafë "renegatët" që guxuan të dalin nga vatha e PBDNJ-së pa lejen e tij. Pra shihet që kemi veprime politike të një grupi politikanësh nga minoriteti në përshtatje me interesat e partive politike qeverisëse në Shqipëri. Ky interesim nuk lidhet aq me forcën politike të minoritetit, se sa me raportet që Tirana zyrtare kërkon të ketë me Athinën dhe me faktorin ndërkombëtar. Duke kontrolluar "lidershipin" e minoritetit, me anë të dhënies për shfrytëzim atij të një pjese të pushtetit të tyre qeverisës, partitë politike në Tiranë e kanë zgjidhur problemin për plotësimin e kërkesave për të drejtat etnike të këtij minoriteti. Edhe ky lidership e ka kuptuar këtë vlerë, ndaj dhe shpesh për të rritur peshën e pushtetit qeverisës në kontrollin e tij vë në pazar këto të drejta. Pra thelbi i përçarjes qëndron te fakti se partitë politike qeverisëse në Tiranë, konkretisht PD-ja kërkon që krahu i saj politik në minoritet të kontrollojë edhe përfaqësimin politik të minoritetit OMONIA. Pjesa e mbetur e lidershipit të OMONIA-s nuk lëshon pe, madje ka bërë dhe aleancë të fshehtë me krahun politik të PS-së në minoritet, (deri dje armiq për vdekje) për të përballuar të djathtën. Dhe kulmimi i kontradiktës lidhet me faktin se të dyja grupimet, duke u mbështetur te teoria e faktit të kryer, duan që t‘i japin fund çështjes së riuzurpimit të OMONIA-s para se qeveria e re në Athinë të rikujtohet për zhvillimet politike në trase demokratike në minoritet, të iniciuara nga Ministria e Jashtme greke para dy vjetësh dhe të sabotuara po nga ky lidership. Pra, ata e dinë se qeveria e re greke do të bashkëpunojë dhe do të njohë atë grupim që zotëron de fakto udhëheqjen e OMONIA-s, pavarësisht se si ai erdhi në pushtet. Ato që sot dëgjohen si kërkesa për parti me bazë etnike të minoritetit apo për krijimin e OMONIA-s nr.2, përbëjnë shprehje të kësaj përçarjeje. Çdo grupim për të ardhur në pushtet në OMONIA, (ajo është baza dhe forca politike e minoritetit) kërkon tani të mbështetet në shqetësimet e shprehura në minoritet për zgjidhje të reja politike, pasi prova e gjatë me binomin politik OMONIA-PBDNJ ka dështuar totalisht. Në fakt, ky lidership i dështuar dhe i përçarë kërkon tani të përvetësojë shqetësimin real të minoritetit të përkrahur edhe nga Athina për të mbijetuar politikisht. Në fakt po riciklon krizën e thellë politike dhe etnike në minoritet, të shkaktuar nga vet ky lidership.

Krijimi i një partie të re me funksion të ngjashëm me PBDNJ-në a ka gjasa që ta sfumojë atë?

PBDNJ është një parti e vetësfumuar, pasi ajo formalisht pretendonte se përfaqësonte politikisht minoritetin etnik grek. Në përmbajtje ajo ishte një parti mbarëshqiptare, ku përfshihej edhe minoriteti, ose abuzohej në të gjitha nivelet me këtë fakt. Si e tillë ajo dublonte në formën më të keqe pjesën e programit politik të partive të tjera, madje edhe qeverisëse, që i kushtohej të drejtave të njeriut dhe të pakicave etnike e kulturore. Njëkohësisht i lehtësonte këto parti që të mos kujtoheshin kurrë për këto të drejta, pasi këtë barë e kishte marrë vullnetarisht PBDNJ. Nga ana tjetër, duke qenë një parti në pushtetin e së majtës dhe të së djathtës, për mbi 15 vjet ajo humbi totalisht edhe fijen e fundit të së drejtës për të luftuar për këto të drejta. Fakti që sapo zyrtarisht nuk është pjesë e pushtetit ekzekutiv e çoi në përçarje, flet qartë se ajo mbahej në këmbë nga lëmosha e pushtetit politik, për t‘i shërbyer atij dhe jo të drejtave të minoritetit grek apo të drejtave të njeriut në përgjithësi. Tani lindja e një partie me baza etnike nuk është ndonjë hata e madhe, përderisa, siç e thamë, ideatorët e kësaj nisme, nuk kanë për bazë programin politik dhe shqetësimet reale politike dhe etnike të minoritetit, por mbijetesën politike të atyre grupimeve që ia ka ndierë vlerën qeverisjes. Por mund të ndodhë që konkurrenca për mbijetesë midis dy forcave politike që pretendojnë pak a shumë të njëjtin elektorat të sjellë edhe vlera politike në favor të interesave politike dhe etnike të minoritetit, me pasojë pozitive rritjen e peshës politike të këtyre partive.

Kritikat e disa eksponentëve të OMONIA-s ndaj PBDNJ vijnë si pasojë e përçarjes brenda minoritetit apo nga pakënaqësia e ndarjes së aleancës mes PD dhe PS?

Lufta bëhet midis grupimeve politike në lidershipin e OMONIA-s dhe të PBDNj-së me sistem referimi partitë politike qeverisëse në vend. Në zgjedhjet e fundit parlamentare u materializua një ndryshim i projektuar me kohë nga Berisha, por që i shkonte për shtat dhe vet realitetit dhe gjendjes në udhëheqjen e pazgjedhur nga asnjë forum të OMONIA-s dhe PBDNj-së. Iu dha fund pushtetit absolut të Vangjel Dules. Bashkëpunëtorë të tij, të cilët iu ngjiten majës së piramidës, duke iu servilosur Dules në mbështetje të arbitraritetit të tij politik, me mbështetje politike dhe ekonomike të Berishës, i dhanë fund të kënaqurit me ato që vendoste Dulja dhe kërkuan rol të pavarur në vendosjen e aleancave politike.

Megjithatë, për asnjë çast nuk duhet të harrojmë se nga ana e tij minoriteti etnik grek harxhoi në vite shumë energji për rrëzuar këtë kastë politike. Por ndërkohë që po gjente forma dhe mënyra për ta rrëzuar, pak mendonte për mënyrën e zëvendësimit dhe rikuperimit të së keqes së madhe të kultivuar po ndër vite. Dhe kjo flet për rrezikun real të së ardhmes politike në minoritet.

Një ditë më parë, sekretari i përgjithshëm i PBDNJ-së, zoti Solis, tha se nuk ka një konflikt brenda OMONIA-s, por një tentativë jashtë saj e nxitur nga parti politike që kërkojnë ta kthejnë këtë organizatë në sindikatë. Mendoni se brenda minoritetit po fusin duart dhe hundët partitë politike?

Kjo që thotë zoti Solis nuk është një konstatim i ri. Ky proces ka ndodhur ndër vite dhe tanimë konsiderohet një cikël i përfunduar dhe i mbyllur. Minoriteti grek ka kohë që ka dhënë mesazhet e veta reaguese dhe siç e thashë, ka ndikuar që OMONIA sot të jetë në një pozicion që kërkon rrugëdalje nga ky kurth. Problemi është se a do t‘ia arrijë të shpëtojë vërtet, apo makutëria politike e këtyre grupimeve do ta rifusin në të njëjtën hulli me pasojë eliminimin përfundimtar të misionit për të cilën është krijuar OMONIA.

Minoriteti grek përfaqësohet në qeveri me një ministër, pavarësisht se ai është pjesë e listës së Partisë Demokratike dhe jo PBDNJ-së. Mendoni se kjo lëvizje politike është bërë shkaku i kësaj përçarjeje?

Mendoj se duhet bërë një dallim esencial. Duhet thënë se qeveria "Berisha" ka në përbërjen e saj një minoritar grek. Atë nuk e zgjodhi minoriteti grek dhe as u pyet ky minoritet për përzgjedhjen e tij. Pra nuk e përfaqëson institucionalisht dhe realisht atë. Nga ana tjetër ministria që ai zotëron nuk ka asnjë lidhje me problematikën e minoritetit etnik grek dhe të drejtat e tij. Përkundrazi, i shërben më shumë qeverisjes së PD-së, pasi çdo qeveri shqiptare nëpërmjet kësaj ministrie kërkon të zgjidhë problematikën serioze dhe gjithnjë në rritje të emigrantëve shqiptarë nëpër botë. Shumica e tyre ndodhet në Greqi dhe një ministër me origjinë greke e ndihmon çdo qeveri shqiptare për të zgjidhur sado pak këto probleme. Nga ana tjetër, kjo na kujton praktikën e shtetit komunist që thithte në strukturat e veta shumë minoritarë grek. Madje u jepte edhe poste të larta politike. Por, që nuk kishin asnjë lidhje me të drejtat etnike të minoritetit grek. Madje mund të themi që po të nisemi nga numrat e kësaj natyre, do të dalim në konkluzion se sistemi komunist bënte më shumë për minoritetin etnik grek se sa sistemi demokratik. Sidoqoftë, për minoritetin nuk është gjë e keqe, përkundrazi, të ketë njerëzit e vet në strukturat shtetërore. Kjo, mendoj duhet të jetë një kërkesë permanente e tij dhe një kusht për integrimin e minoritetit në shoqërinë shqiptare. Por fakti që PD-ja kërkon ta bëjë përfaqësues të minoritetit grek, duke e stimuluar për të pasur edhe një pozitë udhëheqëse në OMONIA, jo vetëm që nuk vendos një raport të drejtë partneriteti midis këtij minoriteti dhe partive politike e shoqërisë shqiptare, por i jep minoritetit pozitën e vasalitetit dhe të humbjes së identitetit etnik, me pasoja më të rënda se sistemi komunist. Ky konkluzion, në aspektin më të gjerë politik, mendoj se i jep përgjigje edhe pjesës së dytë të pyetjes suaj në lidhje me përplasjet në OMONIA. Por të mos harrojmë se, ashtu siç e theksuam edhe më lartë, edhe grupimi tjetër bën rezistencë nga të njëjtat pozita interesi politik. Pra që nuk kanë lidhje me misionin politik të OMONIA-s dhe të drejtat e minoritetit.

PBDNJ kishte planifikuar mbajtjen e Kongresit në muajin shtator për të bërë analizën e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe për të korrigjuar gabimet. Cili është shkaku që mbajtja e Kongresit është shmangur? A identifikohen më minoritarët me PBDNJ?

PBDNJ është identifikuar prej kohësh me vet kryetarin e saj, Vangjel Dule. Për të konsoliduar monokracinë e vet në krye të PBDNj-së ai ka atrofizuar të gjitha strukturat e saj. Po ashtu PBDNJ ishte një parti, forca dhe pesha politike e së cilës buronte në mënyrë fiktive nga të qenit parti qeverisëse. Nga ana tjetër, më shumë Dule, thithte forcë politike nga imazhi i gabuar që ai kishte krijuar, sikur ishte në Tiranë përfaqësuesi politik i Athinës zyrtare. Si politikan, ai kurrë nuk është dalluar për ndërmarrjen e ndonjë iniciative politike, apo të kishte dhënë vet ndonjë betejë politike për të arritur madje edhe në planin personal ndonjë sukses politik. Ishte, pra djali politik që dinte të hante vazhdimisht fiq të pjekur të servirur nga të tjerët, ose të sjella në pjatë nga zhvillimet politike të përcaktuara nga faktorët e përmendur më lart dhe të tjerë të papërmendur. Ose ishte Fanti Spathi që asnjëherë nuk linte të shikohej edhe figura kokëposhtë. Tani letra iu gris dhe i mbeti në dorë pjesa me kokën poshtë. Që do të thotë se zhvillimi i Kongresit mund të deklaronte edhe zyrtarisht fundin e tij. Kështu që ai ruan qëndrueshmërinë duke bërë aleat kohën dhe duke pritur që të gabojnë kundërshtarët e tij. Sa për pjesën e dytë të pyetjes, dua të them shkurt se kjo ka shumë kohë që nuk ndodh. Por nuk lexohej. Leximi i drejtë i rezultatit elektoral në këto zgjedhje është fakti që e trembi më shumë Dulen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›