E Diel, 1 Nëntor 2026

Lufta e pedagogëve, s‘do ketë "rrjedhje"

Të gjithë bien dakord për sa i takon përkufizimit: "Pedagogu është vlerë". Dypunësimi i tij në universitete shtetërore apo private nuk i prish punë askujt në rast se zbatohen rregullat, respektohen studentët dhe mbi të gjitha nuk ka shkelje të rregullave të mësimdhënies apo punëdhënës-punëmarrës.

Rektorati u ka lejuar profesorëve të Tiranës të japin mësim në universitete në ciklin e parë të studimeve, në ciklet e tjera e kanë të ndaluar. Drejtuesit e universiteteve private pretendojnë se profesorët nuk janë "monopol" dhe për këtë studentët janë të gjithë njësoj, prandaj vendimi i UT-së u duket i gabuar.

Nga ana tjetër, vetë pedagogët e Fakulteteve të kryeqytetit janë të mendimit se duhet të ketë një lobim mes tyre për të marrë të njëjtat përfitime sikundërse jepen në privat, ndërkohë që për lëndë të veçanta apo për pjesë kur nuk ka vend konflikti i interesit duhet të ketë bashkëpunim mes dy sektorëve publik dhe privat.

"Për sa kohë pedagogët e UT kontribuojnë në mësimdhënie tek universitetet private me të njëjtat lëndë si në UT, ky vendim bazohet në ligjin e konfliktit të interesave dhe si i tillë nuk është në kundërshtim me dypunësimin, që parashikohet shprehimisht në Kodin e Punës", deklaroi Artan Boriçi, profesor në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Sipas tij, në rast se një pedagog i UT kontribuon në mësimdhënie në një universitet privat në një lëndë që nuk zhvillohet në UT, ligji i konfliktit të interesave nuk është i aplikueshëm.

Pedagogët

Secili nga pedagogët e dypunësuar e ka të vështirë të përshëndesë urdhrin e rektoratit. Kjo për faktin se askujt nuk do t‘i pëlqente që nga fitimet e tij mujore dikush t‘i heqë një pjesë nga "qesja" e të ardhurave të tij mujore. Tradita e universiteteve shtetërore nga një anë, mundësitë financiare që ofron privati nga ana tjetër janë dilema e profesorëve të dypunësuar. Drejtuesit e universiteteve private janë të mendimit që pedagogu nuk duhet të jetë "monopol" i strukturave shtetërore dhe në këtë pikë nuk duhet të ketë diskriminim studentësh, pavarësisht sistemeve në të cilat ato studiojnë. Por nga ana tjetër mbingarkesa në punë e pedagogëve, orët e mësimit, kërkesat dhe angazhimet që burojnë nga statusi profesor duhet të ////////////////"latohen" dhe në institucione të vendoset rregulli.

Urdhri i Rektoratit

"Urdhri në vetvete mbase duket si ekstrem, por duke marrë parasysh situatën e krijuar jo vetëm nga brenda Universitetit të Tiranës, por gjithashtu deri diku edhe sulmet që janë bërë nga universitetet private, nga pikëpamja e imazhit i ka detyruar organet që të ndërmarrin këtë masë drastike, e cila gjithashtu është një motivim më shumë për t‘u shoqëruar me një lobim dhe kërkesë nga gjithë stafi akademik për autonomi reale financiare", deklaroi pedagogu i Universitetit të Tiranës, Ervin Demo. Sipas tij, kjo do të do të sillte që pedagogët e UT-së nuk do të paguheshim më pak se pedagogët që japin mësim në privat. "Kjo është në gjë e realizueshme për vetë faktin se të ardhurat dytësore janë jo vetëm të mjaftueshme, por shumë më tepër se thjesht përballimin e pagesave të pedagogëve dhe kjo do të sillte dhe konkurrencë midis stafeve dhe vetë universiteteve", sqaroi Demo.

Mbingarkesa

Duke marrë në konsideratë se janë hapur të gjitha ciklet e studimit të cilat nuk kërkojnë vetëm impenjim nga pikëpamja e mësimdhënies por edhe shumë më tepër angazhim si për udhëheqje disertacionesh dhe doktoratash ashtu edhe për dhënien e orëve të leksioneve dhe seminareve, departamentet vlerësojnë se mbingarkesa e pedagogëve është tejmase e madhe. Sipas të dhënave, një doktoratë kërkon 90 orë studime dhe duke marrë në konsideratë që një pedagog mund të jetë nga 3 deri në 4 doktorata atij i duhet mesatarisht të shpenzojë 4 deri në 6 orë në javë vetëm me orët e konsultimit për doktoratën. Universiteti i Tiranës ka sqaruar se performanca akademike, puna kërkimore, pjesëmarrja në konferenca, botimi i artikujve dhe angazhime të tjera të domosdoshme për një profesor bën që në këtë kohë profesorët të mos kenë kohë të mjaftueshme për të qenë aktiv si më parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›