Namik Dokle do të drejtojë seancën e parë të Kuvendit

Pas refuzimit të Sali Berishës, do të jetë socialisti Namik Dokle që do të drejtojë seancën e parë të Kuvendit, më 9 shtator. Rregullorja e Parlamentit, në nenin 1, ia njeh këtë të drejtë deputetit më të vjetër në moshë, që rezulton të jetë Kryeministri Berisha, i lindur më 15 tetor 1944. Por ky i fundit e ka refuzuar publikisht një gjë të tillë, për shkak se ky pushtet ka ardhur nga klanet e drogës, krimit dhe blerjes së votës, siç tha ai para mediave më 23 Korrik, duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve. Rast ky i parashikuar edhe në rregullore, e cila saktëson se në rast refuzimi kalohet te deputeti tjetër më i vjetër në moshë. Ky është Namik Dokle, i lindur më 11 mars 1946. E njëjta rregullore parashikon që deri në zgjedhjen e kryetarit të ri, nuk zhvillohet asnjë debat mes parlamentarëve. Ky i fundit pritet të jetë kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, sipas një marrëveshje mes tij dhe kryesocialistit Edi Rama, të bërë publike nga vetë dy aleatët e koalicionit të majtë. Në vitin 2005 seancën e parë të Parlamentit e drejtoi Lefter Xhuveli që sapo kishte kaluar nga socialistët te demokratët, ndërsa në vitin 2009 kjo seancë u drejtua nga demokrati Fatos Beja.