E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nano: Doja të bashkoja të majtën, u kërcënova me jetë

Fatos Nano, ish-kryeministri shqiptar, për shumë vite me radhë kryetari i selisë rozë, akuzoi dje pasardhësin e tij, Edi Rama, se njerëz pranë tij, persona të kërkuar nga drejtësia e kanë kërcënuar me jetë, teksa ishte duke u përpjekur të bashkojë të majtën para zgjedhjeve. Në një intervistë për emisionin "Opinion", ish-kryetari i PS-së, Fatos Nano, lëshoi akuza të forta në adresë të pasardhësit të tij, Rama, duke deklaruar se, pjesë e stafeve elektorale të Edi Ramës kanë qenë një numër i madh personash të kërkuar, çka sipas tij e ka denoncuar dhe në organet përkatëse. Sipas tij, këta persona, të cilët kohët e fundit janë përmendur edhe nëpër incidente, kanë kërcënuar vetë Nanon, por edhe kreun e LSI-së, Ilir Meta, në momentin kur kërkuan bashkimin e së majtës. "Bashkë me Metën, sapo bëmë atë konferencën kur kërkuam bashkimin e së majtës, mora një mesazh kërcënues që po të vazhdonim kështu, duke bezdisur Ramën, do ndëshkoheshim me jetë. E mora vesh që këta ishin njerëz pranë Ramës, se kërcënuesit ishin nga ata më të famshmit që u shfaqën në incidente edhe kohët e fundit. Kam bërë denoncimin në institucionet e duhura", tha Nano. Sakaq, ish-kreu i PS-së nuk beson në suksesin e bojkotit dhe protestave, duke menduar se ato janë aventura të dështuara. "Bojkoti dhe protestat janë aventurë e dështuar. Kjo është një aventurë e dështuar dhe unë do të vazhdoj të punoj, madje do t‘u bëja thirrje anëtarëve të PS-së që më 26 shtator në fletët e Lakrorit që ka gatuar Rama të shënojnë jo bojkotit", tha ai. Megjithëse duket se ish-kryeministri ruan mjaft surpriza. Ai la për t‘u kuptuar se ka ndërmend të angazhohet gjatë në politikë. I pyetur nëse mund të jetë kandidat për Bashkinë e Tiranës në 2011, Nano u shpreh se "në 2011 jam kandidat potencial për kryebashkiakun e Tiranës".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›