Nano: Fitore e paparë e së majtës

Ish-kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano “bekon” fitoren e së majtës së bashkuar duke e cilësuar “të paparë” triumfin e saj në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit.
Sipas tij, rezultati ishte pasojë e një nxjerrje dufi e lëngate e të gjithë shoqërisë. Në deklaratën e tij ekskluziv për “Gazeta Shqiptare”, Nano ka bërë thirrje që tashmë ky mandat duhet përdorur për t’iu kthyer qetësinë shpirtërore të gjithëve.
“Fitore e paparë! Një nxjerrje dufi e lëngate e gjithë shoqërisë! Tani ky mandat i rëndë duhet merituar duke u kthyer qetësinë shpirtërore të gjithëve! Kjo fillon nga ekonomia dhe nga njerëzit në nevojë! Uroj që e majta e bashkuar ta bëjë detyrën në mënyrë altruiste”, është shprehur Nano.
Në mesazhin e tij drejtuar socialistëve vetëm pak ditë para mbajtjes së zgjedhjeve, ish-kryeministri u tha: “Qëllofshi në shënjestër!”./Indeksonline/