E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nano: Njerëzit e Ramës, të kërkuar nga drejtësia, më kanë kërcënuar me jetë


Kryetari historik i socialistëve ka shpallur dje ambicien për t’u përballur në të gjitha institucionet, për ta shpëtuar PS-në nga “aventurieri dhe masoni Edvin Rama”. Në gjendjen që është, PS s’kthehet kurrë në pushtet. Nano i rikthehet politikës për të ndihmuar që edhe bashkia e Tiranës, edhe PS të çlirohen nga duart e malavitës

Ish-kryeministri Fatos Nano, implikon Edi Ramën, kryetarin në detyrë të Partisë Socialiste, në skenarë kërcënimi për jetën. Gjatë emisionit “Opinion” në TV Klan, Nano komentoi situatën e fundit politike në Partinë Socialiste dhe veprimet avangarde të kryetarit në detyrë Edi Rama, aspak të moralshme dhe tërësisht në shkelje me ligjin dhe me standardet demokratike të një shteti ligjor.
“Masoni i pasuruar Edvin Rama, nuk po ndalet nga askush. Nuk është fjala për veprime të pahijshme, por për një mjedis dhe një trysni demokratike anormale, në një shtet ligjor, në të cilin nuk të lejohet të sillesh në këtë mënyrë, as në pushtetin bashkiak, as në lëshimin e lejeve të ndërtimit dhe të përdorimit të buxhetit bashkiak, as në fushën e kontakteve të botës së nëndheshme. Ai ushtron presion dhe dhunë ndaj kundërshtarëvë të tij politikë. U jam drejtuar organeve përkatëse. Ditën që i’u përgjigjëm me të njëjtin intensitet për bashkimin e së majtës, në takimin me Metën, në orët e vona kam marrë mesazhe kërcënuese për jetën. ‘Ju të dy, të bukurit e dheut, që cënoni Ramën dhe karrierën e tij politike, po rrezikoni jetën’, ishte mesazhi. I kam denoncuar në organet përkatëse. Ishin njerëzit e Ramës, ata që cënojnë ligjin, siç edhe kanë bërë kohët e fundit”, u shpreh Nano.
Për zgjedhjet e përgjithshme
Ai i konsideroi të dëmshme dhe të turpshme shantazhet e Edvinit, ndaj kundërshtarëve të tij dhe njëherazi edhe ndaj institucioneve kushtetuese të vendit dhe njëherazi e paralajmëron për përballje direkt për ti dhënë fund shpurës së tij politike. “Një partie e anëtarësuar në internacionalen socialiste, nuk po e ndal dot Ramën. Ai po bën shantazhe të turpshme ndaj institucioneve të këtij vendi, pasi zgjedhjet janë certifikuar. Jam i gatshëm të përballem me z.Rama apo me çdo element të shpurës së tij, për t’i dhënë fund aventurës së tij që po cënon standardet demokratike të këtij vendi”, deklaroi ish kryeministri Nano. Ish-lideri historik i së majtës, theksoi se Rama nuk vepron i vetëm në këtë fëlliqësirë të pisët politike, por në bashkëpunim me vjetërsirat e politikës së re.
“Ruçi, Dokle, Majko, Milo, Gjinushi, apo larg qoftë edhe Ngjela, janë të mikluarit e Edi Ramës. Sjellja e tyre pas largimit tim është e tillë që jo vetëm nuk po sjell rikthimin në pushtet të PS, por po sjell degradimin e institucioneve të saj legjitime. U jam mirënjohës, por edhe po aq i pamëshirshëm në kritikën dhe angazhimin kur ata gabojnë, deri kur ato lidhen me plakjen apo tejkalimin e orekseve. Fakti më skandaloz është sjellja e sotme, mos pranimi i rezultatit të zgjedhjeve, bojkotim i parlamentit. Kjo sjellje jo vetëm po mbyll kanalet e frymëmarrjes së socialistëve me njëri-tjetrin, por po sjell edhe përçudnim të organizatave të kësaj partie”, tha Nano.
Ish-kryesocialisti dënoi bojkotin parlamentar, duke e quajtur atë të gabuar dhe si një imponim i egër i Edi Ramës dhe njëherazi bën përgjegjës në mënyrë direkt kryesocialistin në detyrë, për dështimin elektorale. “Nuk ka vend për të bërë lojë fjalësh. Zgjedhjet patën humbës, dhe kjo është opozita. Rezultati pritej, një gjysmë fitore nga koalicioni i djathtë dhe siç pritej krijimi i një koalicioni më të gjerë qeverisës që u kurorëzua me marrëveshjen Berisha-Meta. Humbëse është PS. Kjo nuk më ngazëllen. Nuk është një zhvillim që e dëshironte shumica e shoqërisë. Përgjegjësia e humbjes është hierarkike, politike dhe e lidhur me vijën, udhëheqjen dhe organizmin që Rama në krye të PS-së, i imponoi opozitës, Partisë Socialiste, ballafaqimin në fushatë, pa një kornizë të caktuar. Zgjedhjet ishin të taksur për t’u humbur. E majta duhet të kishte hyrë e bashkuar në zgjedhje. Shpërbërja e opozitës, ka qenë imponim i Edi Ramës. PS mbetet në opozitë për shkak të përçarjes”, tha më tej Nano.
Ai citoi se “pas certifikimit të zgjedhjeje nga KQZ, pas certifikimit të zgjedhjeve nga shoqata të pavarura vendase, ndërkombëtare, të BE, NATO, SHBA-ve si dhe nga vlerësime të tjera tek të cilat dominon fakti se nuk ka prova për manipulim, krahas disa problemeve teknike, besoj se nuk është as vendi as koha për politikën të mburret për numrin më të madh të votave të marra. Është koha për të respektuar standardet e vendeve moderne. Standardi themelor, është që pasi zgjedhjet certifikohen, të pranohet rezultati dhe të nisesh me vrap të betohesh si përfaqësues i popullit dhe të nisësh aktivitetin politik”, tha Nano. Për sa u takon kushteve të opozitës, ish kryeministri Fatos Nano i cilësoi ato si të paqarta. “Nuk besoj se janë të qarta kushtet. Madje janë kaq të paqarta sa kushdo nga përfaqësuesit e PS-së, shton diçka nga vetja dhe i kanë sjellë të gjithë në një mendje, për të mbrojtur ato që quhen kushte”, shtoi ai.
Për protestat e opozitës
Nano iu referua edhe paralajmërimeve të opozitës për protesta popullore, në mbrojtje të votës popullore. Ai i cilësoi këto thirrje si shaka të rëndomta, që bëhen nga politikanë si Majko dhe të tjerët pranë tij. “Nuk mund të merremi me shakatë e Majkos. Bota e madhe e integrimit, nuk do të merret me protesta. Kjo është një aventurë e dështuar, e destinuar të përfundojë shpejt. Unë do të vazhdoj të punoj dhe i bëj thirrje anëtarëve të PS që më 26 shtator, mbi fletët e Lakrorit që ka gatuar Ramën, për kryetar, të shënojnë me germa kapitale, jo bojkotit. Kjo është një thirrje që u drejtoj të gjithë anëtarëve socialistë. Nuk është koha për të bërë farsa elektorale, sipas parimit që çdo anëtar e hedh votën në bashki, por është koha se këta 65 deputetë duhet të marrin pjesë në parlament”, deklaroi Nano. 
Sipas ish kryesocialistit dhe ish kryeministrit të vendit, Fatos Nano, zemra e socialistëve është aty, e ngushtuar, madje ka një ritëm disi të çrregullt, nuk është puls i zakonshëm, për shkak se trupi është i infektuar me viruse. Ish-kryeministri Nano shtoi se Rama ka instaluar një sistem të pisët në PS, të infektuar me viruset e korrupsion dhe privilegje pushteti. “Janë viruse të shoqërisë së vjetër shqiptare. Mosha mesatare është një tregues cilësor i vitalitetit edhe të organizatave shoqërore, por mungesa e kultivimit të eksperiencës, nuk të krijon imunitet ndaj viruseve të shoqërisë së vjetër dhe veçanërisht nga trysnia e madhe e afërsisë së politikës me pushtetin. Ethet e korrupsionit, privilegjet e pushtetit si dhe të gjitha interesat korruptive që nuk burojnë nga një terren meritokratik, profesionale, të cilat zëvendësojnë organizatën politike, vetë kuadratin e jetës të një ogranizatave vullnetare si partitë politike”, nënvizoi Nano. Ai theksoi më tej se Edi Rama duhet të respektonte precedentin. “Duhet të kishte dhënë dorëheqjen në mënyrë të parevokueshme dhe më shumë dashuri siç e bëra unë”, tha ai.
Zgjedhjet lokale të 2011 - Do kandidoj për bashkinë e Tiranës, Rama duhet zbuar/Ish-kryeministri Fatos Nano u shpreh se sheh veten si një kandidat potencial për bashkinë e Tiranës, në zgjedhjet lokale të 2011-ës. Nano deklaroi se dikush duhet të mendojë, në mënyrë që të zhbëhet Rama dhe grupi i tij i pasanikëve masë në Bashkinë e Tiranës. “Unë shpall veten kandidat potencial për kryetar bashkie në zgjedhjet lokale të 2011-ës. Dikush Ramën duhet ta ndalojë. Ai duhet zbuar. Unë nuk funksionoj mbi bazën e frikës apo të skemave të saj. Ne nuk flasim për lodra kalamajsh. Rama nuk largohet nga zgjedhjet e përgjithshme, Rama nuk largohet nga humbja e zgjedhjeve të 2011, por do të largohet nga Bashkia e Tiranës”, u shpreh Nano, duke theksuar Rama nuk respekton asnjë standard moral në Partinë Socialiste. Ai theksoi se “Ramën mund ta kisha nxjerrë jashtë politikës me listën time më 28 qershor. Por ai do ta përdorte si alibi se zgjedhjet na i humbi Nano”, shtoi ish-kryetari socialist.

Referuar deklaratave të Majkos, “Mbaroi cikli Nano, filloi cikli Rama”

“Majko nuk mban mend atë që thotë, ndoshta periodat e tij biologjike përputhen me të Ramës”

Fatos Nano i është kundërpërgjigjur gjithashtu edhe njërit prej kritikuesve të tij, deputetit socialist Pandeli Majko. Majko ka deklaruar se Nano mbushi ciklin e tij politik dhe tani ka ardhur momenti për ciklin e Rama. Ndërkohë që përgjigja e Nanos është sa ironike aq edhe e thellë për raportet e ngushta dhe konfidenciale të Mjakos me Nanon. Majko është nga ata që, nuk thotë atë që mendon. Bën interpretimin e dikujt tjetër. Ai as vetë nuk i mban mend ato që thotë. Po t’i thuash përsëriti ato që the mbrëmë, ai nuk di asgjë. Për çfarë ciklesh flet ai? Mbaruar periodat e mia dhe filluan të Ramës? Ndoshta, periodat e tij biologjike përputhen me ato të Ramës. Unë mund të them se u mbyll cili i idealeve dhe u hap cikli i blerjes së përfaqësuesve sipas grupeve të interesit”, u shpreh Nano.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›