E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nano: Rama humb zgjedhjet. S'pranoj të kandidohem

Ish-kryetari sulmon PS-në dhe e akuzon për shkatërrim të të gjitha strukturave drejtuese të PS-së, e deri tek blerja e partisë. Nano: S’do të kisha pranuar kandidimin edhe sikur Edi Rama të ma kishte ofruar" 

TIRANE- "Nuk do ta kisha pranuar kandidimin tim si deputet i PS-së, edhe sikur Edi Rama të ma kishte ofruar një gjë të tillë”. Kështu është shprehur dje gjatë një interviste të dhënë në “Opinion”, ish- kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano, i cili nënvizoi se edhe jashtë listave, ai sërish do të jetë aktiv në politikë.

Nano ka lëshuar një sërë akuzash në drejtim të kreut aktual të PS-së, Edi Rama, duke filluar që nga shkatërrimi i të gjitha strukturave drejtuese të PS-së, e deri tek blerja e partisë. “Unë besoj se kjo që po ndodh me listat e përfaqësuesve të PS-së, edhe në këto çaste që po flasim, është i vetmi akt i vërtetë i politikës okulte, të mbyllur pas perdeve të interesave aspak përfaqësuese, që Edi Rama ka ushtruar në PS deri më sot”, - u shpreh Nano.

Sipas tij, listat e PS-së karakterizohen nga dy lloj përfaqësuesish; nga ata që kanë turp nga e kaluara e tyre politike, dhe e dyta, nga njerëz që janë viktima apo promotorë interesash afariste dhe private, me të cilat përpiqen të manipulojnë institucionet, demokracinë e PS-së dhe marrëdhëniet që nëpërmjet zgjedhjeve vendosen me popullin. “Në listat janë ndërtuesit e rinj apo prindërit e ndërtuesve të rinj. Mjaft përfaqësues janë larguar edhe nga grupi i PS-së për konflikte ndërtimesh”, - u shpreh ai. Nano ka anatemuar edhe drejtimin e Bashkisë së Tiranës. Ai është shprehur se qeverisja e Bashkisë së Tiranës nuk është një model socialist dhe se ky model nuk mund të shtrihet në të gjithë Shqipërinë. Nano u shpreh se PS-ja është mbushur me tranvestitë politikë, duke iu referuar prurjeve të reja që ka pasur në këtë parti. I pyetur për mundësitë e fitores së të majtës, Nano ka hedhur poshtë çdo mundësi, duke u shprehur se, “opozita e sotme nuk mund të krijojë maxhorancë qeverisëse”.
(s.g/GSh/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›