Nano: Shqipërisë i duhet një president dalëzots. Më 2013-n garantoj zgjedhjet e para të lira
Fatos Nano vijon fushatën e tij mediatike për tu zgjedhur president. Përfaqësuesit e tij kanë lëshuar një tjetër deklaratë gjatë ditës së sotme, në të cilën Nano shpreh mllefin ndaj sjelljes së dy kryetarëve të partive kryesore, Berisha dhe Rama. Ndërkohë, pa modesti ai shprehet se Shqipërisë i duhet një president që ti dalë zot dhe ai është më i përshtatshmi. Nano shprehet se nëse zgjidhet president, do të garantojë që për herë të parë në Shqipëri, në 2013-n të zhvillohen zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Fatos Nano inkurajon kryetarët e partive politike, të përfaqësuara në Kuvend, që të dalin nga ngërçi dinjitetrrënues dhe mundësizhbërës i kategorizimit të kandidaturave në politike, jopolitike, shoqëri civile, etj dhe të përqendrohen me përkushtim dhe mirëkuptim që të kërkojnë kandidatët më të mirë për të zgjedhur presidentin më të mirë. Proceset e deformuara japin fryte të këqija. Kategorizimi i kandidaturave dhe hulumtimi nëpër secilën kategori nga Kryetarët, duke përjashtuar arbitrarisht kategori të caktuara, apo emra të ndryshëm, është vetëm shprehi e paaftësisë dhe mendësisë së gabuar të kësaj klase politike që po rrezikon ta shndërrojë çdo ditë e më tepër Shqipërinë në një vend kryetarokratik.
Nëse Fatos Nano do të jetë Presidenti i ri, ai do të garantojë të organizojnë në vitin 2013 zgjedhjet e para të lira, të ndershme e të pakontestuara sipas vullnetit, kulturës dhe standarteve më të mira europiane. Presidenti i ardhshëm e ka për detyrë kushtetuese që të jetë negociator, paqebërës, institucional, sipërmarrës politik, unifikues, zgjidhës konfliktesh si edhe garant i një zgjedhjeje të drejtë dhe me maturi demokratike në respekt të instrumentave demokratike brenda vendit dhe kërkesave të partnerëve ndërkombëtarë euroatlantikë, për Kryetarin e SHISH, Prokurorin e Pergjithshëm dhe Përfaqësuesit e Gjyqësorit. Shqipërisë i duhet një President dalëzots. Fatos Nano është dalëzots dhe nëse do të jetë President, ai do të jetë një President dalëzots, thuhet në njoftimin e ‘Lëvizjes Nano President’.