E Shtunë, 31 Tetor 2026

Harta e njohjes së Kosovës përfshin aleatët historikë

Me vendimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës, Gjermania u bashkohet fuqive tjera të mëdha që njohën shtetësinë e Kosovës - SHBA-ve, Francës, Britanisë së Madhe, Australisë, Turqisë dhe disa vendeve tjera. Qeveria e Gjermanisë e ka njohur dje Kosovën si shtet të pavarur. Pas këtij vendimi të Qeverisë gjermane, presidenti Horst Koehler do t'i dërgojë një notë diplomatike presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu. "Qeveria sot u pajtua për njohjen e Republikës së Kosovës sipas së drejtës ndërkombëtare dhe për fillimin e marrëdhënieve diplomatike", tha zëdhënësi i Qeverisë, Urlich Wilhelm. Ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier, të hënën, pati thënë se Gjermania do ta njihte Kosovën. Gjermania së bashku me misionin e drejtuar nga BE-ja si dhe me SHBA, prania ushtarake e së cilës në kuadër të KFOR-it është esenciale, duhet të përpiqen, që Kosova të shndërrohet në një histori suksesi. Para 17 vjetësh Gjermania qe një nga shtetet e para, që njohu fillimin e shpërbërjes së Jugosllavisë si realitet politik përmes vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Kroacinë, Slloveninë dhe Maqedoninë. Të mërkurën RFGJ ka njohur Kosovën, të fundit e shtatë shteteve të ish-shtetit shumëkombësh. Tani Gjermania duhet të marrë edhe përgjegjësi për zhvillimin e shtetit të ri. Vendimi i qeverisë gjermane tregon që procesi i dhimbshëm i shpërbërjes së Jugosllavisë përfundon atje, ku ka nisur para 20 vjetësh, pikërisht në Kosovë. Njohja e Kosovës si shtet është një dëshmi e vullnetit të Gjermanisë dhe të gjitha shteteve, të cilat kanë kryer këtë hap në ditët e fundit dhe për ata që do ta bëjnë. Tani çështja është që të tregojnë edhe forcë drejtuese dhe vullnetin ta mbështesin në vepra. Gjermania së bashku me misionin e drejtuar nga BE-ja, EULEX, por edhe me SHBA, prezenca ushtarake e së cilës në kuadër të KFOR-it është esenciale për sigurinë e shtetit të ri, duhet të përpiqen, që Kosova të jetë sukses. Pritet që kundërshtarët e pavarësisë, me në krye qeveritë në Beograd dhe Moskë, të bëjnë gjithçka, që të dëshmojnë se Kosova dështon si sistem politik qoftë edhe për të këmbëngulur tek e tyrja. Trazirat në kufirin e Kosovës të martën na kanë dhënë një shije, të asaj që mund të vijë. Ministri serb për Kosovën, Sllobodan Samarxhiç, i ka përshëndetur trazirat madje duke i quajtur si "legjitime". Dhe Beogradi ushtron presion masiv ndaj serbëve etnikë, që shërbejnë në policinë e Kosovës, që të lënë punën. Tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës do të ishte gjëja më e keqe, që mund t´i ndodhte pakicës serbe. Gjermania dhe të gjitha shtetet, që e kanë njohur Kosovën, duhet të shkojnë së bashku me qeverinë e Kosovës në drejtim të serbëve që jetojnë atje. Ata duhet t´u bëjnë atyre të qartë, se institucionet e Kosovës mund t´u ofrojnë atyre më shumë siguri dhe perspektiva për të ardhmen se demagogët e Beogradit, të cilët mundohen ta mbajnë të ngrohtë konfliktin vetëm për arsye të politikës së brendshme. Për t´u dhënë siguri dhe një të ardhme, parlamentarët e Kosovës ka futur menjëherë në fuqi paketën ligjore të Martti Ahtisaarit. Ajo u garanton pakicave një masë të madhe të të drejtave kolektive. Tani çështja është, që kjo të jetësohet dhe të pengohet që në fillim që në veri të Kosovës të kryhet ndarja e territoreve me shumicë serbe. Por kjo bëhet vetëm kur institucionet e Kosovës si dhe KFOR-i të kenë monopolin e pushtetit dhe të veprojnë me konsekuencë ndaj strukturave paralele, që përpiqet të instalojë atje Beogradi. Përndryshe ekziston rreziku, që të krijohet një shtet në ilegalitet. Një i tillë megjithatë vetëm do të zgjaste vuajtjen e serbëve të Kosovës dhe do të pengonte integrimin e tyre. Pengesa e një agonie të tillë është e rëndësishme dhe për Serbinë dhe integrimin e saj në Evropë. Sepse vetëm kur politika serbe të ndahet përfundimisht nga iluzioni për të mundur të qeverisë Kosovën, mund ta lërë pas vetes së shkuarën dhe të zhvillojë koncepte për një të ardhme të përbashkët evropiane.
Edhe Qeveria e Austrisë ka njohur dje pavarësinë e Kosovës. "I rekomandova qeverisë që të ndërmarrë hapat e domosdoshëm për njohjen e Kosovës", tha ministrja e Jashtme, Ursula Plassnik, në një kumtesë. "Sipas ligjit austriak, qeveria i propozon presidentit që Qeverisë së Kosovës t'i dërgohet letra e njohjes", thuhet më tutje në njoftim. Ministri i Jashtëm italian, Masimo D'Alema, tha se në mbledhjen e nesërme (sotme) të qeverisë mund të miratohet vendimi për njohjen e Kosovës. Gjatë një interviste për radion italiane, zoti D'Alema tha se pavarësia e Kosovës "ishte e pashmangshme". Sipas tij, "Kosova nuk mund të jetë gjithmonë nën administratën ndërkombëtare dhe shtoi se "kosovarët nuk dëshirojnë më të jenë nën dominimin serb". Nga Osloja raportohet se njohjen e Kosovës e ka paralajmëruar edhe Norvegjia. "Mund të shpall se Norvegjia do ta njohë pavarësinë e Kosovës si shtet të pavarur", thuhet në njoftimin e ministrit të Jashtëm, Jonas Gahr Stoere. Kështu, Norvegjia, që nuk është anëtare e Bashkimit Evropian, iu bashkua fqinjëve të saj, Danimarkës, Finlandës dhe Suedisë, që tashmë kanë deklaruar se do ta njohin pavarësinë e Kosovës.
Edhe vendi baltik, Letonia, e ka njohur dje pavarësinë e Kosovës, ka njoftuar Ministria e jashtme e këtij vendi. "Letonia i vlerëson lartë parimet e përfshira në deklaratë, që janë madhore për një shoqëri demokratike", thuhet në njoftim. "Parimet, siç janë stabiliteti, rritja ekonomike, siguria, të drejtat e njeriut, mbrojtja e minoriteteve dhe paprekshmëria e trashëgimisë religjioze dhe kulturore janë elementet bazë mbi të cilat duhet të ndërtohet e ardhmja e Kosovës", thuhet, pos tjerash, në njoftimin e ministrisë së jashtme të Letonisë.
Shqipëria ndryshon Historinë dhe Gjeografinë/Pavaresia e Kosoves ndryshon tekstet e lendes se Historise se Shqiperise dhe Gjeografise. Nepermjet nje vendimi te posacem te Ministrit te Arsimit Genc Pollo, tekstet e Historise dhe Gjeografise qe lidhen me shtetin me te ri te botes, Kosoven do te ndryshojne. Tashme shpallja e Republikes se Kosoves si shtet sovran dhe i pavarur do te pasqyrohet ne librat shkollore te Historise dhe Gjeografise. “Ne porosine per librat e reja te Historise e Gjeografise te vitit shkollor 2008-2009 (Altertekst 2008) kusht per çertifikim do te jete pasqyrimi i kësaj ngjarjeje me rendesi madhore per Kosoven, Shqiperine, Evropen dhe boten”, u shpreh te merkuren Brikena Kollçinaku”, zedhenesja e ministrise, sipas te ciles, per kete vendim botuesit do te marrin nga BOMIT udhezime per ndryshimet perkatese ne programet lendore. Pas ngjarjes historike te 17 shkurtit, Ministria e Arsimit dhe Shkencës e sheh si te domosdoshme qe ngjarjet ne programet lendore te shtrihen deri ne daten e pavaresise se Kosoves dhe te pasqyrohen ne programin e historise se klases se VIII, IX ne arsimin baze dhe historise se vitit te III dhe IV ne shkollat e mesme. Ne lenden e gjeografise duhet te ndryshohen teksti i gjeografise së klases VII e IX ne arsimin baze dhe gjeografia e vitit te katert te shkolles se mesme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›