E Diel, 1 Nëntor 2026

Nano “përcillet nga Frank Sinatra” drejt banesës së fundit, Rama: Mos vdeksh kurrë

Gjatë fjalës së tij, në ceremoninë e lamtumirës në nderim të liderit historik të PS Fatos Nano, Kryeministri Edi Rama tha se ai “i dha Partisë Socialiste një frymë të re” e pa atë, kjo forcë politike nuk do të ishte këtu ku është sot.

“Në selinë e partisë qëndron një foto e tij, që për mua është pamja më domëthënëse”, deklaroi Rama.

“Askush nuk mund të vërë në dyshim se kontributi i tij për Kosovën e shqiptarët e rendit në rreshtat e historisë së nderit të Shqipërisë. Rindërtoi shtetin nga zeroja pas katrahurës rrafshuese të vitit ’97, duke u përballur me një opozitë që shkoi deri në sulme të armatosura ndaj institucioneve dhe ndaj tij fizikisht. Kjo nuk është dita për të shkruar historinë e Fatos Nanos, por për t’i dhënë lamtumirën. Do të më mungojë komunikimi ynë si shoferi i turnit të parë me shoferin e turnit të dytë për të njëjtën makinë, këshillat e tua që vinin të qëruara mirë duke më ndihmuar për të vënë pikën mbi i”.

“Mos vdeksh kurrë Fatos Nano”, mbylli fjalën e tij kryeministri Rama.

Më pas, nën tingujt e ‘I did it my Way’ të Frank Sinatra, arkmorti i Fatos Nanos ka lënë Pallatin e Kongreseve për tu përcjellë drejt banesës së fundit.

Qindra qytetarë hodhën karafila të bardhë, mbi arkivolin e liderit historik të PS.

LEXO EDHE: “Plasja më vjen…”/ Rama: Po sa të paskan dashur mor burrë i dheut

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›