E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nano president? Flet Berisha, Rama e Meta

Kryeministri Sali Berisha, theksoi mbrëmë se Nano nuk do të jetë kandidati i mazhorancës për President, pasi sipas tij, e djathta ka kandidatët e saj.

Kryeministri dhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha hodhi poshtë mundësinë që Fatos Nano të jetë një kandidat i mazhorancës për Presidencë. Berisha shtoi se për emra konkret do të flitet vetëm pas largimit të Bamir Topi, që për Berishën nuk do të jetë sërish kandidat. “PD do ketë kandidatin e vet, Nano është lider historik i së majtë dhe absolutisht nuk propozohet nga ne. Pavarësisht nga ato që thashë për z. Topi, ai është president i Shqipërisë deri ditën që skadon mandati dhe nuk do ketë asnjë emër deri ditën që do jetë president”, tha Berisha në emisionin “Opinion”.

I pyetur për një kandidim të mundshëm të zonjës Topalli, Berisha u shpreh se “znj. Topalli dhe shumë zonja dhe zotërinj kanë të gjitha cilësitë për të qenë në atë post, por në mënyrë absolute nuk ekziston asnjë kandidaturë, deri sa të fillojë gara”. Duke folur për presidentin aktual, Berisha tha se Topi duhet të kishte dhënë dorëheqjen para se të niste diskutimet për krijimin e partisë. “Ai ka një rrugë, të jepte dorëheqjen. Le të thoshte; meqenëse mazhoranca që më ka votuar nuk do të më kandidojë dhe jap dorëheqjen dhe unë nuk do ta kandidojë. Absolutisht që nuk do ta rikandidojmë”, tha Berisha.

Nano president? Rama: Ushqim për mediat!

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka theksuar se kandidatura e përfolur për Fatos Nanon president, është ushqim për mediat. “Sot ka një ndasi shumë të madhe në Shqipëri të ushqyer qëllimisht për vite me radhë që e ka ndarë Shqipërinë në ne dhe në ata. Ne jemi shumë të zotë, për të krijuar probleme aty ku nuk ka probleme dhe pastaj për ti bërë problemet tona ushqim për gazetat dhe për ekranet e qeverisë që përmes problemeve tona të krijuara nga hici, nga vetë ne shpesh herë, të spostojë vëmendjen nga problemet e rënda të keq qeverisjes”, tha Rama nga Burreli.

Meta: Për Presidentit flasim vitin e ardhshëm

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, theksoi dje se jemi ende shumë herët për të folur për çështjen e zgjedhjes së presidentit. “Nuk dëshiroj t’i japë më shumë rëndësi se sa i takon çështjes së Presidentit, aq më tepër kur jemi ende shumë herët për të folur për këtë çështje dhe ku natyrisht është një President tjetër në mandatin e tij. Lëvizja Socialiste për Integrim, për këtë çështje, në kohën e duhur do të mbajë qëndrimin e saj dhe natyrisht do të konsultohet edhe me Partinë Demokratike edhe me forca të tjera politike, bazuar edhe në marrëveshjen e kësaj qeverie koalicioni”, ka theksuar ai. /S.Ll/Start/

                                                                                             2011-12-16 08:36
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›