Nano ultimatum Ramës: Po smë mbështete formoj parti
Tiranë- Në rast se kreu i PS-së, Edi Rama nuk mbështet kandidatin e vetëofruar për president Fatos Nanon ky i fundit do të fillojë që javën e ardhshme përgatitjet për krijimin e një forcë të re politike.
Deklarata e fortë ka mbërritur nga zyra Lëvizjes së Re të zotit Nano, e cila ka çuditur jo pak personat që e lexuan, sipas së cilës kandidati i vetëofruar për kreun e ri të shtetit ka zhvilluar sot një sërë takimesh në zyren e tij me ish-deputetë, ish-drejtues qendrorë dhe lokale të Partisë Socialiste dhe me përfaqësues të shoqerisë civile.
Siç njofton koordinatori për shoqërinë civile në Levizjën e Re të zotit Nano, Arian Galdini takimet janë fokusuar në shpjegimin dhe shkëmbimin e ideve dhe vizionit të zotit Nano lidhur me ambicien e tij për tu vetëofruar si President Republike. Mësohet se gjatë takimeve të sotme ish-kryeministri Nano ka shpjeguar se vetëofrimi i tij më se shumti ka synuar të pikëtakohet me PS-në dhe kandidimi i tij të niset dhe mbështetet po nga forca politike në të cilën ka aderuar prej vitesh, dhe ka dhënë kontributin e tij.
Në këto takime është folur edhe për ngurimin e gjatë të pakuptueshëm dhe të paarsyeshëm të Kryetarit të PS Edi Rama, për ta mbeshtetur politikisht dhe me firma kandidimin e Fatos Nanos për President. Ndër të tjera është diskutuar edhe për mundësinë e moskandidimit të Fatos Nanos për shkak të mosmbështeties nga Edi Rama. Në një rast te tille, nëse Edi Rama nuk e mbështet Fatos Nanon në kandidimin për President, atëherë në këto takime u përcaktua gatishmëria për fillimin e përgatitjeve për një lëvizje të re politike përfaqesuese dhe gjithëpërfshirëse për të gjithë ata që duan ti dalin për zot fateve te Shqipërisë dhe që e duan Shqipërinë Evropiane. U caktua edhe një grup pune që do të koordinojë përgatitjet e kësaj lëvizjeje që mund të fillojë përgatitjet që javen e ardhshme’- njofton Galdini.
Ish-kryeministri Nano prej disa javësh ka zhvilluar një sërë takimesh me krerët e partive parlamentare të vendit të cilëve në takime të ndara u ka prezantuar platformen dhe vizionin e tij për kreun e shtetit, takimi i fundit ishte ai e zotin Berisha ku ky i fundit shprehu vlerësimet e tij për zotin Nano por tha se propozimet do të mbërrijnë nga mazhoranca. Zhvillime të tilla në skenën politike shqiptare vijnë vetëm pak orë nga raundi i dytë për kreun e ri të shtetit, teksa një takim Rama-Berisha pritet të mbahet nesër në përpjekje për t’i dhënë vendit një president konsensual, i sanksionuar në Kushtetutë dhe i apeluar nga faktori ndërkombëtar.
Dorina Bilbili/IDEA/