Skafet, 17 bashki dhe komuna kundër moratoriumit: Dëmton turizmin
Tiranë- Drejtuesit e 17 njësive vendore, bashki dhe komuna, përmes një letre të përbashkët drejtuar deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë kanë kërkuar shfuqizimin e moratoriumit për mjetet motorrike pasi sipas tyre po dëmton rëndë turizmin e këtyre zonave bregdetare.
Kreu i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako tha në emër të bashkive dhe komunave të vijës bregdetare se shfrytëzimi i detit nga banorët e zonave nuk është thjesht një mundësi më shumë por një burim jetik e strategjik i ekonomisë së tyre.
PS prej kohësh, edhe në komisionet përkatëse, ka dalë në mbrojtje të interesave të operatorëve turistikë të dëmtuar nga Moratoriumi i Skafeve.
Më poshtë do të lexoni letrën e plotë drejtuar deputetëve të Kuvendit:
Me përgjegjësi maksimale për të përfaqësuar denjësisht ata që na kanë votuar për tu mbrojtur e avancuar interesat e aspiratat, NE, të zgjedhurit vendorë përfaqësues të PS Durrës, Vlorë, Sarandë, Fier, Lushnje, Himarë, Orikum, Pogradec, Divjakë, Konispol, Kavajë, Velipojë, Shëngjin, Ishëm, Golem, Kryevidh, Ksamil, mbështesim amendimin e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste për shfuqizimin e MORATORIUMIT TË MJETEVE MOTORIKE LUNDRUESE, si një ligj i cili ka penalizuar në mënyrë të drejtpërdrejtë ekonomitë e bizneset në të gjitha njësitë tona.
Lëvizjet demografike kanë bërë që bashkitë dhe komunat tona të strehojnë rreth 2/3- at e popullsisë, pa llogaritur bashkëkombësit kosovarë, që përgjatë këtyre viteve janë orientuar drejt njësive tona. Kjo lëvizje është orientuar drejt nesh për shkak të mundësive që ofron deti dhe është absurde që ne të vazhdojmë tua mbajmë atë të bllokuar. Shfrytëzimi i detit për banorët tanë nuk është thjesht një mundësi më shumë, por është burimi jetik e strategjik i tyre.
Mohimi i shfrytëzimit të lire të deteve TONA jo vetëm që na ka dëmtuar ekonomikisht, por ka cënuar edhe krenarinë e banorëve tanë të cilët ndër shekuj e kanë konsideruar detin simbol të lirisë.
Në emër të qytetarëve tanë, ne i kërkojmë përfaqësuesve në parlament të votojnë për shfuqizimin e MORATORIUMIT TË MJETEVE LUNDRUESE e të bashkëpunojmë pa humbur kohë për të orientuar ekonomitë bregdetare drejt një RILINDJE aq të nevojshme për interesat e vendit.
Shpresojmë që me pavarësinë e vendimmarrjes suaj të reflektoni interesin e shumicës së Shqiptarëve që ne përfaqësojmë por edhe vetëdijen tuaj për rëndësinë strategjike të detit si motor për zhvillimin turistik e ekonomik të zonave tona e të gjithë Shqipërisë.
Bashkia Durrës , Z. Vangjush Dako
Bashkia Vlorë, Z. Shpëtim Gjika
Bashkia Fier, Z. Baftiar Zeqo
Bashkia Sarandë, Z. Stefan Cipa
Bashkia Lushnje, Z. Fatos Tushe
Bashkia Divjakë, Z. Fred Kokoneshi
Bashkia Pogradec, Z. Artan Shkëmbi
Bashkia Himarë, Z. Gjergji Goro
Bashkia Orikum, Z. Gëzim Capo
Bashkia Kavajë, Z. Elvis Rroshi
Bashkia Konispol, Znj. Mimoza Arapi
Komuna Ishëm, Z. Sulejman Ibrahimi
Komuna Golem, Z. Agron Agalliu
Komuna Kryevidh, Z. Fatos Kaja
Komuna Ksamil, Z. Besnik Abedini
Komuna Shëngjin, Z. Salvador Kacaj
Komuna Velipojë, Z. Pashko Ujka
/IDEA/