Nano:Si i luftoj skafistet shqiptare ROME – "Do të ketë skafe në qarkullim në detin tonë, por tani do t'i drejtoj unë, jo skafistët", premton i kënaqur Fatos Nano, Kryeministri shqi
Nano:Si i luftoj skafistet shqiptare
ROME – "Do të ketë skafe në qarkullim në detin tonë, por tani do t'i drejtoj unë, jo skafistët", premton i kënaqur Fatos Nano, Kryeministri shqiptar, që të mërkurën do të mbërrijë në Romë. Pas tij janë rezultatet pozitive të verës në luftën kundër emigracionit ilegal drejt Italisë. "Me operacionin "Puna", asnjë klandestin nuk mund të gjejë një skaf të gatshëm për t'u nisur. Janë goditur prapavijat e trafikut, bazat për furnizimin dhe rregullimin e mjeteve lundruese, tani e kanë rradhën hotelet dhe restorantet, në të cilët pastroheshin paratë e pista të skafistëve", shprehet ai, me një italishte të rrjedhshme. Ndoshta është shpejt për ta konsideruar të zgjidhur një problem që zgjat prej një dhjetëvjeçari, por rënia e fluksit të klandestinëve nëpërmjet detit nga Shqipëria është i pamohueshëm. Socialist, për herë të katërt në drejtim të një qeverie, Nano, që zuri në korrik vendin e shokut të tij të partisë Pandeli Majko, do të pritet nga Silvio Berluskoni të mërkurën. Nëse do të flasë si në intervistën për "Corriere"-n, do të bëhet një bashkëbisedim kurioz, shumë pak i parashikueshëm.
A do t'i propozoni Italisë një shkëmbim midis energjisë elektrike, të nevojshme për Shqipërinë dhe ujit shqiptar, që duhet të pakësojë thatësirën e Pulias?
Po. Por, mbi të gjitha, e di që Berluskoni është një njeri i njohur i biznesit. Do të përpiqem ta imitoj.
Si do ta imitoni?
Duke propozuar të ristrukturojmë programet e bashkëpunimit dhe asistencës me investime që do të integrojnë sistemet tona ekonomike, energjetike e sociale. Pa mbetur vetëm në financime, që me t'u konsumuar, i lënë identikë si më parë.
Çfarë avantazhesh do të rridhnin për Italinë?
Shqipëria ka privilegjin e pasurive të mëdha hidrike. Sistemi ynë energjetik është i mbështetur në energji të rinovueshme, të prodhuara nga diga dhe turbina. Mund të jetë një biznes për ENEL-in. Bashkimi Evropian, a nuk synon brenda 2015 që të rrisë në 10 %, ndaj 2 % aktualisht, përdorimin e energjive të rinovueshme? Nëse do të investohej për të kompletuar te ne (në Shqipëri) ciklin e këtyre prodhimeve, bilancet energjetikë të të dy vendeve do të nxirrnin përfitime.
Prej vitit 1992 ekziston projekti i një ujësjellësi që, duke kaluar për 85 km në fund të Adriatikut, duhet të sjellë ujin shqiptar në Pulia. A nuk e ka frenuar mungesa e stabilitetit tuaj politik këtë projekt?
Do të kushtonte më pak se të merrej uji nga Abruco dhe nuk mendoj se është bllokuar. Te ne, mungesa e stabilitetit i përket së shkuarës, edhe pse duhet kontrolluar. Këtë e thotë edhe opozita, me të cilën kemi zgjedhurAlfred Moisiun kryetar të shtetit.
Sipas ambasadës sonë (italiane) në Tiranë, midis kërkesave për viza studimi për në Itali kishte edhe persona mbi 30 vjeç, të cilët nuk e dinin italishten. Ata nuk janë vlerësuar si studentë të vërtetë. Ju si mendoni?
Fluksi i rregullt për motive studimi është rritur me 25 % krahasuar me vitin 2001. Dikush provon të përfitojë? Dy shqiptarë ndër tre flasin italisht: nuk e di si nuk arrijnë të flasin me një funksionar konsullor. Realiteti është se shpesh fakte të vogla vënë në hije të vërteta të mëdha, të tjerët që studiojnë.
Më 4 gusht, pak orë përpara mbylljes së afatit për dorëzimin e armëve, rezultonin ende në duart të të panjohurve 200 mijë, nga 610 mijë armët e marra nga kazermat tuaja më 1997. Ku kanë përfunduar?
Mund edhe të konfirmoj shifrat, por nuk do të thotë se armët janë në qarkullim. Ka nga ata që i kanë fshehur në shtëpi për një traditë ballkanike, shqiptare, për të cilën, ashtu si zviceranët, ndihen më mirë të mbrojtur…
Ndoshta në Zvicër i përdorin më pak…
…por pjesa më e madhe kanë qenë prej kohësh objekt i trafikut drejt vendeve fqinje.
Do t'i përshtasni dokumentat e identifikimit me standartet e kërkuara nga Bashkimi Evropian?
Do t'i marrim ne shenjat e gishtave. Kam dëshirë të konkuroj me ju në këtë çështje: do të ulet sensibiliteti për të cilin çdokujt që i kërkohen shenjat e gishtrinjëve ka frikë se po cilësohet kriminel.
Nga mënyra juaj e të përgjigjurit, Ju dukeni i gatshëm për të bërë politikë në Itali.
Nuk jeni i pari që ma thoni. Por më pëlqen të jem i votuar në Shqipëri.
"Corriere della Sera"