Napoli, leksion “alla Maradona” për Vllazninë
Dash Frashëri
Edhe pse pati mbështetjen e jashtëzakonshme të më shumë se 16 mijë shikuesve në “Loro Boriçi”, Vllaznia nuk mundi të shmangte humbjen e thellë 3-0 kundër Napolit të Serisë A, që duket se siguroi edhe kalimin në turin e tretë të Kupës UEFA ende pa u luajtur ndeshja e kthimit dy javë më pas.
Një humbje e hidhur në shtëpinë historike të futbollit shqiptar, por me ngushëllimin e vetëm se atë e pësoi nga ish-skuadra e Diego Maradonës. Pas ceremonisë festive në një stadium të tejmbushur si kurrë më parë ishte sulmuesi i talentuar i Vllaznisë, Xhevair Sukaj ngacmoi që në minutën e parë, duke gjuajtur nga larg e duke krijuar edhe përshtypjen e një strategjie agresive të vendosur nga trajneri Agim Canaj.
Në fraksionin e minutës së parë, Napoli shtyhet shpejt përpara dhe fitoi goditjen e parë nga këndi. Blaze ekzekutoi dhe Rinaudo goditi me kokë, por topi nuk është në kuadrat.
Brenda pak sekondave, portieri 20-vjeçar i Vllaznisë, Olti Bishani, u dhuroi kundërshtarëve një tjetër goditje të lirë, por asnjë rrezik për shkodranët. Minuta e katërt risolli sërish në skenë sulmuesin e U-21, të transferuar së fundi te Hacettepe në Turqi, pas një krosimi nga një goditje të lirë nga e djathta, Sukaj goditi me zgjuarsi me kokë, por sfera përfundoi mbi trarin horizontal të portës së mbrojtur nga Ieco i Napolit.
Në minutën e 5-të, vjen edhe një faull ndaj Paolo Kanavaros, kapitenit napolitan, lojta ndërpritet, por asgjë e rëndë për vëllain e Fabio Kanavaros, kapitenin e Italisë.
Pas këtij momenti Vllaznia reagoi në të gjithë fushën, duke prodhuar emocione në “Loro Boriçi”, Napoli vuan jo pak agresivitetin e të zotëve të shtëpisë.
Minuta e 13-të solli edhe momentin e parë të rrezikshëm për Napolin. Goditje e lirë nga e majta për partenopeit, pas harkimit gjuan me kokë Pacienca, por Denis, i cili ndodhej pranë shtyllës së portës shkodrane nuk arrin ta devijojë drejt rrjetës. Minuta e 19-të, Sukaj shfaq vlerat e tij. Sulmuesi “arratiset” nga e majta, Kanavaro arrin të bllokojë përkohësisht, por Vllaznia vazhdoi aksionin me Gilman Likën, i cili fitoi një goditje këndi. Krosim i Osjes nga këndi, portieri “axurro” Ieco gaboi në dalje dhe nuk e kap topin, por Nallbani nuk arrrin të gjuajë drejt portës, duke hedhur poshtë shansin më të madh për të shënuar golin e parë kundër një skuadër italiane. Napoli duket i bllokuar nga strategjia e Canajt dhe nuk gjen hapësirën e duhur për të goditur portën tonë. Por vjen edhe goli i miqve. Minuta e 28-të dhe Napoli kaloi në avantazh. Kundërsulm nga e djathta, Maxho kroson, topi devijohet dhe braziliani Inacio Pia gjuan i pambuluar dhe shënon, duke përfituar edhe nga një hezitim i Telit. Hesht gjiganti “Loro Boriçi”. Braziliani i Napolit pati një tjetër rast për të dyfishuar rezultatin, teksa doli përballë Bishanit, por portieri shkodran tregohet i shpejtë dhe i heq topin nga këmbët. Në minutën e 40-të, një tjetër rast për Napolin, Maxho krosoi nga e djathta, Pia tentoi, por topi i goditur në formë voleji e brazilianit përfundoi mbi tra.
Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 0-1, teksa me fillimin e pjesë së dytë, Canaj ndërroi Amarildo Belishën, duke hedhur në fushë Suad Licin. Teksa pritej një impenjim i menjëhershëm i Vllaznisë, braziliani Pia realizoi një tjetër magji të tij, vetëm një minutë nga fillimi i pjesës së dytë. Vllaznia humbi topin në mesfushë, Denis e adresoi sferën te braziliani, i cili arriti të vidhej Admir Telit dhe duke shfrytëzuar një mosmarrëveshje midis portierit Bishani duke realizuar golin e dytë. Një ndëshkim nga rreshtimi i gabuar i prapavijës kuqeblu. Në të 53’, Rinaudo goditi më kokë, por Bishani e ndaloi pa asnjë problem.
Në minutën e 62-të, Napoli gaboi në mesfushë, Sukaj përfitoi duke “fluturuar” drejt portës së Iecit. Sulmuesi shqiptar i shqetësuar edhe nga Kontini, nuk arriti të gjuajë me forcë, teksa Ieco bllokoi topin pa problem. Minuta e 64-t dhe sërish Sukaj pranë golit. Sulmuesi i U-21, i cili u ndoq “live” në stadium nga presidentët e klubeve turke, Gençlerbirligi e Hacettepe, gjuajti nga jashtë zonës me të majtën, Ieco grushtoi shkëlqyeshëm, duke devijuar në goditje nga këndi. Dy minuta më pas, Lici ndërmori një aksion të shpejtë hyri në zonë, u lirua bukur nga Rinaudo, por italiani e pengoi. Lojtari e stafi i Vllaznisë kërkuan penallti, por gjyqtari rus e ndëshkon Suadin me karton të verdhë për simulim. Fundi i shpejtë i Vllaznisë erdhi në minutën e 75-të, kur argjentinasi Denis shënoi golin e tretë pas një topi të ardhur nga e djathta. 3-0 për Napolin. Është shumë, por miqtë kanë rast të godasin dhe rrjetën e jashtme me anë të De Zerit. Stadiumi “Loro Boriçi” nis të zbrazet. Tifozët nuk duan të vuajnë më. Tashmë, Vllaznisë i mbetet të shijojë bukurinë e “San Paolos” në ndeshjen e kthimit, me idenë se të paktën luajti kundër një ekipi të Serisë A, pas Partizanit kundër Torinos e Teutës kundër Parmës.
Tare e Bogdani bashkë te Lacio?
Igli Tare në bankinë si drejtor teknik dhe Erion Bogdani në vijën e parë të sulmit në fushë te Lacio? Edhe pse në pamje të parë është një lajm i radhës. Do të ishte vërtet bukur. Skuadra e dytë e kryeqytetit italian “pushtohet” nga shqiptarë. I pari me kravatë dhe tjetri me këpucë me thumba. Ish-kapiteni i Kombëtares, Tare dhe ish-sulmuesi i Livornos, Bogdani, janë produkte të shkollës së Partizanit dhe një ribashkim i dy “kullave (binjake)” te Lacio do të ishte një gjë vërtet intriguese. Kujtimet e largëta të çojnë edhe te Loro Boriçi, edhe pse legjenda shkodrane e Vllaznisë dhe e Partizanit ka luajtur gjatë viteve të luftës me bardhekaltërit. Gjithsesi, mund të ndodhë që Bogdani të jetë pjesë e skuadrës së presidentit Lotito pavarësisht se në kohë merkatoje, deri para nënshkrimit zyrtar, gjithçka është pjesë e rotativit të tregut mediatik. “Lacio është duke kërkuar informacione për Pelisierin, dhe para së gjithash për Bogdanin. Për sulmuesin shqiptar do të flitet në ditët e ardhshme”, - shkruante violaneës.it. Tare mund të vendosë jo pak në të ardhmen e Bogdanit. Për momentin të dy kanë një “feeling” të përbashkët. Që i lidh me Kombëtaren kuqezi. Igli Tare u përjashtua nga kroati Oto Bariç pas miqësores me Maqedoninë, Erion Bogdani u la në harresë nga holandezi Ari AHan para miqësores me Lihteshtejnin. Bogdani ka pasur sinjale edhe nga Bolonja, që mirëpriten prej tij. Ashtu si shtypi ka lakuar edhe interesimin nga Ispuiç Toun e QPR-ja në Angli.
Gjithsesi, në shtëpinë e Lacios flitet edhe për një rikthim të Hernan Krespos, por sulmuesi i Interit nuk dëshiron ta veshë serish bluzën bardhekaltër, me të cilën ka luajtur nga viti 2000 deri në vitin 2002.
“Këshilla” e trajnerit të Kotbusit: “Skela të luajë vetëm 45 minuta”
Rekord, si kurrë më parë. Gjashtë lojtarë të Energi Kotbusit, skuadrës gjermane ku militon Ervin Skela, janë thirrur për të qenë pjesë e skuadrave të tyre kombëtare për miqësoret e 20 gushtit. Por, trajnerin Shtefën Heidrich ky fakt nuk i gëzon aspak, madje është shfaqur shumë i mërzitur. “Kjo është një katastrofë!”, - u shpreh për “Bild” trajneri, i cili vetë ka luajtur një ndeshje ndërkombëtare për ish-Gjermaninë Lindore. Por, lojtarët nga ana e tyre janë të kënaqur. Ervin Skela do të luajë për Shqipërinë, Dimitar Rangelov, Stanislav Angelov (të dy me Bullgarinë), Ivan Radeljic (Bosnjë-Herzegovinën), Igor Mitreski (Maqedoninë) dhe Savo Pavicevic (Malin e Zi). Në fakt, shqetësimi i trajnerit Heidrish duket i drejtë. Vetëm dy ditë pas ndeshjeve ndërkombëtare, Energi do të luajë kundër Hanoverit të Altin Lalës. Heidrich “shpik” edhe një zgjidhje të panjohur më parë: “Thirrja e tyre natyrisht nuk na bën të lumtur. Ne do të përpiqemi që të lidhemi me federatat, që lojtarët tanë të luajnë vetëm një pjesë loje. Përndryshe ne do të organizonim kthimin e tyre me avion”.
Prag-Lihtenshtejni, dëmtohet Lorik Cana
Lajm i keq për Kombëtaren shqiptare. Kapiteni i Marsejës, Lorik Cana. është dëmtuar gjatë ndeshjes së fituar kundër norvegjezëve të Bran Bergenit (1-0), e vlefshme për turin e tretë eliminator të Ligës së Kampioneve. Mesfushori kosovar (kështu e thekson, faqja franceze football.fr) u zëvendësua qysh në pjesën e parë të ndeshjes, për shkak të një përdredhje të gishtit të madh të këmbës së majtë. Cana është i pasigurt edhe për ndeshjen e Olimpikut të Marsejës kundër Okserit në kampionatin francez, dhe pritet të zëvendësohet në 11-shin e nisjes nga Sharl Kabore, i cili e zëvendësoi edhe në ndeshjen kundër Bran Bergenit, ku disa vite më parë ka luajtur për këtë ekip edhe sulmuesi aktual i Tiranës, Migen Memelli. Lorik Cana është thirrur për ndeshjen miqësore kundër Lihtenshtejnit, takim që do të luhet në Tiranë, më 20 gusht në “Qemal Stafa” (20:45), dhe dëmtimi mund të përbëjë shqetësim për trajnerin holandez të Shqipërisë, Ari Han.
Tifozi i Shalkes: “Altin, vëri fre mentalitetit shqiptar”
Të gjithë kundër Altinit. Në blogun e fansave të Shalke 04 në faqen online të gazetës sportive gjermane “Revier Sport”, “urrejtja” ndaj Lalës nuk ka kufij. Madje edhe e këshillojnë. “Altin, vëri fre mentalitetin tënd shqiptar dhe lëre në garazhin e shtëpisë”. Shalke do të luajë ndeshjen e parë kundër Hanoverit të Altin Lalës, dhe tifozët e saj kërkojnë patjetër fitore. Tifozi i Shalkes, Elmar Redemann, vazhdon ironinë e tij: “Ai është një shkelës famëkeq nga Ballkani, i cili në ndeshjen e parë të sezonit me Hanover 96 brenda tre minutash i çoi në spital futbollistët e Shalkes, Kevin Kuranji dhe Fabian Ernst”.
Lala, i cili është pezulluar për dy ndeshjet e ardhshme në Kupën e Gjermanisë, pas goditjes me grusht kundër një lojtari, është i famshëm për grindjen e tij me francezin Frenk Riberi të Bajernit të Munihut.
Gjen paratë, Partizani në sulm për Rrudhon
Pasi kaloi momentin më të vështirë pas eliminimit në turin e parë eliminator të Kupës UEFA dhe gjeti një sponsor të ri, qipriotin “Cyprys Building Construction”, Partizani është futur tërësisht në merkato, duke kërkuar të rekrurtojë së pari ish-sulmuesin e Kievos, shqiptarin Xhulian Rrudho, i cili së fundi ishte në provë në Poloni të Lodz. Presidenti i Partizanit, Albert Xhani ka kontaktuar përmes linjës telefonike me lojtarin me banim në Itali dhe i ka ofruar një kontratë të kënaqshme financiare. Vetë lojtari ka pohuar interesimin e njëshit të kuq, pavarësisht se ai ka dhe një ofertë nga Dinamo. Duke parë dhe vijën e parë të sulmit të Partizanit, Rrudho do të ishte një përforcim i mirë.
Duke parë situatën në kampin e kampiones në fuqi, Dinamos, Partizani kërkon të bëjë për vete Igli Allmuçën, i cili ka pasur disa probleme me trajnerin dinamovit, kroatin Zllatko Daliç. Një ide është edhe shkëmbimi kokë më kokë me Muzakën. Bakaj rikonfirmoi qëndrimin e tij te Partizani, duke premtuar se do të bëjë gjithçka për të fituar titullin me skuadrën që e rriti si lojtar.
DINAMO – Blutë kanë arritur parimisht akordin financiar me mbrojtësin e Partizanit, Rrahman Hallaçi, dhe tashmë duhet të presin fjalën e presidentit të Partizanit, Albert Xhani për të siguruar edhe lejekalimin e futbollistit. Përfundimisht nga Dinamo janë larguar dy argjentinasit e fundit: Gonzales e Kampozano, të ardhur në kohën e trajnerit argjentinas Zuleta, por që nuk bëjnë më pjesë në planet e kroatit Daliç. Dinamo ende nuk ka vendosur në lidhje me të ardhmen e lojtarit shqiptar nga Maqedonia, Agim Ibrahimi.
TIRANA – Sulmuesi venezualian Horge Kazanova, 24 vjeç, pritet të jetë përforcimi i radhës te Tirana. Kazanova i ofruar nga menaxheri Florian Riza ka luajtur më parë me Karakas në Venezuelë.
FLAMURTARI – Pas përfundimit të aventurës përgatitore në Bosnjë, skuadra vlonjate përgatitet për të fituar trofeun “Birra Norga”, ku marrin pjesë Partizani, Apolonia e Tirana. 15 mijë dollarë ka vendosur si shpërblim Agron Haxhiraj, pronari i “Birra Norga”. Ky trofe do të zhvillohet këtë vit për herë ta katërt. Në vitin 2005 e fitoi Besa, në vitin 2006 e fitoi Dinamo, në vitin 2007 e fitoi Partizani.
ELBASANI –Presidenti i verdhebluve, Arben Laze premton edhe dy goditje të reja. Ish-kapiteni i Partizanit, Ardit Beqiri, është zyrtarisht lojtari i Elbasanit. Pas largimit të Orges Shehit, mediat sportive raportojnë se Elbasani ka arritur akordin me portierin kroat, Danijel Madariç (48 mijë euro kontrata), i cili më parë ka mbrojtur portën e Varteksit të Varazhdinit. Ende në provë është futbollisti maqedonas Kliment Nastoski.
BYLIS- Skuadra ballshiote po i jep dorën e fundit merkatos verore. Kështu, pas mbërritjes së ganezo-gjermanit Musa Chacore, një tjetër lojtar i huaj është nën urdhrat e trajnerit Faruk Sejdini: egjiptiani 23-vjeçar Elsaed Ullavani, i aktivizuar së fundi me Apollon Kallamarja në kampionatin grek.
APOLONIA- Ende e pakonfiguruar plotësisht dhe me një merkato e tëra ballkanike. Përforcimet vijnë nga Kroacia (dashuria e re e klubeve shqiptare) dhe nga Serbia. Sulmuesit, kroati Mario Ric dhe serbi Boshkov janë dy prurjet e fundit, ndërkohë që pritet edhe një mesfushor serb.
15 Gusht 2008