E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti i KLSH-së zbardh abuzimet me tenderat në Ministrinë e Mbrojtjes



Habjon Hasani
Rreth 11 milionë euro përllogaritet abuzimi i kapur me tenderat në 2 vite (2005, 2007) në Ministrinë e Mbrojtjes sipas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Ky është dëmi i përllogaritur nga përzgjedhja selektive e disa prokurimeve, pasi autoritetet kontrolluese nuk kanë pasur mundësinë që të bëjnë ekspertizën e të gjitha prokurimeve që janë bërë në këtë ministri. Një shembull konkret dhe tepër flagrant është ai që ka lidhje me tenderin e veshmbathjeve, i realizuar në mesin e vitit 2006, me fondin limit prej 31 milionë lekësh. Sipas raportit të KLSH-së, në lidhje me këtë tender rezultonte se mungojnë të dhënat për çmimet për të gjithë artikujt e shërbimit dhe veshmbathjes që do të prokurohen dhe si pasojë argumentimi i fondit limit nuk është i saktë. “Sipas shkresës nr. 107, datë 06.01.2006, drejtuar Drejtorisë së Menaxhimit të Mbrojtjes me objekt ‘Dërgimi i listës së 16 artikujve shërbimi e veshmbathjesh që do të prokurohen në MB dhe në Komandat e Forcave të Reparteve të Shtabit të Përgjithshëm për vitin 2006, të përgatitur nga specialistë të Drejtorisë të Logjistikës nuk ka të dhëna për çmimet e artikujve pulovra kuadri, dyshekë sfungjeri, bojë këpucësh, veprim i cili bie ndesh me UKM nr. 1, datë 01.01.1996 ‘Për prokurimin publik’ i ndryshuar, pika 3 dhe ngarkon me përgjegjësi specialistët e Drejtorisë së Logjistikës, të cilët kanë hartuar pasqyrën e nevojave për artikujt dhe çmimet përkatëse bashkëlidhur shkresës së mësipërme’”, - shkruhet në raport.
Kontrolli
Për një tjetër tender rikonstruksioni në Farkë (me vlerën 14 milionë lekë), Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar raste flagrante të shkeljes nga ana e zyrtarëve. “Nga kontrolli rezultoi se në preventivin e paraqitur nga ofertuesi i shpallur fitues figurojnë emrat e preventivuesve dhe në rastin konkret njëri prej tyre është anëtar i komisionit të vlerësimit të ofertave, si dhe në preventivat e paraqitur nga 9 shoqëritë kanë emrat e preventivuesve të ISPMB-së që kanë hartuar preventivët sipas projektit, dhe komisioni i vlerësimit të ofertave nuk e ka cilësuar këtë fakt në procesverbal, por i ka quajtur të mirëqena, në kundërshtim me VKM nr. 1, datë 10.01.2007 ‘Për miratimin e rregullave të prokurimit publik’, kreu III ‘Dokumentet e tenderit’, germa c, ‘Preventivin e hollësishëm dhe kostot’, pika 2, germa c ‘Udhëzimet për kandidatët/ofertuesit, ku cilësohet: ‘... pjesëmarrësit në procedurën e prokurimit duhet të përdorin dokumentet standarde të tenderit pa bërë asnjë ndryshim’ dhe ngarkon me përgjegjësi komisionin e vlerësimit të ofertave”, - shkruhet në raport.
Abuzimi
Sakaq duket se abuzimet kanë arritur kulmin në rastin e tenderit (me vlerë 94 milionë për prodhimin e veshjeve dhe të pajisjeve për ushtarët. “Mungojnë dokumentet e tenderit, veprim ky në kundërshtim me Ligjin nr. 7971, datë 26.7.1995. Nga kontrolli i përmbajtjes së kontratës rezultuan mangësi, e konkretisht: nuk ka asnjë të dhënë se mbi çfarë skicash, modelesh, numrash dhe masash do të mbështeteshin prodhuesit (NPVU) në qepjen e kostumeve ceremoniale; nuk janë paraqitur në kontratë me nen të veçantë personat e kontaktit, të cilët do të furnizonin prodhimin si me lëndë të parë dhe me dokumente si skica, numra etj. dhe të kontrollonin procesin e qepjes së kostumeve në faza të ndryshme të prodhimit, duke mbajtur dhe procesverbalet përkatëse. Veprimet e mësipërme ngarkojnë me përgjegjësi juristin e njësisë së prokurimit”, - shkruhet në raportin e KLSH-së.

KLSH-ja nuk mundi të kontrollojë ndërmarrjen “MEICO”

Në rastin e kontrollit të ushtruar mbi ndërmarrjen e shitblerjes së armëve, “MEICO”, duket se fshehtësia dhe mungesa e kontrollit është më flagrante se kurrë. Nëse u referohesh termave dhe frymës së këtij raporti duket se drejtuesit dhe punonjësit e ndërmarrjes “MEICO” kanë gëzuar dhe “dorën e ngrohtë” të ekipit auditues të kësaj ministrie, të cilët jo vetëm që nuk kanë mundur të kenë akses në të gjithë dokumentacionin zyrtar, por edhe në rastet kur kanë konstatuar shkelje nuk kanë deklaruar emrat e autorëve apo në ndonjë rast edhe shumën ekzakte të dëmit. “Në programin e punës ‘Për auditimin e plotë të ndërmarrjes ‘MEICO’ janë përcaktuar emërtimi i subjektit që do të auditohet, kuadri ligjor, lloji i auditimit, afati dhe periudha e auditimit, kostoja në ditë, çështjet që do të auditohen dhe grupi i auditimit. Në programin e punës nr. 2319, datë 16.04.2007 nuk është përcaktuar përgjegjësi i grupit të auditimit. Në dosje nuk ndodhen shënimet e marra nga audituesit gjatë auditimit. Në urdhrin nr. 1324, datë 09.08.2007 ‘Për dhënie masash disiplinore dhe administrative në përfundim të auditimit të plotë, të ushtruar në ndërmarrjen ‘MEICO’ dalë në mbështetje të Memorandumit nr. 2204, datë 23.07.2007, drejtuar ministrit të Mbrojtjes, përgjegjësia dhe arkëtimi i shumave të konsideruara dëm ekonomik për buxhetin e shtetit nuk ka dalë me emra konkretë, ngandonjëherë nuk janë cilësuar dhe shumat përkatëse për arkëtim”, - shkruhet e zezë mbi të bardhë në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit.

KLSH: Auditi nuk i zbatoi detyrat që i kemi lënë

”Për verifikimin e zbatimit të detyrave të lëna, Drejtoria e Auditimit të Brendshëm nuk ka parashikuar dhe nuk ka ushtruar auditime të veçanta. Kjo drejtori shpjegon se këto auditime nuk janë parashikuar, pasi burimet njerëzore kanë qenë të pamjaftueshme, por ndjekja e tyre bëhet gjatë auditimit të plotë si pikë e veçantë në përbërje të auditimit, si dhe në sajë të raportimit të subjekteve të auditura sipas afateve të përcaktuar në manual brenda 15 ditëve nga marrja e raportit final të auditimit”, - shkruhet në raportin e KLSH-së lidhur me kontrollin e cunguar dhe “thyerjen e detyrave” që KLSH-ja i kishte caktuar auditit. Por duket se auditi ka “fshehur” dhe gjurmët e disa dosjeve, ndërsa KLSH-ja thekson se shumë dosje me shkelje nuk janë depozituar në arkivë apo edhe se në disa dosje mungojnë firmat e autorëve të tyre. “Në kundërshtim me Ligjin nr. 9154, datë 06.11.2003 ‘Për arkivat’, kreu VI ‘Dorëzimi i dokumenteve në arkivat shtetërorë’, neni 42, me përfundimin e auditimit dhe me mbarimin e afatit të shërbimit operativ, dosjet e krijuara për periudhën objekt kontrolli nuk janë dorëzuar në arkivë. Fleta e inventarit të dosjes nuk është firmosur i ngarkuari për mbikëqyrjen e auditit dhe nuk është miratuar nga titullari i institucionit apo personi i autorizuar prej tij”, - shkruhet në raportin e KLSH-së.

16 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›