E Shtunë, 31 Tetor 2026

Guri, midis tetë më të mirëve të globit



Dash Frashëri

Emocione kuqezi në “Pekin 2008”. Mundësi shqiptar Elis Guri u rendit me meritë midis tetë më të mirëve të planetit në peshën deri 96 kg në mundjen greko-romake, edhe pse i pati të gjitha mundësitë të futej edhe në zonën e medaljeve nëse shorti i goglave nuk do të ishte kundër tij.
Falë shortit të hedhur shkodrani 25-vjeçar - vendi i shtatë në Kampionatin Botëror për të rritur të zhvilluar në Baku të Azerbajxhanit – hyri direkt në 16 më të mirët e kësaj peshe ku morrën pjesë 20 sportistë. Guri la pas mundës nga Kina, Turqia, Italia, Bullgaria, Greqia, Japonia, Hungaria, etj.
Guri, kampion absolut në Shqipëri duke filluar nga paratërinjtë (1998-2000), të rinjtë (2000-2003) e të rriturit (2002-2008), fitoi ndeshjen e parë ndaj kampionit olimpik në “Athinë 2004”, egjiptianit Gaber Karam me rezultatin 3-1 (ose 6-5 e vendosur me pikë teknike. Një fitore e vështirë, por tërësisht e merituar fituesit shqiptar të vendit të tretë në Kampionatin Europian të Tamperes (2008). Guri kreu një fazë përgatitore në Bullgari pranë ekipit kombëtar të këtij vendi, dhe me sa duket eksperienca e madhe e fituar atje e ndihmoi shumë.
“Guri e mposhti me kapje kundërshtarin. Ai arriti të fitojë me një nga më të fortët e Olimpiadës në peshën e tij, pasi ai ishte kampioni në fuqi olimpik”, - tha në linjë telefonike nga Pekini, Fidel Ylli, shefi i delegacionit olimpik shqiptar. Në çerekfinale Guri, i veshur kësaj radhe me ngjyrë blu u përball me mundësin gjerman, Mirko Engliq, takim që e humbi me rezultatin 2-1 (8:2 pikë teknike) Guri kreu disa kapje të cilësisë së lartë, por gaboi në një moment kur e kishte takimin në dorën e tij, duke e ngritur gjermanin peshë, por fatkeqësisht duke dalë jashtë rrethit, çka i hoqi shqiptarit të paktën 3 pikë, teksa i “dhuroi” Engliqit një pikë të çmuar. “Në takimin e dytë kundër gjermanit, pavarësisht se Elis Guri e humbi me short, pra u hodhën dy goglat dhe fati i tej i keq ishte se i ra ngjyra e kuqe. Elisi arriti gjithsesi në raundin e dytë, e ngriti në ajër gjermanin e nxorri jashtë tapetit dhe e futi sërish brenda atë. Ishte një gabim i pafalshëm e tij, pasi pati shumë fuqi, por nuk arriti të kontrollojë veten ku ndodhej në tapet. Vetëm se shkeli pak vizën ati nuk iu dhanë katër pikë. Nëse Elisi do të merrte ato pikë ndeshja do të mbyllej 2-0 dhe ne do të pretendonim për medalje të paktën të argjendtë”, - tha Ylli.
Aventura e Gurit, fitues i medaljes së argjendtë në trofeun ndërkombëtar “Milone” (Itali, 2006), vazhdoi me sfidën në raundin e humbësve apo “repeshazh” kundër koreanojugorit Young Tae-Han , i cili nga ana e tij kishte humbur me gjermanin Engliq, por fatkeqësisht Elisi u mund me rezultatin 3-1, pavarësisht se të dy sportistët e patën mundësitë për ta fituar. Renditja e Gurit midis tetë më të mirëve të botës, është rezultati i dytë më mirë i arritur deri tani nga sportistët shqiptar në “Pekin 2008”, duke pasur në konsideratë edhe vendin e gjashtë të arritur nga peshëngritësja Romela Begaj. “Elis Guri është një nga sportistët më të mëdhenj shqiptarë, jo vetëm se ka dalë i shtati në botë (në Azerbajxhan), por dhe këtu (në Kinë) është renditur në vendin e tetë. Ai është në një moshë mjaft të re”, - dha vlerësimin e tij Fidel Ylli, edhe ku një ish-mundës i njohur.
Medaljen e artë në këtë peshën 96 kg mundje greko-romake e fitoi rusi Aslanbek Kushtov, të argjendtit gjermani Mirko Engliq (kundërshtari i Gurit), ndërsa dy medaljet e bronzit u ndanë midis kazakistanezit Aset Mambetov dhe amerikanit Adam Uiler.
Mundja shqiptare do të përfaqësohet edhe me Said Prizrenin në stilin e lirë në peshën deri 65 kg. Fituesi i medaljes së bronztë në Kampionatin Botëror të Bakut në Azerbajxhan (2007), do të garojë më datë 19 gusht dhe do të jetë edhe sportisti i fundit kuqezi që garon në kryeqytetin kinez. 25-vjeçari Prizreni është dhe shpresa e fundit e Shqipërisë për medalje në këtë Olimpiadë, pasi Prizreni vlerësohet nga të gjithë si favorit për medalje.

Hoxha, rekord kombëtar në 50 metra stil i lirë

Olimpisti shqiptar më i ri në moshë në Lojërat Olimpike, notari 16-vjeçar Sidni Hoxha u rendit i dyti nga tetë garuesit e baterinë e pestë eliminatore dhe i 63-ti nga 97 pjesëmarrës (të ndarë në fazën kualifikuese në 13 bateri). Ajo që vlen më shumë është fakti se Hoxha vendosi një rekord të ri kombëtar në garën e 50 metrave stil i lirë për pishina të mbyllura, duke përmirësuar me gati 1 sekonda rekordin e mbajtur nga Gogushka 25”64 dhe i vendosur në korrik 2008. Sidni Hoxha, i cili në Kampionatin Botëror të Mançesterit (2008) kishte kapur kohën 24”86, në “Pekin 2008” ndali kronometrin në 24”56 sekonda, një përmirësim me 30 të qindtat. Hoxha, i cili për herë të parë morri pjesë në një Lojërat Olimpike kishte deklaruar para nisjes për në Kinë se synonte përmirësimin e i rekordit kombëtar, çka dhe ia arriti. Vendin e parë në baterinë e pestë, ku dhe konkurroi Hoxha, e zuri kamerunasi Alen Brizhion me kohën 24”83, pra vetëm 3 të qindtat më mirë se notari ynë. Hoxha la pas në baterinë e tij notarë nga Zambia, Pakistani, Bregu i Fildishtë, Botsvana, Turkmenistani.
Duhet theksuar një fakt se notari i “Tirana Delfina Sport”, ishte një ndër tre notarët më të rinj në moshë nga 97 pjesëmarrësit dhe shpresat për një sportist të madh shqiptar në të ardhmen duken se janë të mëdha. Medaljen e artë në 50 metra stil i lirë e fitoi francezi 22-vjeçar Amori Levo me kohën 21”46. Argjendi i takoi brazilianit Sezar Filho Sielo (21”47) dhe ajo e bronzit amerikanit Ben Uildman (21’75).

Rezultatet e Shqipërisë në “Pekin 2008”

Garat e zhvilluara
PESHËNGRITJE
Romela Begaj, 58 kg: vendi i gjashtë nga 12 sportistë
Erkand Qerimaj, 77 kg: vendi i 13-të nga 30 sportistë
Gerti Trasha, 69 kg: i skualifikuar, dështoi në stilin e shkëputjes
XHUDO
Edmond Topalli, 81 kg: e eliminuar në raundin e parë
NOT
Sidni Hoxha, 50m/stil i lirë: vendi i 63-të nga 97 sportistë
QITJE
Lindita Kodra
25 m pistoletë me zjarr: vendi 40-të nga 44 sportistë
10 m pistoletë me ajër: vendi 35-të nga 41 sportistë
MUNDJE:
Elis Guri, Mundje klasike, 96 kg: vendi i 8-të nga 20 sportistë

Për t’u zhvilluar
NOT:
Rovena Marku, 50m/stil i lirë: 15 gusht (18:30-18:53)
Trajner: Dashamir Bregu
ATLETIKË
Klodiana Shala, 400 m: 16 gusht (12:00-13:00)
Dorian Çollaku, çekiç: 16 gusht, (10:40-11:40)
Trajnerë: Taulant Stërmasi, Vaso Selenica
MUNDJE
Said Prizreni, M.e lirë, 65 kg: 19 gusht (09:30-10:30)
Trajnerë: Sulejman Hoxha

Surpriza e madhe, eliminohet Federer

Blejk: “Një ditë unë do t’u them fëmijëve dhe nipërve të mi se unë kam mundur më të mirin e të gjitha kohërave”

Lamtumirë “Pekin 2008”. Eliminohet në mënyrë befasuese në çerekfinale tenisti numër 1 i botës për meshkuj, zvicerani Roxher Federer, duke shkaktuar edhe surprizën më të madhe. Ishte amerikani Xhejms Blejk, numri 8-të në botë ai që nuk pati aspak mëshirë për Federerin, duke e mposhtur 2-0: 6-4 e 7-2.
Ishte fitorja e parë e Blejkut ndaj tenistit zviceran. Federer hyri në ndeshjen kundër tij me një statistikë absolute 8-0 në ndeshjet direkte, teksa kishte humbur vetëm një set me Blejkun në ndeshjet e mëparshme. “Një ditë unë do t’u them fëmijëve dhe nipërve të mi se unë kam mundur më të mirin e të gjitha kohërave”, - tha Blejk.
Federer kishte pohuar më parë se të fitonte medaljen e artë olimpike ishte dhe objektivi i tij për tërë sezonin. Tenisti zviceran ka mundësinë t’i shtojë në titull “Grand Slemi”, serisë së tij prej 12 fitoresh gjatë gjithë karrierës.
Federer do të bjerë nga froni i tij si numri një i botës, renditje që e mban që nga viti 2004, kur renditja e re të bëhet publike, më 18 gusht, teksa koka 1 e serisë botërore do të jetë spanjolli Rafael Nadal.
Tenisti amerikan Blejk pas eliminimi të Federerit do të luajë në gjysmëfinale kundër kilianit Fernando Gonzales ose francezit Pol-Henri Matje, takim që do të luhet më 15 gusht.

Renditja e medaljeve

Nr. Shteti Ar Argj Broz Total
1. Kina 22 8 5 35
2. SHBA 10 9 15 34
3. Korea Jugut 6 7 3 16
3. Australia 5 4 7 16
5. Franca 2 7 6 15
6. Rusia 3 8 3 14
7. Italia 6 4 3 13
8. Gjermania 6 2 3 11
8. Japonia 5 3 3 11
10. Britania M. 2 2 3 7
10. Korea e V. 1 2 4 7
12. Kuba 1 3 2 6
12. Holanda 1 1 4 6
14. Ukraina 1 0 4 5
15. Azerbajxhan 1 2 1 4
15. Rumania 1 1 2 4
15. Zvicra 1 0 3 4
15. Hungaria 0 3 1 4
15. Kazakistan 0 2 2 4
15. Armenia 0 0 4 4
15. Brazili 0 0 4 4
22. Çekia 2 1 0 3
22. Gjeorgjia 2 0 1 3
22. Zimbabve 0 3 0 3
22. Suedia 0 2 1 3
26. Mongolia 1 1 0 2
26. Sllovakia 1 1 0 2
26. Finlanda 1 0 1 2
26. Spanja 1 0 1 2
26. Algjeria 0 1 1 2
26. Austria 0 1 1 2
26. Kirgistani 0 1 1 2
26. Turqia 0 1 1 2
26. Bjellorusia 0 0 2 2
26. Tajvani 0 0 2 2
26. Indonezia 0 0 2 2
37. India 1 0 0 1
37. Tajlanda 1 0 0 1
37. Kolumbia 0 1 0 1
37. Norvegjia 0 1 0 1
37. Sllovenia 0 1 0 1
37. Vietnami 0 1 0 1
37. Argjentina 0 0 1 1
37. Bullgaria 0 0 1 1
37. Kroacia 0 0 1 1
37. Egjipti 0 0 1 1
37. Lituania 0 0 1 1
37. Meksika 0 0 1 1
37. Taxhikistan 0 0 1 1
37. Togo 0 0 1 1
37. Uzbekistan 0 0 1 1
Total: 84 84 105 273

15 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›