E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nard Ndoka: PD-ja si shtëpia e Nastradinit

E djathta: kaotike, e paqartë, e paorganizuar dhe e pasigurt

 “PD-ja është bërë si shtëpia e Nastradinit, ku vetëm dera është e mbyllur, ndërsa muret janë të hapur, nga ku mund të hysh dhe të dalësh kur të duash”, - thotë ashpër në një intervistë për “Korrierin” kreu i PDK-së, Nard Ndoka. Sipas tij, aktualisht situata brenda së djathtës paraqitet shumë konfuze dhe pa principe. Ish-ministri i Shëndetësisë sqaron se për shumë vite me radhë demokratët kanë punuar për t’i dëmtuar partitë e djathta historike dhe vetë PDK-në. “Në këtë situatë e djathta është kaotike, e paqartë, e paorganizuar, e painiciativë dhe e pasigurt. Ndoshta ka ardhur koha që të mendohet për format dhe mënyrat e koalicioneve, pasi nesër do të jetë vonë për të gjithë”, - shton kreu e demokristianëve. Ndoka nuk përjashton as idenë e polit të tretë, që sipas tij do të shqyrtohet pas përfundimit të kodit të ri zgjedhor.

Citim

“Qeverisja ka nevojë të rrisë tempin e saj në disa sektorë jetikë dhe të rëndësishëm për qytetarët. Të ketë të qartë se deri në fund të këtij mandati duhet të ketë zgjidhur përfundimisht dhe pa demagogji shpërblimin e pronarëve, të ish-të dënuarve politikë dhe një vizion më liberal për tregun dhe taksat në tërësi”

Citim

“Çdo skemë do të shikohet me vëmendje, pasi të kemi një kod zgjedhor. PDK-ja nuk do të bëjë aleancë me ato parti që do të përpiqen të asgjësojnë pluralizmin politik me ligj në Shqipëri”

 

-Si e shikoni aktualisht situatën brenda së djathtës?

Nard Ndoka: “Një situatë shumë konfuze dhe pa principe. PD-ja është bërë si shtëpia e Nastradinit, ku vetëm dera është e mbyllur, ndërsa muret janë të hapur, nga ku mund të hysh dhe të dalësh kur të duash. Pra, vetëm dera hapet me urdhër, dhe tani ky urdhër duket se është dhënë. Për shumë vite është punuar vetëm për t’i dëmtuar partitë e djathta historike dhe alternativën evropiane të PDK-së. Në përgjithësi ia kanë arritur qëllimit shumë prej tyre. Lufta që kanë ndërmarrë kundër Partisë Demokristiane ka rezultuar e dështuar, me gjithë përpjekjet e vazhdueshme të lidershipit të PD-së. E djathta e sotme ka nevojë për alternativën demokristiane dhe për një aleancë të sinqertë dhe shpresëdhënëse për të ardhmen... PDK-ja tashmë ka dalë nga “kthetrat” dhe ka krahët e vet për të vendosur për fatet e alternativës kristiane, e pandikuar dhe e diktuar nga askush. Shpresojmë në një reflektim serioz e të sinqertë, pa demagogji nga ana e lidershipit të PD-së. Nuk mund të ketë një të djathtë evropiane në Shqipëri jashtë filozofisë dhe konceptit politik demokristian. Përpjekjet për të dëmtuar PDK-në janë një ogur i keq për të djathtën dhe flasin për shtrirjen e skenarëve katovicianë deri në ditët e sotme. Për të mos folur pastaj edhe për tendenca të tjera të rrezikshme. Çdo manovër me reformën zgjedhore, duke u përpjekur për asgjësimin e pluralizmit politik dhe alternativave të tjera, do të dëmtonte rëndë sistemin demokratik në vend dhe përgjegjësia për këtë në radhë të parë, do të binte tek mazhoranca e sotme”.

-Flitet për dalje në 2009-ën si koalicion i përbashkët, shkrirje partish, konfederate etj. A do të mund të rifitoje zgjedhjet e përgjithshme e djathta?

“PDR-ja po shkrihet fare dhe shumë pak do të shkojnë me PD-në: PAA-ja e Xhuvelit nga kalimi i “ylberit” nga kampi i majtë në të djathtë tashmë e ka të vështirë mbijetesën; partitë historike Legaliteti dhe Balli sot janë të përçarë dhe me kuota të ulëta politike; PR-ja ka qenë një parti pothuajse e unifikuar me PD-në dhe Gërdeci i ka ngjizur më shumë. PDK-ja është e vetmja parti nga kampi i djathtë që u rezistoi të gjithë shantazheve dhe diversioneve të bëra nga lidershipi i PD-së, në mënyrë konstante gjatë këtyre viteve. Së fundmi PD-ja prishi edhe marrëveshjen në mënyrë të njëanshme me ne. Mendoni për një moment sikur Gërdecin ta bënte PDK-ja, sa “rrufe do të binin mbi ne!...”. Në këtë situatë e djathta është kaotike, e paqartë, e pa organizuar, e painiciativë dhe e pasigurt. Ndoshta ka ardhur koha që të mendohet për format dhe mënyrat e koalicioneve, pasi nesër do të jetë vonë për të gjithë. Ne jemi të përgatitur për çdo situatë në marrëdhëniet me PD-në, ashtu siç besojmë ende se do të ketë një ndryshim kursi nga lidershipi i PD-së. Në radhë të parë ne do të punojmë për forcimin dhe konsolidimin e alternativës kristiane në vend. PDK-ja është e vetmja parti politike që ka rritje në elektoratin shqiptar në zgjedhjet e fundit, krahasuar edhe me zgjedhjet e fryra të “Dushkut”. Rritja po vazhdon edhe më shumë pas largimit tonë nga qeveria. Simpatia për qëndrimet politike, për dinjitetin, moralin dhe principet tona kanë bërë që kuotat politike të jenë vazhdimisht në rritje. Qytetari votues është i vëmendshëm ndaj çdo pune të bërë, ndaj çdo qëndrimi, ndaj çdo fjale të thënë dhe të mbajtur. Dikush këto i nënvleftëson, duke u përpjekur që të manipulojë opinionin nëpërmjet medias, por gabohet. Gjykimi për të gjithë po vjen. Qytetarët do të japin vlerësimin e tyre me votë. Realiteti i votimeve me militantizëm dhe manipulime po zbehet çdo ditë e më shumë”.

-A do të jetë domosdoshmërish PDK-ja e rreshtuar krah PD-së e aleatëve të tjerë në ndonjërën prej këtyre formave të bashkëpunimit?

“PDK-ja është parti e qendrës së djathtë dhe jemi aleatë natyralë me PD-në prej vitesh. Ne përsëri besojmë se e djathta do të dijë të dalë përtej inateve, intrigave dhe xhelozive që ka manifestuar PD-ja”.

-A duhet të largojë PD-ja nga koalicioni ndonjë prej aleatëve që aktualisht janë në qeverisje me të?

 “PD-ja çfarë pati në dorë dhe në mendje i ka bërë, ndërsa tashmë është koha për përgjegjësi më të mëdha politike, sesa për të kënaqur klane dhe individë brenda PD-së në dëm të partive të tjera aleate”.

-Është hedhur shpesh ideja e një poli të tretë, ku ju vetë së bashku me LSI-në e PBDNJ-në u paraqitët përpara zgjedhjeve vendore të 2007-ës. A mund të kishte një bashkëpunim të tillë të disa partive të vogla kundër dy partive të mëdha në garën e ardhshme elektorale?

 “Çdo skemë do të shikohet me vëmendje dhe pasi të kemi një kod zgjedhor, PDK-ja nuk do të bëjë aleancë me ato parti që do të përpiqen të asgjësojnë pluralizmin politik me ligj në Shqipëri”.

-Një vlerësim për punën e qeverisë...

 “Gjykoj se, duke e krahasuar me qeveritë e mëparshme socialiste, ka qenë qeveria më e mirë që ka pasur vendi. Kuptohet që ka vend për kritika dhe ka nevojë për përmirësime në muajt në vazhdim për të bërë realitet ato premtime që ne kemi bërë para shqiptarëve në 2005-ën”.

-Zoti Ndoka, cilët janë sektorët ku puna çalon e ku ndoshta do të ishte e nevojshme sërish të kryheshin ndryshime, për të ndryshuar pozitivisht qeverisjen në vitin e fundit përpara zgjedhjeve?

 “Qeverisja ka nevoje të rrisë tempin e saj në disa sektorë jetikë dhe të rëndësishëm për qytetarët. Të ketë të qartë se deri në fund të këtij mandati duhet të ketë zgjidhur përfundimisht dhe pa demagogji shpërblimin e pronarëve, të ish-të dënuarve politikë dhe një vizion më liberal për tregun dhe taksat në tërësi”.

-Përse mendoni se ju larguan nga kabineti qeveritar? Ka qenë një qëndrim i vetë Berishës, ka qenë dikush që i ka kërkuar t’ju largojë...? Cila është e vërteta?

 “Të vërtetën e di vetëm z. Berisha! Cilado të jetë ajo, z. Berisha ka vepruar mjaft gabim, duke përjashtuar demokristianët nga qeverisja dhe duke u përpjekur të bëjë diversion politik në dëm të saj. Nuk është fort komode për vetë Berishën dhe të djathtën që të futet në zgjedhje pa një ministër katolik dhe demokristian. Rast unikal në të gjithë Evropën kristiane. Në Ballkan ka vetëm një të tillë: Turqia. Berisha ka disa persona që i qëndrojnë pranë tij në mënyre sezonale, por gjithmonë ka gabuar kur i ka dëgjuar. Në çdo rast gabimi dhe përgjegjësia nuk është e tyre, por e vetë Berishës. Unë nuk kam firmosur marrëveshje politike me ta, por me kryetarin e PD-së dhe kryeministrin e vendit, z. Berisha”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›