Sfidë e hapur

Rusia ka vendosur të sfidojë hapur Perëndimin, duke njohur pavarësinë e Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë, dhe duke kërcënuar me ripërsëritjen e konfliktit në Kaukaz. Duma ruse, dhoma e ulët e parlamentit, aprovoi dje një dokument që mbështet njohjen nga Moska të të dy republikave separatiste. Votimi vijoi atë të Këshillit të Federatës dhe nga Dhoma e Lartë e parlamentit. Fillimisht Rusia e Bashkuar, partia e kryeministrit Vladimir Putin, që ka mazhorancën në parlament, u shpreh në favor të njohjes së pavarësisë së dy rajoneve separatiste të Gjeorgjisë, të cilat iu drejtuan javën e kaluar Moskës për të njohur shkëputjen nga Tbilisi. Grupi parlamentar i kësaj partie paraqiti një projektrezolutë, në të cilën i kërkohej presidentit rus Dmitri Medvedev, njohja e pavarësisë së Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë. Sipas ligjit rus, presidenti nuk është i detyruar të njohë vendimin e parlamentit, por duke pasur parasysh faktin se Medvedev u përzgjodh nga vetë Putini, analistët besojnë se shefi i Kremlinit “nuk do ta diskutojë dy herë” draftin e partisë së kryeministrit. Ndërkohë, Rusia po përpiqet të fitojë terren nga të gjithë kahet e mundshëm, duke përdorur konfliktin në Kaukaz si kërcënim për rajonet e tjera, dikur pjesë e i-ish-Bashkimit Sovjetik. Në një takim me homologun e tij moldav në ishullin Sochi të Detit të Zi, Medvedev deklaroi se ngjarjet në Osetinë e Jugut janë një paralajmërim për të gjithë rajonet ku ka konflikte të ngrira. Vetë Moldavia, ish-shteti sovjetik, ka një konflikt të tillë “brenda shtëpisë”. Bëhet fjalë për rajonin rusofon të Transdniestrit, megjithëse siç tha vetë presidenti moldav Vladimir Voronin, ajo është gatshme ta zgjidhë çështjen përmes negociatave. Ai tha se vendi i tij është i gatshëm të përdorë të gjithë kurajën dhe energjitë e tij për të mos lejuar një përkeqësim të situatës mbi rajonin e kontestuar dhe se nuk do të lejojë përsëritjen e asaj që ndodhi në Osetinë e Jugut.
“Gjeorgjia si nazistët”
Dy presidentët e rajoneve separatiste morën pjesë në seancën e parlamentit rus, duke akuzuar Tbilisin për gjenocid. Lideri i Osetisë së Jugut, Eduard Kokoiti, tha se dy rajonet kanë motive më të forta se Kosova, si nga pikëpamja juridike, ashtu dhe politike, për të kërkuar pavarësinë. Lideri abkhaz, Sergei Bagapsh, konfirmoi se Abkhazia dhe Osetia e Jugut nuk do të jetojnë më me Gjeorgjinë në të njëjtin shtet. Ndërsa kryetari i parlamentit rus, Boris Grizlov, ndërhyri gjatë një ekspozite fotografike me titull “Osetia e Jugut, kronikë e një gjenocidi”, duke krahasuar sulmin e Gjeorgjisë me agresionin nazist të vitit 1941 kundër ish-Bashkimit Sovjetik. Analistët argumentojnë se veprimet e fundit të Moskës mbi Osetinë e Jugut dhe Abkhazinë tregojnë qartë se bëhet fjalë për një kërcënim nga Rusia ndaj Aleancës së Atlantikut të Veriut, e cila ndodhet shumë pranë kufijve të ish-Bashkimit Sovjetik. Për këtë ata sjellin në kujtesë rezolutën që Duma ruse miratoi në muajin mars për mbështetjen e pavarësisë së dy rajoneve separatiste, nëse Gjeorgjia do t’i pushtonte ato ose do të nxitohej për t’u anëtarësuar në NATO. Pas votimit të djeshëm, projektrezoluta iu dërgua Kremlinit për aprovim, i cili sipas analistëve do të vonojë vendimin e tij, ndërsa vazhdon negociatat me Perëndimin. Nëse Kremlini mbështet përpjekjen e parlamentit, dy rajonet mund të aplikojnë në Kombet e Bashkuara për njohje, gjë e cila ka shumë gjasa që të ndalohet nga vetoja në Këshillin e Sigurimit. Si pasojë, mundësitë më të mëdha janë që Osetia e Jugut dhe Abkhazia të mbeten të izoluara dhe të njohura vetëm nga Rusia, ashtu si Qiproja Veriore njihet vetëm nga Turqia.
Moska: “Nuk na bëhet vonë për NATO-n”
“Mund të bëjmë edhe pa marrëdhëniet me NATO-n”. Ishte kjo deklarata e presidentit rus, Dmitri Medvedev, sipas të cilit, nëse Aleanca e Atlantikut të Veriut do të vazhdojë të vështirësojë raportet, Rusia mund t’i ndërpresë tërësisht marrëdhëniet me të. Ai e bëri këtë deklaratë gjatë bisedës me ambasadorin rus pranë NATO-s, duke shtuar se nuk beson të arrihet në një ekstrem të tillë, megjithëse marrëdhëniet janë përkeqësuar mjaft pas konfliktit të Gjeorgjisë në Osetinë e Jugut dhe se Rusia po shqyrton disa variante në raport me aleancën. “NATO-ja ka më shumë interes për të bashkëpunuar. Nëse nuk do, nuk do të jetë ndonjë gjë e tmerrshme për ne”, - tha Medvedev. Ai u bëri thirrje të gjithë vendeve anëtare të aleancës të evitojnë një përkeqësim të mëtejshëm të raporteve me Rusinë, e cila sipas tij është e gatshme të marrë çdo lloj vendimi, deri në prishjen e bashkëpunimit dypalësh.