E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

“Narkotizëm”, Prokuroria çon në gjyq ish-zyrtarin e Policisë Kufitare në Korçë

TIRANË, 2 shkurt/ATSH/ Prokuroria e Korçës dërgon në gjyq ish- shefin e Sektorit të Shërbimeve në Drejtorinë e Kufirit dhe Migracionit, S.P. dhe shtetasin E.G. për veprën penale “trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim.

Prokuroria thotë se provoi se kryekomisari S. P., me detyrë shef i Sektorit të Shërbimeve në Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Korçë, është i përfshirë në veprimtari të kundërligjshme të trafikimit të lëndëve narkotike

“Ky shtetas në bashkëpunim me shtetasin tjetër të hetuar, E.G. lejonte transportimin e lëndëve narkotike drejt Greqisë nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar Kapshticë”, thuhet në deklaratë.

Sipas Prokurorisë, ky punonjës policie me veprime konkrete dhe në kundërshtim me atributet që i jep ligji, ka bashkëpunuar duke favorizuar shtetasin L.L. në kalimin e kufirit në Kapshticë pa i’u nënshtruar kontrollit kufitar, duke urdhëruar dhe ndikuar tek vartësit e tij që mos kryenin kontroll.

Shtetasi në fjalë, thotë Prokuroria, u kap më pas nga pala greke me 26 kilogramë lëndë narkotike kanabis.

“Nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, rezultoi e provuar se këta shtetas në bashkëpunim me shtetasin L.L. të arrestuar në Greqi dhe persona të tjerë të paidentifikuar kanë realizuar një qëllim të përbashkët kriminal duke bërë të mundur trafikimin nga territori i Republikës së Shqipërisë drejt Greqisë, të një sasie lënde narkotike të llojit kanavis sativa, e ndarë në 27 pako, e cila nëse do të hidhej në treg, do të sillte përfitime monetare për organizatorët e kësaj veprimtarie nga 75.000 – 117.000 euro”, thotë Prokuroria.

/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›