E Shtunë, 31 Tetor 2026

Naser Shatrolli fiton në Maqedoni

Skenaristi nga Kosova Naser Shatrolli ka fituar në konkursin e Qendrës Kinematografike të Maqedonisë. ‘Kafe Dynja’ titullohet skenari i tij për film të shkurtër artistik, xhirimet e të cilit do të fillojnë së shpejti.

“Kafe Dynja” e ka titulluar skenarin për film të shkurtër artistik, me të cilin ka fituar në konkursin e Qendrës Kinematografie të Maqedonisë. Skenaristi Naser Shatrolli ka nënshkruar kontratë me këtë qendër filmike, për të cilin, kjo kontratë, do të shënojë një kthesë të veçantë për punën dhe përcaktimin e tij krijues.

Në një prononcim për Express, ai ndër të tjera thotë se është ndjesi e veçantë për faktin se e ka fituar këtë çmim në një konkurs jashtë shtetit të Kosovës. Producent i këtij projekti është aktori Avni Dalipi. Në lidhje me bashkërendimin artistik me producentin në fjalë, Shatrolli thekson se me Dalipin e ka nisur punën e këtij skenari që një kohë dhe më në fund ia dolën që të jenë fitues për këtë vit.

“Bashkëpunimi me aktorin dhe producentin Avni Dalipi është edhe një përvojë tjetër, e cila them se do të përmbyllet suksesshëm, mbase, me një finale artistike në ekranin e madh, e cila natë do të shtrohej në formë darke në Shkup dhe për të vazhduar më tej, këtu, në Tiranë e gjetiu”, tha ai.

Tani projekti është në fazën përgatitore, priten fillimet e xhirimeve me një regjisore shqiptare, e cila vjen nga Maqedonia, dhe e cila ka mbaruar regjisurën tek prof. Isa Qosja në Tetovë.

Sa i përket temës, skenari në maje gjilpëre ka jetën në rrethana kafiterie. Tregimi është vendosur në këtë kohë, por do të zhvendoset mbase herë pas herësh në një kohë tjetër, kur personazhet kanë qenë entuziast për jetë, kollare, gra e qejfe dhe vjen një kohë, kur ato qejfe nuk të shërojnë rrudhat historike, se ka diçka që fshihet brenda rrudhave të tyre, është pleqëria, që kur rekapitulojnë shiritin jetësor, do ta kuptojnë se njeriu ka mundur që të mashtrojë vetveten ndonjëherë.

“Punë e madhe”, thotë me shaka skenaristi Shatrolli.

“Njerëz jemi dhe ia vlen shpesh herë me u dëfrye për faktin se jeta është dëfrim”. Personazhet kanë emra figurash historike, të cilët kanë bërë histori, përderisa, ne kemi mundur që t’i imitojmë të bëmat e tyre nëpërmes emrave dhe ndonjë veprimi brenda asaj hapësire. Kështu, kemi një bartës të veprimit siç është Ylli, si fëmijë, i cili gjendet brenda asaj loje dhe që përjashtohet nga loja, të cilës, do t’ia sheh “hairin” dhe në fund nëpërmes tij do të kuptojnë personazhet tjera se ku janë dhe ku kanë qenë. Ai do të gjendet pranë kësaj shtrese njerëzore në një kohë kontemporane, afër tavolinës së tyre jetësore, e cila duket se nuk është më e tyre. Vjen një brez tjetër që e zë atë tavolinë.

“Është zhanër triler”, shton autori. “Jam gjetur në këtë zhanër, të cilin e kultivoj dhe notoj goxha arsyeshëm në të edhe s’kam ndonjë hall edhe nëse më prishet varka në gjysmë të detit”, e shpreh, me nota humori, konceptin e tij për përcaktimin e tij artistik.

Në të njëjtën kohë, ai nuk le pa përmendur edhe filmin artistik “Muri”, skenarist i të cilit është vet Shatrolli. ‘Muri’ ka rrugëtuar nëpër disa festivale ndërkombëtare e vendore, dhe këto ditë është në një festival ndërkombëtar në Zvicër, më saktë në Bazel, i organizuar nga aktori shqiptar Florim Brajshori që jeton e vepron atje.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›