Nata e sonatave
Flautistja Lule Ballata, e cila ka studiuar në Prishtinë (në klasën e prof. Venera Mehmetagaj Kajtazi) si dhe në Shkup (në klasën e Strase Temkov), të shtunën, më 24 mars, në orën 20:00, në sallën e Teatrit Kombëtar, paraqitet para publikut artdashës me koncert-recital ‘Sonata night’, me një kompilacion veprash të kompozitorëve të njohur.
Ndërkaq në piano atë do ta shoqërojë pianistja e cila ka studiuar në Tiranë dhe ka magjistruar në Shkup - Lirika Pula.
Ballata ka marrë pjesë në seminare specializuese me pedagogë të dëshmuar M. Dvoržak, E. Slana, V. Ozvatic, M. Zupan (Slloveni), I. Zimbo (Maqedoni), Susan Milan (Angli), Enzo Caroli (Itali), Pierre Yves Artaud (Francë), Barbara Weisler Hasse, Mathias Eckhart (Austri), pjesëmarrëse me koncerte solistike e me orkestër në Java e Bach-ut, Kamer-Fest, Re-musica, Festivali DAM, Tingujt e flautit, Chopin Piano fest, Ditët e muzikës Kosovare (Kosovë), në Lubjanë e Maribor (Slloveni), në Art nën tri harqe (Shqipëri), në Film&Teater (Bosnjë) si dhe në Linz e Vjenë (Austri).
Gjatë qëndrimit tremujor në Austri, ajo pati privilegjin të luante me formacionin elitar të instrumentistëve austriakë me rastin e lansimit të Audi A8 (kolona zanore e shoqëroi botërisht marketingun e kësaj veture). Si interprete në flaut ka qenë pjesë e dy shfaqjeve të tipit ‘Music Theatre’ si: ‘Moulin Rouge’, vendosur në skenë në vitin 2001, drejtuar nga regjisori Jeton Budima dhe ‘Gogoli’, realizuar në vitin 2004, shfaqje nga Arian Krasniqi.
Prej vitit 2001 Ballata është pedagoge e flautit. Nga viti 2006 është pikoliste e Filarmonisë së Kosovës. projekti i saj i ardhshëm është pjesëmarrja në ‘European Capital of Culture 2012 – Maribor’ (Slloveni).
Ndërkaq, repertori artistik i pianistes Lirika Pula përfshin vepra të stileve dhe kompozitorëve të ndryshëm, që nga baroku e deri te impresionizmi ravelian, vepra këto që kërkojnë aftësi të konsiderueshme teknike dhe interpretative. Këto vepra ajo i luajti kryesisht gjatë kohës së studimeve pranë Akademisë së Arteve të Bukura në Tiranë.