E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të kujdesshëm ndaj Iranit

Gazeta ‘The New York Times’ ditë më parë publikoi një raport të fshehtë ushtarak, i cili merret me simulimin e dy javëve të para të luftimeve në Iran. Në rast sulmi, raporti parashikon një luftë rajonale. Rusët, nga ana tjetër, mendojnë se një sulm eventual do të nxiste Teheranin që vërtet të prodhojë bombën bërthamore.

Në raportin ushtarak nënvizohet se, menjëherë pas sulmit të Izraelit, iranianët do të sulmonin ndonjërën nga anijet ushtarake amerikane.

Si pasojë, sulmi i Izraelit kundër Iranit do të shkaktonte një luftë rajonale, në të cilën do të detyroheshin të futeshin edhe SHBA’të, thuhet në artikullin e botuar nga ‘The New York Times’.

Gazeta prestigjioze amerikane thirret në një raport të fshehtë ushtarak, i cili merret me simulimin e dy javëve të para të luftës, në rast se Izraeli vendosë të sulmojë pajisjet bërthamore të shtetit islamik. Simulimi, i quajtur Internal Look (Vështrimi i Brendshëm), pretendon se SHBA’të do të shtyheshin të hynin në luftë, pasi që iranianët do të sulmonin ndonjërën nga anijet amerikan të stacionuara në Gjirin Persik. Analistët në Pentagon, mendojnë se sulmi fillestar izraelit do ta kthente prapa programin bërthamor iranian për një vit, ndërkaq ai amerikan edhe për dy vite të tjera.

Megjithatë, rezultatet e simulimit në fjalë e shqetësuan shumë komandantin e forcave amerikane për Lindjen e Mesme, James Mattis. Sipas asaj që Mattis u tha bashkëpunëtorëve, sulmi i parë izraelit do të shkaktonte pasoja të tmerrshme jo vetëm për gjithë rajonin, por edhe për vetë forcat amerikane atje – të cilat nga iranianët do të konsideroheshin forca partnere të Izraelit. Kjo, për shkak se, kundërsulmi i parë iranianë do të shkaktonte vdekjen e afro 200 ushtarëve amerikanë, ndërsa sulmi që në shenj hakmarrjeje do të ndërmerrnin SHBA’të ndaj pajisjeve bërthamore iraniane do të shërbente si hyrje në një luftë të gjerë rajonale, me pasoja të paparashikueshme.

Ndryshe "Vështrimi i Brendshëm” është një prej stërvitjeve më të rëndësishme të Komandës Qendrore të ushtrisë amerikane, dhe ajo kryhet dy herë në vit. Përmes kësaj stërvitjeje vlerësohet aftësia e Gjeneral-shtabit të Ushtrisë së SHBA’ve, të personelit dhe të komandantëve të rajonit të caktuar për reagim ndaj kërcënimeve të ndryshme dhe reale.

Video-porosia e Obama’s

Të martën, ndërkaq, lideri suprem i Iranit, ajatollahu Ali Khamenei, ka tërhequr vërejtjen se vendi i tij do të kundërvihet ndaj çfarëdo sulmi që mund të vije nga Izraeli apo SHBA’të.

"Ne e kemi thënë se nuk posedojmë armatim bërthamor dhe se nuk do ta prodhojmë atë. Por, nëse armiqtë na sulmojnë, pavarësisht se a bëhet fjalë për SHBA’të apo për regjimin sionist, ne do t’i sulmojmë atë me të njëjtën masë me të cilën do të sulmohemi prej tyre”, theksoi Khamenei gjatë fjalimit që e mbajt me rastin e fillimit të Vitit të Ri iranian.

Khamenei po ashtu tha se, Irani ka të “drejtën hyjnore” që të hakmerret po qe se sulmohet.

"Në Kur'an shkruan se armiku sigurisht që do të mposhtet nëse ju sulmon i pari. Ne nuk po mendojmë për sulme dhe agresion, por jemi të përkushtuar që ndaj mbijetesës dhe identitetit të Republikës Islamike”, shtoi ajatollahu.

E, pikërisht në ditën e botimit të raportit në gazetën NYT, presidenti amerikan, Barack Obama, porositi se s’ka “asnjë arsye” që shteti i tij dhe Irani të jenë armiq. Në një video-porosi të publikuar me rastin e Vitit të Ri iranian, presidenti Obama i bëri thirrje Teheranit që t’i respektojë obligimet bërthamore.

"Nuk ka asnjë arsye që SHBA’të dhe Irani të jenë armiq. Këtu, në SHBA, amerikanët me prejardhje iraniane jetojnë mirë dhe janë një faktor i rëndësishëm i kulturës sonë”, nënvizoi Obama.

"Sivjet, filmi iranian ‘Po Ndahen Nader dhe Simin’ fitoi çmimin më prestigjioz amerikan të filmit gjatë ndarjes së çmimeve Oscar”, përkujtoi presidenti amerikan.

"Flotat tona detare kanë luftuar kundër rrezikut nga kusarët, ndërkohë që marinarët tanë madje edhe iu ndihmuan iranianëve që ishin rrëmbyer”, shtoi ai.

"E, qoftë me Facebook dhe Twitter, apo me telefona celularë e internet, shtetasit tanë po i shfrytëzojnë të njëjtat mjete për të biseduar dhe për pasurim të jetës sonë”, u shpreh Obama, derisa gjykoi kufizimet në këtë kontekst të cilat po ngulfasin liritë në Iran, veçanërisht ato që ndërlidhen me qasje në internet, që ai i cilësoi si “një perde të hekurt elektronike”.

"Iranianëve gjithnjë e më tepër po u merret e drejta themelore për qasje në informatat që ata dëshirojnë t’i kenë. Qeveria iraniane po pengon sinjalet satelitore për të pamundësuar publikimin e emisioneve të radios dhe të televizionit”, tha Obama.

Nga ana tjetër, duke prekur çështjen e kryengritjeve arabe në fillim të vitit 2011, inicimi i të cilave pjesërisht i përshkruhet përdorimit të rrjeteve sociale në internet, Obama pohoi se “edhe një herë ishim dëshmitarë se idetë nuk mund të ngulfaten nëpërmjet përndjekjeve”.

"Qeveria iraniane duhet të respektojë ato drejta (për qasje në informacione), si dhe obligimet që kanë të bëjnë me programin e saj bërthamor”, theksoi presidenti amerikan, duke përsëritur tezën e vjetër se “nëse qeveri iraniane mbetet në rrugën e përgjegjësisë, ajo sërish mund të kthehet në bashkësinë ndërkombëtare”.

Leksionet e Lavrov

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, vlerësoi se një agresion eventual ndaj Iranit do ta nxiste këtë të fundit për të krijuar armë bërthamore.

"Edhe pse deri tani – dhe duke marrë parasysh këtu vlerësimet e CIA’s dhe të zyrtarëve të ndryshëm amerikanë - nuk ka informacione se udhëheqësia iraniane ka sjellë ndonjë vendim politik për prodhimin e armëve bërthamore, jam i bindur se pas sulmit kundër Iranit do të sillej një vendim i tillë”, tha Lavrov për gazetën ruse ‘Kommersant’. Sipas tij, çdo gjë me nxitjen e emocioneve lidhur me Iranin “po nxitë shumë shtete të botës së tretë për të menduar se nëse posedojnë bombë bërthamore, atëherë s’mund të ketë sanksione kundër tyre - përveç disa të dobëtave, dhe se të gjithë do të turren rreth tyre m qëllim që t’i bindin dhe për t’iu vardisur”. Si shembull, Lavrov përmendi Korenë e veriut, e cila haptas pohon se posedon armë bërthamore, të cilën madje edhe e teston.

"Të gjithë ne po sillemi me përgjegjësi, dhe nuk po propozojmë që ata të bombardohen. Të gjithë ne po imitojmë në vazhdimin e bisedimeve të drejtpërdrejta, po kërkojmë mënyra që ato të jenë produktive dhe të arrihet deri te aranzhmanet konstruktive”, tha tutje Lavrov, sipas të cilit “me këtë punë para së gjithash po merren SHBA’të”.

Lavrov po ashtu nënvizoi ka analistë që besojnë se, po të kishte Teherani një bombë bërthamore atëherë s’do të kërcënohej me bombardime. “Për më tepër, fqinjët e Iranit kanë filluar të besojnë se po të kishte Gaddafi një bombë bërthamore, sigurisht që s’do të përfundonte ashtu si përfundoi. Prandaj, ata po fillojnë të mendojnë sesi t’i zhvillojnë programet e tyre bërthamore”, vlerësoi Lavrov. Kryediplomati rus mendon se, në rast sulmi ndaj Iranit, Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore do ta humbte rastin që në kohë reale dhe për 24 orë në ditë të mbikëqyrë programin bërthamor të Teheranit. Fundja, sipas tij, shkencëtarët që analizojnë situatën në Iran vlerësojnë se sulmet ndaj Teheranit mund ta ngadalësojnë zhvillimin e programit bërthamor, por “asnjëherë” s’do ta shuajnë ose shkatërrojnë atë, e as s’do shtyjnë pushtetin që të heqë dorë prej tij.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›