Nata finale e festivalit “Flas Shqip” kurorëzohet me çmime mes emocioneve

Nata finale e festivalit të parë të monodramës shqipe, “Flas Shqip”, u zhvillua mes një suksesi të jashtëzakonshëm dhe ndarjes së çmimeve mbrëmjen e 4 qershorit.
Çmimi i regjisë më të mirë shkoi për Naser Shatrollin me shfaqjen “Engjëjt”. Aktori më i mirë u shpall Ismet Azemi, çmim i cili iu dorëzua nga anëtari i jurisë, Bujar Kapexhiu, kurse aktorja më e mirë u shpall Vefi Redhi nga anëtarja tjetër e jurisë, Rajmonda Bulku.
Gjithashtu, çmimi special “Zonja e Bujtinës” shkoi për aktorin Marjus Dhrami, dhe çmimin “Dramaturgu më i mirë” e mori aktori Ferdinand Hysi.
“Ka një simbolikë të veçuar në kuptimin e festës, në kuptimin e asaj që ne kemi punuar. Para audiencës japim idetë dhe konceptet tona”, u shpreh regjisori Naser Shatrolli.
“U emocionova, sepse kthehem dhe interpretoj në shqip pas një shkëputjeje shumë të madhe me ndihmën e autorit Odise Plaku”, u shpreh aktorja Vefi Redhi.
Në këtë festival të zhvilluar në teatrin “Zonja e Bujtinës” konkurruan 7 vepra.
“Kjo iniciativë nisi, sepse në periudhën që po kalon dramaturgjia shqipe sot duhet që çdo artist t’i vendosë detyrë vetes qëllimin që të merren seriozisht me lançimin dhe përfaqësimin e dramaturgjisë shqiptare”, u shpreh aktori Naun Shundi.
“Risia më e madhe është se të gjithë dramaturgët shqiptarë kanë një mundësi që të rishfaqin, të sjellin veprat shqiptare”, u shpreh Raimonda Shundi.
Ky festival synon të krijojë një traditë për interpretët dhe krijuesit e rinj.
/rtsh.al/