E Shtunë, 31 Tetor 2026

Natë e bukur në Ferizaj

Në natën e pestë të Festivalit Teatror - Ferizaj 2012, u paraqit Teatri i Mitrovicës, me shfaqjen “Langojtë”, ndërkohë që Teatri Profesional i Gjakovës inskenoi shfaqjen “Mbretëresha e Bukur e Llenanit”, të autorit irlandez,Martin McDonagh.

Shfaqja “Langojtë” është një botëkuptim teatror, me motive të filmit “Reservoir Dogs”, të regjisorit Quentin Tarantino, e adaptuar nga Avni Shkodra dhe me regji të Fatos Berishës. Shfaqjen e interpretoi një ekip i tërë aktorësh, si Fehmi Ferati, Eshref Durmishi, Besar Zahiti, Blerim Peci, Xhejlane Tërbunja, Fisnik Ademi, Fatmir Haliti dhe Artan Hetemi.

Në të vërtetë, komedia "Langojtë" verifikon një stisje mjeshtërore të "Langojve”, që inspirohen nga prurjet ditore, herë mortore e herë qesharake. Pra, shfaqja është një ironi e tërë, e ndërthurur me elemente sarkastike. Mbase edhe vetë titulli përkon me Langojtë e Mitrovicës matanë ure, të cilët luajnë një valle ujqish, mbyllin dyert e komunikimit, dhe verbojnë dritën e gjelbër të komunikacionit semaforik.

Sipas drejtorit të Teatrit të Mitrovicës, Mirsad Ferati, duartrokitjet dhe pritja e jashtëzakonshme nga publiku ferizajas, reflektojnë një moment të rëndësishëm, jo vetëm për aktorët e shfaqjes, por edhe për teatrin mitrovicas përgjithësisht, sepse ai vetëm përmes paraqitjeve të tilla mund të bëhet pjesë e natyrshme e trendëve dhe e standardeve artistike kombëtare dhe më gjerë.

Edhe kritikat e njohësve të teatrit për regjinë e Berishës dhe për vetë standardin artistik të shfaqjes ishin pozitive.

Nga ana tjetër, edhe shfaqja “Mbretëresha e Bukur e Llenanit” e Teatrit Profesionist të Gjakovës, për nga konteksti dramaturgjik, regjisorial, interpretues, muzikor dhe skenografik transmetoi emocione të forta, në raport me varfërinë shpirtërore të një shoqërie të mbyllur.

Në thumbin dramaturgjik “Mbretëresha...” përmban një mentalitet irlandez brenda një mbretërie të mbyllur. Dhuna në familje, e “konsoliduar” ndërmjet nënës dhe të bijës, zhvillohet brenda një dhome ku ato ushqehen, urinojnë dhe pastrohen në të njëjtin legen jete, pa një derë reale shprese. Tematika ndërlidhet ekskluzivisht me migrimin, ikjen nga vetvetja, përkatësisht me pritjen e një letre shprese nga Amerika.

Autori, Martin McDonagh, subjektet e tij i zhvendos në konflikte reale brenda familjare. Nëpërmes menysë së ushqimit, ai zhveshë të metat psikike e fizike të bartësve të veprimit, ndërkohë që figurat groteske dhe sjelljet e tyre absurde brenda shtëpisë të çojnë drejt një komedie të situatës – mbase edhe deri tek kufiri i një tragjikomedie. Gjithsesi, kjo është një shfaqje që përkon edhe me rrethanat vendore, me dhunën, abuzimet brenda familjes, madje edhe me vrasjet. Regjia e Ilir Bokshit sigurisht që të gjithë këta elementë i bëri të kapshëm për publikun.

Aktrimi i Myrvete Kurtishit e çon shfaqjen deri në një shkallë përjetimi. Emocioni i saj, imazhi, sjelljet, veprimet, forca dhe krenaria e saj, e bëjnë të veçantë figurën që e luan. Njësoj mund të cilësohet dhe Ylber Bardhi, një nga aktorët kosovar që ka kohë që identifikohet me zhanrin e komedisë. Edhe pjesa tjetër e shfaqjes mbetet në konturat e rrjedhës dhe kërkesave regjisoriale të Bokshit. Gjithsesi, regjia e tij dominon, ndonëse po aq relaksues është edhe dizajni i dritave dhe skenografia e Bakallit.

Tingujt e muzikës së vjetër qytetare ndërkaq nxjerrin në dukje qytetarinë artistike të kompozitorit Dhomi, i cili imponohet natyrshëm me vetë rrjedhën e dramës. Fundja, kjo edhe është platformë e tij. Ai frymon jetë brenda situatave të ndryshme, deri në skajin e kërkuar, duke e mishëruar kështu me muzikë mentalitetin irlandez dhe atë shqiptar, gjegjësisht, duke bërë një krijim të veçantë karshi tërësisë artistike të shfaqjes.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›