E Shtunë, 31 Tetor 2026

Natë për insomniakë

Sister Bliss performoi në Prishtinë. Ajo lëshoi hitet me të njohura të saj dhe të grupit Faithless. E me këngë të këtilla gjumi largohet nga syri i juaj. Nga Mehdi Abdullahu më 12 qershor 2011 në ora 19:22

I can get no sleep!
Grumbulli i njerëzve dyndej. Nën një ndriçim goxha dinamik, e zërim që të godiste drejt e në tupanin e veshit, çika e djem, e besa të rinj e të moshuar dolën mbrëmë për të dëgjuar muzikën e ish anëtares së grupit të famshëm Faithless, Sister Bliss.

Por, para se Sister Bliss të dilte në skenë aty kah ora 1 pas mesnate, për nxehjen e publikut u kujdes Dj Uran B, që dukej i disponuar për të rrotulluar pllakat, prej nga muzika elektronike impononte te publiku ‘dridhjen’ e vitheve në një ritëm gati uniform. Dhe kur duket se gjithçka është gati me nxehjen – publiku valëzonte me duart lart e nuk mungonin as ovacionet- në skenë del, siç e do zakoni, ylli i mbrëmjes – Dj Sister Bliss.

Me disa nga hitet e saj të miksuara, ajo ka ndezur edhe më tepër atmosferën, ku nuk kanë munguar edhe figura të njohura të show-bizz. Andej pari të etshme për pak argëtim janë parë edhe këngëtaret Genta Ismajli e Dafina Zeqiri.

Me kufjet në vesh, një qëndrim moskokëçarës dhe vallëzim në ritmin e muzikës që lëshonte, Sister Bliss - emri i vërtetë i të cilës është Ayalah Bentovim- e ka çuar peshë publikun me hitet e saj si: “ I can get no sleep”, Back to Mine”, “Reverence”, Life’s A Bitch”, “Badman” e të tjera.

Publiku dukej se i njihte këngët e saj, kur gjatë radhitjes së tyre, me duar lart zhytej edhe më thellë në ritmin e muzikës elektronike të nxjerrë dhe me një bass të ‘qartë’.

Sister Bliss u përkujdes për të gjithë insomniakët e mbrëmshëm deri në orët e mëngjesit që të kalojnë një natë më ndryshe, e për ta sjellë këtë Dj nga ishulli britanik drejt e në Full House, në vazhdën e organizimeve me artistë të huaj, u kujdes kompania Next Level.

Sponsor i kësaj ndeje ishte kompania telekomunikuese Ipko.

Producente dhe DJ

Sister Bliss përpos që është DJ, është edhe një instrumentiste e talentuar. Për momentin ajo është ende duke prezantuar albumin e saj të fundit “Nightmoves”. Ky album nuk kishte bujën dhe sukseset e “Faithless”, por megjithatë turneu nëpër Evropë i saj duket se ka arritur sukseset që ajo kishte paraparë. Ndryshe, Sister Bliss ka edhe një djalë, të cilin e kishte lindur në shtator të vitit 2006.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›