Ndahen çmimet vjetore për muzikë
Me rastin e ditës ndërkombëtare të muzikës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) i ka nderuar të martën katër muzikantë profesionistë, të cilët me veprat e tyre kanë dhënë kontribut të çmuar në fushën e muzikës. Fitues të çmimit “Niketë Dardani” janë muzicienti Esat Rizvanolli, Rafet Rudi, Drinor Zymberi dhe Mendi Mejdyqi.
Juria profesionale e MKRS-së e përbërë nga kryetari prof. Zeqirja Ballata, mandej anëtarët Emir Dizdari dhe Baki Jashari prej shumë konkurruesve kësaj radhe ka përzgjedhur vetëm katër muzikantë që të nderohen me çmime vjetore.
Në këtë rast ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi ka thënë se muzikantët tanë me punë të madhe kanë arritur të krijojnë vlera dhe standarde kreative.
“Mendoj dhe besoj se ky edicion i konkursit për muzikë artistike në Kosovë ‘Niketë Dardani’ dëshmoj hapjen e shoqërisë sonë në krijimin e mundësive për të pasur qasje shumë më të mëdha se kurdo qoftë dhe kurdo herë, por edhe me ballafaqimin krahasues të krijuesve tanë dhe të arriturat në botë në rrafshin e muzikës artistike dhe kontaktit të vazhdueshëm në të gjitha trendet krijuese dhe artistike botërore. Muzika jonë jo vetëm që po ia del që të marrë vlerat më të theksuara të kësaj krijimtarie gjithandej, por po e dëshmon që tashmë ia ka dal të krijoj edhe standardet e veta të vlerave kreative”, ka thënë ai, siç transmeton Kosovapress.
Sipas ndarjes që ka bërë juria, çmimin për vepër jetësore “Niketë Dardani” kësaj radhe e ka marrën kompozitori Esat Rizvanolli, kurse çmimi për kategorinë e veprave korale me përcjelle instrumentale i ka takuar kompozitorit Rafet Rudi. Po sipas pikëve të jurisë, çmimin për kategorinë e veprave kamertale e mori kompozitori Drinor Zymberi dhe çmimi tjetër për kategorinë e veprave instrumentale Mendi Mejdyqi.
Dihet se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) me qëllim të zhvillimit, avancimit, publikimit dhe promovimit të krijimtarisë muzikore qysh më parë ka nisur të ndajë çmime për artistët e suksesshëm. Çmimet e veprave muzikore të vlerësuara jepen me të holla dhe të shoqëruara me nga një certifikatë.
Ndërkaq për Ditën Ndërkombëtare të Muzikës - 21 Qershorin, organizohen aktivitete në shumë vende të botës. Fillimisht kjo ditë u përcaktua si një festë me karakter kombëtar për Francën, por pas vitit 1985 u deklarua si festë edhe për Evropën. Festimet u përhapën në vitet në vijim edhe në vende të tjera të planetit dhe brenda 15 vjetësh u njoh në rreth 100 vende si Dita Ndërkombëtare e Muzikës.