E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ronaldo: Do ta zbresim Barçën në tokë

Cristiano Ronaldo beson se Real Madridi do ta ‘zbresë nga qielli‘ Barcelonën sezonin që vjen. Mesfushori portugez insiston se madrilenët kanë kualitet për ta mposhtur gjigantin katalunas. Ai është i bindur se Reali do të jetë më i fortë vitin e ardhshëm. Nga Express më 21 qershor 2011 në ora 18:27

Mesfushori i Real Madridit, Cristiano Ronaldo është i vendosur t’i japë fund dominimit të Barcelonës në sezonin e ardhshëm dhe po mendon ta zbresë në tokë klubin katalunas. Barça e fitoi La Ligan, Ligën e Kampionëve dhe Superkupën e Spanjës sezonin që shkoi.

Klubi katalunas konsiderohet si njëri prej më të mirëve në histori të futbollit. Sidoqoftë, reprezentuesi i Portugalisë insiston se epoka e katalunasve do të marrë fund shumë shpejt.

“Në mënyrë që ta ndalim Barcelonën, ne duhet ta mposhtim atë. Mund ta fitojmë titullin në La Liga nëse i mposhtim ata. Ne do të jemi shumë të fortë sezonin e ardhshëm dhe kam besim se i posedojmë ato që nevojiten për t’i mundur ata. Do ta zbresim Barcelonën në tokë”, deklaroi ylli portugez për ‘Vatan’.

Përfaqësuesi portugez gjithashtu ka diskutuar për transferimin e ri, Nuri Sahin në Santiago Bernabeu. Ish futbollisti i Manchester United bëri të ditur se do ta bëjë të pamundurën për ta ndihmuar mesfushorin turk që të futet menjëherë në binar te klubi madrilen.

Përfaqësuesi turk arriti në klubin nga kryeqyteti spanjoll pas një sezoni të shkëlqyeshëm në Borussia Dortmund. “Nuk di shumë për të. E kam parë duke luajtur në kampionatin gjerman disa herë. Do të bëj gjithçka mundem që ai të ndihet si në shtëpi. Gjë e rëndësishme është se çdokush të kontribuojë që Real Madridi të fitojë trofe”, tha në fund Cristiano Ronaldo.

Barcelona dominoi në tri vjetët e fundit në futbollin spanjoll, duke e lënë gjithnjë prapa klubin madrilen. Por, Ronaldo beson se ekipi i Jose Mourinhos më në fund do ta ‘zbresë nga qielli’ klubin katalunas.

Valdes: Na pret një sezon i vështirë

Në anën tjetër, portieri i Barcelonës, Victor Valdes thotë se katalunasit do t’i presë një punë e vështirë për ta përsëritur sezonin heroik, por shton se ekipi i Pep Guardiolas kanë kapacitet për ta bërë një gjë të tillë.

“Nuk dëshiroj të flas për Real Madridin. Unë po flas vetëm për Barcelonën. Ne e dimë se na pret një tjetër sezon i vështirë dhe i gjatë, por ne jemi gati”, tha Valdes për ‘El Periodico de Catalunya’.

“Njerëzit e njohin filozofinë tonë. Për mua futbolli është gjithçka rreth mbajtjes së topit dhe fitimit të ndeshjeve. Detyra ime personale është që të mos pësoj gola. Vite më parë, Iniesta dhe unë vëmë bast se do t’i fitonim tre tituj të Ligës së Kampionëve. Ishte vetëm një ëndërr, por që u realizua. Triumfi në Wembley ishte gëzimi më i madh në jetën time”, përfundoi portieri spanjoll.

Valdes ishte pjesë e Barçës në triumfin e sezonit 2005-06 ndaj Arsenalit në finale. Pastaj ai fitoi dy herë ndaj Manchester United në finale, në sezonin 2008-09 dhe sezonin që shkoi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›