Ndahet nga jeta Antoneta Papapavli

Antoneta Papapavli prej dy ditësh nuk jeton më. E paralizuar në shtrat për dhjetë vjet ajo përballoi sëmundjen që e shkëputi nga aktrimi në vitin 1988.
Debuton në ekran në “Komisarin e dritës” pas studimeve në Institutin e Lartë të Arteve ku punon me pedagogë Pandi Stillu, Kujtim Spahivogli e Mihallaq Luarasi, dhe rusen Nina Çefranova.
Bashkëkohëse e Robert Ndrenikës, Vladimir Priftit, Viktor Zhustit, në Teatrin Popullor, prej vitit 1964 ajo është Olimbia tek “Karnavalet e Korçës”, Mara te “Toka jonë”, Deizi tek “Arturo Ui”, Ledi Milford tek “Intrigë dhe dashuri”, Adela te “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, Cuca te “Cuca e maleve”.
Në kinema portretizon gruan në lulëzim me tërë hiret, sidomos e zgjedhin të bëjë borgjezen që sado e konceptuar në mënyrë stereotipe nga regjisorët, Papapavli di ta bëjë të dashur me karizmin, zërin, sjelljen gjestuale, energjinë e brendshme e të qetë, botë që ajo e rrezaton në mjaft role joprotagoniste si te “Përballimi”, “Tinguj lufte”, “Hije që mbeten pas”, “Kur hapen dyert e jetës”, “Apasionata”, “Shoqja nga fshati”, “Si gjithë të tjerët” apo “Kërcënimi”
Rolet e fundit të Antoneta Papapavlit janë, në teatër në komedinë “Pallati 176” dhe në kinema “Apasionata” dhe “Shokët e klasës sime”.