Ndahet nga jeta Muzafer Xhaxhiu

I diplomuar në Beograd dhe në Moskë, për letërsinë klasike greke dhe latine, jeta e tij i është kushtuar gjithmonë klasikëve të mëdhenj të njerëzimit.
Shkrimet e para letrare të profesorit kanë të sigluar vitin 1939. Veprimtaria krijuese është e shtrirë në atë shkencore, letrare, në përkthime etj.
Si studiues, profesor Xhaxhiu do të punonte për etnogjenezën e shqiptarëve, si pasardhës të pellazgëve dhe ilirëve.
Krijimtaria letrare e tij përmendet që nga "Lirikat" në vitin 1957 dhe deri në "Këngët e Mjellmës", botim i vitit 1999.
Profesor Xhaxhiu ka botuar dhe mjaft studime shkencore për letërsinë klasike greke dhe mitologjinë e Greqisë së lashtë: “Odiseja” e Homerit, “Çështje të dramës antike greke”, “Lirika antike greke”, “Plutarku dhe jetët paralele” etj. Libri i fundit i tij është “E folmja gjirokastrite”. Ai është nderuar si “Qytetar Nderi” i Gjirokastrës.