E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reali, makinë e golave

Real Madrid ka shënuar 70 gola pas 20 xhirosh në La Liga. Ekipi i Jose Mourinhos është në rrugë të mirë të thyejë rekordin prej 107 golash të realizuar nga skuadra e John Toshackut në sezonin 1989-90. Kurse përveç golave, gjiganti madrilen dominon edhe me pikë, pasi ka shtatë sosh më tepër se Barcelona, dhe historia flet në favor të tyre.

Real Madridi është duke dominuar La Ligën dhe atë duke i thyer të gjitha rekordet për numrin e golave të shënuar.

Skuadra lidere ka realizuar 70 gola në 20 ndeshjet e deritashme dhe nëse vazhdon me këtë ritëm, në xhiron e 31-të do ta thyejë rekordin prej 107 sosh të shënuar më 1989-90, nga skuadra e drejtuar nga John Toshack.

Duke e thyer rekordin, shtatë ndeshje para përfundimit të kampionatit, Reali mund të përfundojë sezonin me 133 gola të realizuar. Rekordi i skuadrës së Toshackut ka qenë afër të thyhet në dy sezonet e fundit, pasi skuadra e Mourinhos dhe ajo e Manuel Pellegrinit arritën në 102 gola.

Reali funksionon si një makinë e golave. Për këtë, më meritori është ylli portugez, Cristiano Ronaldo. Në 20 xhirot e deritashme në La Liga, ai udhëheq renditjen e golashënuesve më të mirë me 24 gola, dy më tepër se rivali i tij nga Barcelona, Lionel Messi.

Nëse vazhdon me këtë ritëm, Ronaldo mund të përfundojë sezonin me rreth 45 gola. Reprezentuesi portugez realizoi njërin prej golave në fitoren 3-1 ndaj Real Zaragozës në Santiago Bernabeu, të shtunën mbrëma. Ky shënim erdhi pas atyre në dy duelet çerekfinale në Copa del Rey, kundër Barcelonës dhe konfirmuan se ai ka lënë pas vetes serinë negative prej 255 minutash pa shënuar gol.

Statistikat e Ronaldos janë të jashtëzakonshme. Ai ka shënuar në 12 ndeshje të ndryshme në La Liga, duke përfshirë pesë het-trika. Përveç tij, ndihmesë të konsiderueshme në shënimin e golave këtë sezon te Reali Madridi ka dhënë edhe sulmuesi Gonzalo Higuain, i cili ka realizuar 14 herë në 19 ndeshje. Në shifra dyshifrore të golave është edhe sulmuesi Karim Benzema, i cili ka shënuar 10 gola në 18 paraqitje në La Liga. Me fjalë të tjera, Reali shënon nga të gjitha anët.

Historia favorizon Realin

Pas 20 xhirosh në La Ligë, Reali ka krijuar shtatë pikë epërsi ndaj Barcelonës duke kaluar në pozitë të favorshme për të ndërprerë dominimin e katalanëve që kanë fituar tre titujt e fundit shtetërorë. Edhe historia favorizon Realin.

Deri më tani, vetëm një skuadër ka arritur të rikuperojë një disavantazh kaq të madh. Ishte sezoni 2003/04, kur Valencia e udhëhequr nga Rafael Benitez e zuri dhe e tejkaloi Real Madridin që aso kohe drejtohej nga Carlos Queiroz, duke fituar titullin në La Liga.

Reali gjatë atij sezoni kishte tetë pikë epërsi ndaj Valencias, por i humbi ato dhe titullin që dukej se e kishin në duar. Ky rast i rrallë mund të shërbejë si inspirim për Barcelonën, por në anën tjetër, është edhe dëshmi për punën e vështirë që i pret.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›