Ndahet nga jeta Paulin Ndoja, legjenda e portës shkodrane

TIRANE, 16 prill/ATSH/ U nda sot nga jeta në moshën 80-vjeçare Paulin Ndoja, ish-portieri i Vllaznisë dhe Kombëtares Shqiptare, i cili ka lënë gjurmë në historinë e këtij sporti.
Lajmin e bënë të ditur familjarë dhe miq të sportistit, ndërsa edhe kryebashkiaku I Shkodrës Benet Beci ndau mesazh ngushëllimi.
“Kontributi i tij i jashtëzakonshëm do të mbetet përgjithmonë i shkruar me germa të arta në historinë e Shkodrës dhe të Vllaznisë”, shkroi Beci në mesazhin në rrjetet sociale.
I lindur më 19 dhjetor 1945 në Shkodër, Ndoja u ngjit shpejt në majat e sportit duke fituar Kupën e Shqipërisë me Vllazninë në vitin 1965, vetëm 20 vjeç. Pas një ndërprerjeje për shërbimin ushtarak në Skrapar, ai rikthehet në ekip për të ndihmuar në fitimin e titullit kampion dhe të Kupës në sezonin 1971-72. Por një vit më pas, për arsye biografike, karriera e tij ndërpritet në mënyrë të dhimbshme.
Ndoja përjetoi ndërhyrje politike edhe në jetën personale.
Në vitin 1973 u përjashtua përfundimisht nga futbolli.
Edhe pse i thirrur disa herë në Kombëtare, Ndoja luajti vetëm një ndeshje zyrtare, atë kundër Kinës, ku Shqipëria fitoi 2-1. “Isha i grumbulluar shpesh, por s’më lejonin të luaja jashtë vendit”, thoshte ai me ironi të hidhur.
Pas viteve ’80, Ndoja u rikthye si trajner portierësh, profesion të cilin e ushtroi deri para pak vitesh. Ai do të kujtohet jo vetëm për talentin dhe sukseset, por edhe për karakterin e palëkundur përballë padrejtësive të kohës.