KOMENT – Turqia dhe Izraeli kërkojnë të shmangin përleshjet në Siri ndërsa tensionet rriten

STAMBOLL, 16 prill /ATSH/- Turqia dhe Izraeli kanë nisur bisedimet për të parandaluar konfliktet midis trupave të tyre në Siri, pasi një fushatë ushtarake izraelite dhe një rivalitet në rritje për ndikim kanë rritur tensionet, sipas “New York Times”.
Qeveria turke dhe izraelite njoftuan sot se kishin zhvilluar një takim në Azerbajxhan.
“Takimi midis zyrtarëve ushtarakë dhe të sigurisë kishte për qëllim gjetjen e një mënyre për të parandaluar incidentet e padëshiruara në Siri”, tha në një deklaratë Ministria e Mbrojtjes në Turqi.
Zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu tha se të dyja palët kishin rënë dakord të vazhdonin dialogun.
“Takimi erdhi përpara një vizite të planifikuar nga udhëheqësi i ri i Sirisë, presidenti Ahmed al-Shara të premten në Turqi -për të diskutuar mbi sigurinë dhe bashkëpunimin ushtarak”, njoftoi televizioni sirian.
Një koalicion rebel, i udhëhequr nga al-Shara dhe i mbështetur nga Turqia, rrëzoi presidentin Bashar al-Assad në dhjetor – duke detyruar aleatët kryesorë të al-Assad – Rusinë dhe Iranin, të tërhiqeshin kryesisht.
Në vakumin e pushtetit, Izraeli dhe Turqia kanë garuar për ndikim. Rivaliteti po shton paqëndrueshmërinë në Siri, ku qeveria e re po lufton – nën presionin e fuqive rajonale – për të stabilizuar një vend të ndarë pas 13 vitesh lufte civile.
Turqia ka pushtuar prej kohësh pjesë të Sirisë veriore – në mbështetje të opozitës që lufton regjimin e al-Assad – si dhe për të luftuar rebelët kurdë që ajo i quan një kërcënim terrorist për forcat e veta.
Turqia kohët e fundit ofroi të trajnojë një ushtri të re siriane dhe të përmirësojë bazat dhe aeroportet e ushtrisë siriane, megjithëse Siria nuk e ka konfirmuar publikisht pranimin e ofertës.
Pas rënies së al-Assad – Izraeli zhvendosi trupat në një zonë tampon të krijuar prej kohësh përgjatë Lartësive të Golanit, dhe më pas përtej saj, duke pushtuar pjesë të Sirisë jugore dhe duke kryer qindra bombardime kundër depove dhe bazave ushtarake siriane.
Qeveria e re e Sirisë – nën drejtimin e al-Shara – ka protestuar kundër sulmeve dhe inkursioneve të Izraelit – si një përpjekje për të destabilizuar vendin – dhe ka shpallur një politikë të jashtme kundër agresionit me të gjithë fqinjët e saj.
Por, manovrimi i dy rivalëve u përshkallëzua ashpër, javën e kaluar pasi Izraeli bombardoi disa baza – një sulm që Siria tha se kishte plagosur dhjetëra ushtarë dhe civilë.
“Bazat ishin ndër ato që Turqia kishte ofruar për t’i përdorur dhe përmirësuar”, sipas raportimeve të medieve në Turqi dhe Siri.
Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan akuzoi sot Izraelin për qëllime ekspansioniste në Siri – në një deklaratë në një kanal televiziv turk – duke shtuar se Turqia nuk kishte ndërmend të hynte në konflikt me Izraelin apo me ndonjë vend tjetër në Siri. //a.i/